“Turqia është partneri më i besueshëm”, çfarë i propozoi Putin-Erdoganit?

3 Minuta Lexim

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan u takua me homologun e tij rus Vladimir Putin, në nisje të samitit rajonal në Kazakistan. Presidenti rus i propozoi homologut të tij turk ndërtimin e një qendre të gazit natyror në Turqi.

Putin tha se ndërtimi i një qendre në Turqi do të mundësojë, ndër të tjera, rregullimin e çmimeve, shitjen e gazit me çmimet e tregut dhe përjashton “politizimin” e çështjes.

Në takimin me Erdoganin, Putin e quajti Turqinë “partnerin më të besueshëm” për furnizimin me gaz në Europë.

Presidenti rus tha gjithashtu se ndërtimi i termocentralit bërthamor Akkuyu në Mersin, në jug të Turqisë, po vazhdon sipas planit dhe mund të fillojë punën vitin e ardhshëm, në 100-vjetorin e themelimit të shtetit modern turk.

“Rusia vazhdon dërgesat e gazit përmes gazsjellësit Rrjedha Turke, pavarësisht përpjekjeve për ta dëmtuar atë”, shtoi Putin.

Me rastin e marrëveshjes së Stambollit për burimin e drithit nga Ukraina, e cila u ndërmjetësua nga Turqia dhe Kombet e Bashkuara, presidenti rus u ankua se ende vetëm një pjesë e vogël e dërgesave shkon në vendet më të varfra.

“Vendet që morën grurin ukrainas si pjesë e Marrëveshjes së Stambollit duhet t’i jenë mirënjohës Erdoganit,” tha Putin.

Propozimi vjen pasi Rusia kërkon të ruajë ndikimin e saj energjetik mbi Europën, ndërsa ridrejton furnizimet nga tubacionet e gazit Nord Stream Baltik, të dëmtuara në shpërthimet e muajit të kaluar që janë ende nën hetim.

Edhe Erdogan mbrojti marrëdhëniet tregtare të Ankarasë me Moskën, por nuk komentoi propozimin e Putin.

Ndërmjetësimi turk rezultoi jetik në lehtësimin e nënshkrimit të një marrëveshjeje midis Turqisë, Kombeve të Bashkuara, Rusisë dhe Ukrainës në Stamboll për të rihapur disa porte ukrainase për të zhbllokuar drithërat që kishin ngecur për muaj të tërë për shkak të luftës së vazhdueshme Rusi-Ukrainë.

Turqia është një nga vendet më aktive që punon për të siguruar një armëpushim të përhershëm midis Ukrainës dhe Rusisë. Duke mbajtur hapur kanalet e komunikimit me të dyja palët ndërluftuese, Erdogan jep një fije shprese në përpjekjet diplomatike për të gjetur një zgjidhje dhe për të arritur paqen në krizën e Ukrainës.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull