Propozimi i Benit për të zhvendosur Kullën e Sahatit

5 Minuta Lexim

hysni Gurra

Propozimi i Benit për të zhvendosur Kullën e Sahatit nga aty ku është e për ta vendosur në qendër të Sheshit Skënderbej, si kunj dhëmbësh, nuk është propozim aq i pafajshëm sa duket.
Edhe pse mediat, të paditura për të lexuar nën rreshta veç kopjojnë ç’gjejnë, e kanë publikuar me një enthuziazëm propozimin e Benit, nuk është vështirë të kuptohet qëllimi i propozimit. Në mos, ky propozim, qoftë një propozim sa për procedurë, pasi vendimi mund të jetë marrë.
Kulla e Sahatit dhe Xhamia Et’hem Beu janë simboli i kryeqytetit shqiptar, as njërën, as tjetrën nuk i preku regjimi brutal i Enver Hoxhës, regjim i cili nuk preku as godinën e Teatrit Kombëtar, ndërtuar nga fashistët italianë, të themi, ose gjithë arkitekturën rreth e rrotull qendrës së kryeqytetit.
Politika e pas ‘90 e ka pas bezdi të madhe që xhamia Et’hem Beu të ishte simboli i kryeqytetit së bashku me Kullën e Sahatit, se helbete, po vemi në Perëndim dhe fëlliqemi, duhet me shkuar cullak nga kultura lindore.
Përpiqeshin të shfaqnin nëpër foto Kullën e Sahatit duke retushuar xhaminë. Karagjozllëk provincialësh, servilizëm i pa kërkuar nga askush.
Kur në fakt, nëse ka një objekt të trashëgimisë kulturore që është 100% projektuar e financuar nga shqiptarët, pra, s’ka lidhje as me arabë e as me turq, ky është xhamia Et’hem Beu dhe Kulla e Sahatit, e them në njëjës sepse janë koncept kompleksi, siç ishte Teatri, janë dy objekte të pandashme. Veç e veç këto dy objekte nuk kanë kuptim, sidomos Kulla e Sahatit.
Tani e rrethuan Kullën e Sahati dhe xhaminë Et’hem Beu me kulla, për t’i shëmtuar, për të krijua kushtet për propozime të tilla, “hajde tani ta marrim kullën ta çojmë në një vend tjetër se aty duket keq”, zgjidhje në dukje adhamudhiane, por në thelb djallëzore sa më ska.
Zotëria në fjalë në Shqipëria ka qenë kur nisi projekti i kullave pas Sahatit, edhe kur u shemb Teatri gjithashtu këtu ka qenë, por nuk i është ndier zëri të kundërshtojë.
Tani, papritur, vjen me një zgjidhje “brilante”!
Nuk e kam kuptuar kurrë përpjekjen e njerëzve të ‘kulturuar’ për të shkatërruar trashëgiminë kulturore të së kaluarës, sikur një çoban që shkund peliçen nga pleshtat kur do të dalë në qytet.
Po objektet e trashëgimisë kulturore nuk janë pleshta që të shkunden nga peliçja që mos fëlliqesh kur del. Janë pasuri, vlerë, kujtime, historia dhe shpirti i një qyteti a vendi.
Njeriu, sipas meje, është kujtimet e tij.
Unë nuk kam kujtime në Tiranë sepse nuk jam rrit në Tiranë. Me thënë të drejtën, duke mos pas kujtime nuk është se më “dhimbset” Tirana e dikurshme, rrugicat, lagjet, shtëpitë, pazaret…kujtimet e fëmijërisë dhe adoleshencës, të cilat janë baza e kujtimeve, i kam në vend tjetër këto.
Por në ato makro kujtimet që krijon njeriu për vendin e tij në tërësi, Kompleksi Teatror, Kompleksi Xhami-Kullë Sahati, Monumenti Nëna Shqipëri, godina e Universitetit Politeknik, e cila ashtu si Kulla me Xhaminë po rrethohet nga kulla përbindëshe nga pas, janë ato kujtimet e mia si shqiptar për kryeqytetin tim.
I ndava kujtimet në dy pjesë sepse jam i vetëdijshë që nuk i hyn kujt në punë ku i kam unë kujtimet si shqiptar kur jam në Shqipëri, por sigurisht i hyn dikujt kur të jem jashtë Shqipërie se ku i kam unë kujtimet si shqiptar.
Dhe të gjithë ne si shqiptarë, përveç lagjeve ku mund të jemi rritur, kujtimin e madh të përbashkët kemi kryeqytetin tonë, ato kartolinat apo fotot që qarkullojnë, Xhami-Kullë Sahati bashkë, Teatri që u prish, godina e Politeknikut, ministritë…
Imagjinojini pak, Kulla e Sahatit si kunj në mes të sheshit, Xhamia vetëm rrëzë kullave.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull