Enver Robelli
➽ Kur u nënshkrua marrëveshja e vitit 2013 në Bruksel, pala kosovare tha se «Serbia de fakto e pranoi Kosovën». Në vitin 2022 kjo duket si ironi e hidhur. Kur u pranua bashkësia e komunave serbe më 2015, pala kosovare tha se marrëveshja do të kalonte për shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese. Kjo gjykatë e shqyrtoi, e shpalli pjesërisht antikushtetuese, por në vitin 2022 kërkesat perëndimore ndaj Kosovës për të themeluar asociacionin janë edhe më të zëshme. Madje ndërmjetësuesi i BE-së Mirosllav Lajçak me ton guvernatori thotë se Kushtetuta e Kosovës nuk është Bibël. Me fjalë të tjera: kush bëhet merak për Kushtetutën tuaj!
➽ Dalja e djeshme nga institucionet e pjesëtarëve të pakicës serbe është larg më shumë se një striptiz policor. Kjo është vetëm provë gjenerale për të sinjalizuar se kështu do të veprojnë, në shkallë më të gjerë, nëse nesër e kanë asociacionin e komunave serbe. Atëherë asociacioni si «entitet juridik» do të dalë nga korniza kushtetuese e shtetërore e Kosovës, nuk do të dalin serbët individualisht nëpër komuna.
➽ Dalja e serbëve nga institucionet në katër komunat veriore të Kosovës tregon se krerët e tyre politikë dhe Beogradi e shohin asociacionin si autonomi territoriale dhe jo si organizatë joqeveritare, siç llomotisnin liderët politikë të Kosovës kur e nënshkruan marrëveshjen. «Lista serbe» nuk ka marrë dje vendime si parti politike, por si pararendëse e asociacionit, sepse ka vendosur jo vetëm për heqjen dorë nga postet në pushtetin qendror dhe në Kuvendin e Kosovës, por dhe për gjykatësit, prokurorët, ofiqarët, administratën, policinë. Në skenarin më të keq aventurave të serbëve të veriut mund t’ju bashkohen edhe pjesëtarët e pakicës serbe në komunat në pjesët e tjera të Kosovës.
➽ Në aspektin normativ, ligjor apo kushtetues Serbia nuk ka bërë lëshime ndaj Kosovës. Procesi 10-vjeçar i negociatave dhe koncesioneve të Kosovës ndaj Serbisë ka shkuar deri aty, saqë kërkesa për njohje nga Serbia tani është e tabuizuar në vokabularin e bashkësisë ndërkombëtare. Nga Kosova kërkohet të pranojë si entitete të veçanta asociacionin e kishën serbe, e çka kërkohet nga Serbia?
➽ Çdo debat për krizën e tanishme në Kosovë nuk mund të kalojë pa i parë efektet e vendimeve të këqija, shkurtpamëse e pasojërënda të 10 viteve të fundit. Çmimin e këtyre vendimeve do ta paguajë çdo qeveri. Edhe kjo e tanishmja.
➽ Pas vendimit të favorshëm për Kosovën nga ana e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë më 2010, pala kosovare në vend se të pozicionohet qartë kundër hapjes së pakos për ndryshime brenda Kosovës me pjesëmarrjen e Beogradit, vendosi të kundërtën. Atëherë, pra para 12 vitesh, politikani serb Ivica Daçiq prezantoi zëshëm idenë për ndarjen e Kosovës, një ëndërr e ngahershme e nacionalistëve serbë. Brenda një dekade diskursi për ndarjen hyri si bacil edhe brenda diskursit politik të Prishtinës. Me një fjalë: Serbisë i janë shtuar apetitet edhe falë gabimeve të klasës politike të Kosovës.