Në nisje të vitit të ri akademik, ministrja e Arsimit Evis Kushi ka bërë urimin e saj. Evis Kushi shkruan në rrjete sociale se ky vit akademik do të jetë ndryshe nga vitet e kaluara pasi e gjithë bota po përballet me efektet e luftës në Ukrainë.
Sipas saj, qeveria dhe ministria kanë dhënë bursa dhe ka përjashtuar nga tarifa vjetore një sërë kategorish, si studentët që zgjedhin lëndë prioritare, ekselentët dhe ata që kanë fituar medalje nëpër olimpiada.
Gjithashtu, ministrja Kushi thotë se janë rritur standardet infrastrukturore dhe të mësimdhënies në universitete. Ajo pati një urim edhe për pedagogët, për të cilët tha se mbështetja e qeverisë për ta do të vazhdojë pa u ndalur.
Të dashur studentë dhe pedagogë, Dua ta nis me një urim shumë të përzemërt për një vit akademik sa më të mbarë e të suksesshëm për të gjithë ju!
Veçanërisht ju që uleni për herë të parë në auditoret e universiteteve, ju përgëzoj që pas përfundimit me sukses të shkollës së mesme, keni zgjedhur të hidhni hapa të mëtejshëm në rrugëtimin drejt dijes, një rrugëtim i gjatë sa vetë jeta.
Ky vit i ri akademik përkon me një situatë të vështirë, kur e gjithë bota, përfshirë edhe Shqipërinë, po vuan pasojat e një krize të shkaktuar nga lufta në Ukrainë. Qeveria Shqiptare ka ndërmarrë një sërë masash për të mbështetur çdo familje, përfshirë edhe familjet tuaja, për të zbutur sa më shumë efektet e krizës së çmimeve. Por mbështetja jonë për ju nuk ndalet këtu.
Këtë vit kemi ofruar përjashtim nga tarifat dhe bursa mujore me vlerë sa paga minimale për studentët që zgjedhin programet prioritare, ata që kanë rezultate të shkëlqyera, si dhe studentët fitues në olimpiada ndërkombëtare.
Ndërkohë, po vazhdojmë pa u ndalur punën dhe investimet për përmirësimin e kushteve të akomodimit në rezidencat studentore, si në kryeqytet ashtu edhe në qytete të tjera universitare. Kemi forcuar bashkëpunimin edhe me bashkitë, vetë universitetet dhe donatorë të ndryshëm, që infrastruktura universitare kudo në Shqipëri të ofrojë standardet më të mira bashkëkohore.
Dua t’ju falënderoj me zemër që keni vendosur të studioni në Shqipëri, duke i besuar ndër të tjera edhe procesit të ndërkombëtarizimit të universiteteve. Ky proces do t’i japë edhe më shumë cilësi dhe vlerë diplomës suaj, duke u afruar më shumë me universitetet më prestigjoze evropiane e botërore.
Ne do të vazhdojmë të punojmë maksimalisht që ju të keni alternativa të reja cilësore studimi këtu, me qëllim që pas studimeve të integroheni sa më shpejt në tregun e punës e të jepni sa më shumë kontribut për Shqipërinë tonë të dashur.
Ne kemi nevojë për ju! Vendi ka shumë nevojë për ju! Dy fjalë edhe për ju, të dashur kolegë pedagogë.
Dua t’ju shpreh respektin dhe mirënjohjen time maksimale për punën dhe përkushtimin tuaj në formimin e profesionistëve të së ardhmes. E në këtë fillim viti akademik, kam besim që ne do t’i rrisim më tej përpjekjet dhe bashkëpunimin për të bërë më të mirën për studentët tanë, por edhe për të rritur performancën në të gjitha aspektet akademike e universitare, në funksion të zhvillimit të vendit. Mbështetja jonë edhe për ju do të vazhdojë pa u ndalur.