‘Harresë proceduriale’: PS tërheq ligjin për mediat online nga Kuvendi

3 Minuta Lexim

Një dekret i ish-presidentit Ilir Meta që kthente për rishqyrtim në Kuvend ligjin e shumëdiskutuar për kontrollin e mediave online, vijon të jetë në kalendarin e punimeve të Kuvendit që prej janarit 2020.

Por gati tre vjet më pas, socialistët në pushtet që e inicuan dhe miratuan këtë ligj në legjislaturën e kaluar,  deklarojnë se do ta tërheqin atë përfundimisht nga Kuvendi.

“Ligji do të tërhiqet, ka qenë një harresë proceduriale që nuk është tërhequr me kohë,” tha kryetari i grupit socialist, Taulant Balla të hënën në përgjigje të një pyetje të BIRN.

Balla e ripërsëriti deklaratën e tërheqjes edhe në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit, ku po diskutohej progres-raporti i Komisionit Europian për Shqipërinë. Sipas tij, nisma ka rënë dhe mbetet vetëm për t’u ndjekur procedura e tërheqjes.

E ashtuquajtura “paketa anti-shpifje” e kryeministrit Edi Rama u kundërshtua nga Komisioni Europian, Këshilli i BE-së, Komisioni i Venecias dhe një listë e gjatë organizatash shqiptare dhe ndërkombëtare të lirisë së shprehjes.

Ish-presidenti Meta e ktheu ligjin me dekret në Kuvend, por dekreti i tij vijoi të qëndronte në kalendarin e punimeve çdo 3 muaj që prej janarit 2020, pa u përfshirë për shqyrtim në komisione.

Në konferencën e kryetarëve, kryetari i grupit të PD-së, Enkelejd Alibeaj, kërkoi që kjo çështje të mos lihej pezull dhe Kuvendi të shprehej me qëndrim për dekretin. Në përgjigje, Balla i vlerësoi synimet e ligjit dhe propozoi që në kushtet e një legjislature të re parlamentare, dekreti i Metës duhej të futej për shqyrtim në Komisionin e Ligjeve.

“Është mbështetur nga ana jonë në legjislaturën e kaluar një ligj, i cili do të rregullojë të drejtën e gjithkujt, që goditet nga lajme të pavërteta, për t’iu drejtuar organeve të drejtësisë, por edhe vetë burimeve të keqinformimit ose të dezinformimit,” citohet Balla në procesverbalin e zbardhur të mbledhjes.

Më tej ai propozon që zgjidhja do të ishte një raport i komisionit të ligjeve, që sipas tij “kopsit procedurën e nevojshme parlamentare për të ecur përpara”.

Alibeaj i tha BIRN të hënën se nisma do të quhej e rrëzuar kur mazhoranca të mbajë një qëndrim të qartë publik për tërheqjen, ose të votojë dekretin e Presidentit.

Paketa parashikon një seri amendamentesh të ligjit ekzistues për median audiovizive që synojnë të fuqizojnë Autoritetin  Mediave Audivizive [AMA] dhe Këshillin e Ankesave brenda saj, të kontrollojnë përmbajtjen e medias online duke i dhënë mundësi të vendosin gjoba deri në 2 milionë lekë, të cilët ekzekutohen si titull ekzekutiv, pa kontroll gjyqësor.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull