Berisha akuzoi Pandeli Majkon se ra në përgjimet e SHISH, SPAK zbulon nëse po hetohet deputeti i Partisë Socialiste

3 Minuta Lexim

Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion ka deklaruar se Pandeli Majko nuk është nën hetim pas akuzave të kreut të PD-së, Sali Berisha se deputeti i Partisë Socialiste ka rënë në pvrgjimet e SHISH.

Në një reagim për gazetaren Klodiana Lala, SPAK ka deklaruar se nuk rezulton asnjë material kallëzues apo procedim penal në ngarkim të Pandeli Majkos.

“Pas verifikimeve të kryera në Regjistrin e Kallëzimeve Penale dhe Regjistrin e Protokollit në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk rezulton asnjë material kallëzues apo procedim penal në ngarkim të shtetasit Pandeli Majko”, shprehet SPAK.

Kujtojmë që deputeti socialist i ka dërguar shkresë zyrtare Shërbimit Informativ duke i kërkuar që t’i vendosin në dispozicion çdo informacion lidhur me akuzat e Sali Berishës.

“Në referencë të akuzave publike të deputetit z. Sali Berisha, në konferencën e tij për shtyp të datës 06.01.2025, ndërmjet të tjerash ai pretendonte se në bazë të një informacioni të SHISH, Unë Pandeli Majko jam vënë në përgjim nga institucioni Juaj”, shkruhet në shkresë.

Pandeli Majko shprehet në letrën drejtuar SHISH se si deputet ka të drejtë të kërkojë shpjegime për çdo çështje që ka të bëjë me përmbushjen e detyrës së tij.

“Lutem më vini në dispozicion, konfirmimin Tuaj nëse ekzsiton një përgjim i tillë dhe nëse po, vënien në dispozicion të saj dhe të cdo informacioni tjetër i cili ka lidhje me emrin Tim”, shkruan ligjvënësi socialist.

Më 6 janar, në një konferencë për mediat, Sali Berisha teksa po komentonte vendimin e kryeministrit Edi Rama për të hequr deputetin socialist si drejtues qarku të PS-së në Kukës, u shpreh se “Pandeli Majko është kriminel i madh elektoral”.

Ai deklaroi se Pandeli Majko është i regjistruar në tavolinë me regjistrues, të vendosur me vendim gjykate nga Shërbimi Informativ Kombëtar, “jo për Pandeli Majkon, por për trafikantë droge dhe armësh që mblidheshin aty”.

“Aty shkon Pandeliu me këtë Alban Çelën dhe drejtorin e OSHEE të Kukësit dhe fillojnë. I thotë atij drejtorit, ti në Has do të kërkosh kaq shtylla centrifugale dhe do i marrësh në një kompani këtu buzë Erzenit. Ato kushtonin nja 40 deri në 60 mijë euro. Por i thotë, do faturohen 800 mijë euro, nga të cilat 300 do i dërgohen Tropojës për të blerë vota, 200 mijë do dërgohen në Durrës, të tjerat do përdoren në Kukës”, u shpreh Berisha.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull