…Saranda, Delvina, Gjirokastra, Labova…derdhën lot

4 Minuta Lexim
Pirro Naci

Sot flitet shumë për turizmin. Nuk e di në se bëhet po aq edhe sa flitet. Ajo që më shtiu të shkruajë këto rreshta është një event i ditëve të sotme dhe një histori e vjetër e 133 viteve të shkuara. E para në Greqi dhe e dyta në Shqipëri. Në pamje të parë, duken të mos ketë lidhje, por kur flasim për turizmin, kulturën dhe Vangjel Zhapën, ndryshojnë gjërat…
Në Athinë sot u hap Panairi Ndërkombëtar për Turizmin dhe Kulturën. Një veprimtari që organizohet çdo vit, një mundësi për të shkëmbyer mendime dhe për të promovuar produktin turistik. Veprimtari që organizohet në Pallatin e Zhapajve, ose siç e thonë grekët, “Zappio Megaro”, një nga qendrat kulturore më të mëdha të Athinës, e ndërtuar me paratë e labovitit më 1874, një nga më të pasurit e Europës të asaj kohe, dhuratë për lojrat e para moderne olimpike.
Sot ajo është kthyer në një qendër të rëndësishme për ekspozita me karakter kulturor ekonomik, tregtar, industrial dhe sidomos në drejtim të turizmit. Ky ishte edhe vizioni i Zhapës, që 150 vite më parë ‘’investonte’’ me bamirësinë e tij në Greqi, Turqi, Rumani, Shqipëri e gjetkë.
Kush di të ‘’lexojë’’ mesazhet e Zhapës, mund të përfitojë akoma më shumë edhe për Turizmin. Mungesa nga instutucionet qëndrore dhe lokale që i intereson turizmi, por edhe e operatorit turistik nga Shqipëria në eventin e Athinës, më vuri në mendime dhe më solli ndër mend histori nga e kaluara.
Më 1860 Zhapa hartoi testamentin e tij në Rumani, aty ku jetonte: “Pas katër vjetësh nga vdekja -shkruante: Eshtrat e mia të nxirren nga varri dhe të rivarrosen, koka në hyrje të Pallatit të Lojrave Olimpike të Athinës, ndërsa eshtrat e trupit në oborrin e shkollës në Labovë…”
Dhe kështu u bë, koka është aty qysh nga 1887-ta. Unë e pashë në muret e këtij Pallati, ndërsa eshtrat, sipas një kronike të kohës shkruan:
“Një anije me avull, në të gdhirë të datës 14 gusht 1887 arriti në Sarandë. Arkivoli i veshur me beze të zezë, u vendos në një karrocë që tërhiqej nga katër kuaj…. Gjatë rrugës për në Labovë, banorët e fshatrave kishin zbritur dhe qëndronin në dy anët e rrugës për të pritur e nderuar eshtrat e bamirësit të madh. Delvinjotët, muzinjotët, dropullitët, fshatarët e Rrëzës, të Pogonit e të Lunxhit, të veshur me kostume tradicionale, përuleshin me respekt para arkivolit. Njerëzit me lot në sy, në këto çaste trishtimi kujtonin bëmat e tij të mëdha…’’.
Bashkitë e Sarandës, Delvinës, Gjirokastrës, Libohovës,dhe Ministria e Turizmit sa herë që në Athinë të organizohen evente Ndërkombëtare për Turizmin dhe Kulturën në ‘’pamundësi’’ për t’u bërë pjesë e ‘’Shtëpisë ’’ së Zhapës, dhe veprimtarive të shumta që organizohen në të, le të kujtojnë të paktën ato lotët e derdhur 133 vite më parë…. Dhe të kenë kujdes të mos mbyten në një lugë me lot, nga lotët e sotëm të ‘’suksesit’’ për turizmin…Gjithë Ballkani ishte aty, nuk e kuptoj pse ne e shikojmë ‘’Ballkanin e mbyllur’’… për turizmin. Nuk do të rrinë në paqe “rehat” eshtrat e Labovës pa takuar një ditë kokën në Athinë.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull