Pagat dhe përfitimet shtesë “duhet të rriten në linjë me inflacionin”

2 Minuta Lexim

Shtetet duhet të sigurohen që përfitimet sociale dhe pagat të rriten në linjë me inflacionin, në të kundërtën njerëzit mund të përballen me uri apo të kenë shtëpi të ftohta, ka thënë Olivier De Schutter, ekspert i Kombeve të Bashkuara për varfërinë ekstreme dhe të drejtat e njeriut.

Nuk është hiperbolë nëse them që nëse qeveritë nuk rrisin përfitimet dhe pagat në përputhje me inflacionin, do të ketë jetë të humbura”, ka thënë ai.

Rritja e kërkesës për produkte dhe shërbime tjera, pas heqjes së masave kufizuese për luftim të pandemisë së koronavirusit, dhe lufta e Rusisë në Ukrainë, besohet se janë dy shkaqet kyçe që kanë ndikuar në rritje të inflacionit në shumë vende të botës.

“Sikurse me pandeminë e koronavirusit, më të cenueshmit janë duke paguar çmimin e zhvillimeve botërore. Krizat e kombinuara pritet të përballin 75 deri në 95 milionë njerëz më shumë me varfëri ekstreme vetëm këtë vit”, ka thënë mes tjerash ai.

“Qoftë në Evropë, ku inflacioni ka prekur një rekord prej 10 për qind, apo në Afrikën nënsahariane, ku çmimet e ushqimit janë rritur për gati 24 për qind, buxhetet familjare në gjithë botën janë duke tkurrur përtej pikës kritike”, ka thënë ai.

Kjo nënkupton se “edhe më shumë njerëz në varfëri do të jenë të uritur apo do të kenë të ftohtë këtë dimër, në rast se nuk merren masa të menjëhershme për të rritur të hyrat e tyre”.

Ekspertët e OKB-së janë të pavarur.

Ata nuk flasin në emër të OKB-së, mirëpo kanë mandat për të raportuar gjetjet e tyre në Këshillin e të Drejtave të Njeriut.

De Schutter u ka bërë thirrje qeverive në hemisferën veriore që të veprojnë shpejt për të izoluar shtëpitë, para stinës së dimrit.

“Dështimi në këtë fushë është thjesht mungesë e vullnetit politik”, ka thënë ai.

Eksperti belg u ka bërë thirrje shteteve që të përfshijnë njerëzit që jetojnë në varfëri, në politikat që synojnë të luftojnë rritjen e çmimeve të jetesës./REL

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull