Ministri i Mbrojtjes, Rashko Konjevic, ka deklaruar se në çdo seancë të Komisionit për Siguri, do të ofrojë prova se Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, ka pasuar kontakte me grupe kriminale.
“Kryeministri ka pasur kontakte me disa anëtarë të një grupi kriminal që merret me kontrabandën e duhanit, do ta them hapur në çdo seancë të Komisionit të Sigurisë, i cili është i mbyllur për publikun, sepse ato prova janë të pranishme në ‘SOCTA 2020-2021’”, theksoi Konjeviç, transmeton mediumi malazez “Pobjeda”.
SOCTA është një dokument që analizon vlerësimin e kërcënimeve të krimit të organizuar dhe identifikon prioritetet në luftën kundër krimeve të rënda.
Ndryshe, kryeministri me mandat teknik, ditë më parë shkarkoi nga pozita shefin e Agjencisë së Sigurisë Kombëtare (ANB), Sava Kentera dhe siç shkruan “Pobjeda”, duke u thirrur në burime brenda sektorit të sigurisë, Abazoviç po përpiqet të pengojë përpjekjet e zbulimit të rrjetit të spiunëve rusë dhe pjesëmarrësve në zinxhirin e kontrabandës së duhanit.
Këto pretendime lidhen me Artan Kurtin, mik i Abazoviç-it, për të cilin ANB-ja ka dhënë një mendim negativ, pasi që ai u propozua nga kryeministri të kontrollojë punën e shërbimit të inteligjencës.
“Në fillim të kësaj jave, Artan Kurtit i është dorëzuar zyrtarisht një vendim negativ nga Drejtoria për Mbrojtjen e të Dhënave Sekrete. Ideja e Abazoviç-it për të kontrolluar plotësisht punën e ANB-së përmes Kurtit dhe për të penguar kërkimet për spiunët rusë në Mal të Zi dhe kontrabandën shtetërore të cigareve ka dështuar”.