Shkrimtari ne ekzil Agron Tufa leter kryetarit te PD-se, Berisha per zgjedhjet brenda partise

5 Minuta Lexim
Letër e ngutshme Kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë
I nderuar doktor Berisha,
Nisur nga një shqetësim i hershëm dhe i ri, që s’ka e s’mund të ketë kurrfarë interesi personal, përpos botëkuptimit tim të djathtë, ju sjell edhe njëherë në vëmendje, ashtu si gjatë viteve 2006-2013 fillimisht, çështjen e ndërhyrjeve në rregullat demokratike nëpër degët e PD.
Ajo që ka ngjarë dje me zgjedhjet në degën nr. 2 të PD-së në Tiranë me megamanipulimin e vullnetit të lirë të anëtarëve të kësaj dege, me truket, falsifikimet, për të nxjerrë me doemos një fitues sipas shijeve të diktuara nga Grupi i Punës, është një ogur kobzi për perspektivën e ardhshme të zgjedhjeve nëpër degët e tjera dhe minim i rrugës së popullit demokrat drejt 11 majit 2025.
Për hir të zemrës së bardhë e të përkushtuar të demokratëve të thjeshtë anembanë Shqipërisë, këtij populli të mrekullueshëm, besnik e të shumëvuajtur, ju, doktor, duhet të informoheni mirë mbi këtë çështje. Për më tepër, të ripërsëriten zgjedhjet në këtë degë, gjithë në pajtim me statutin dhe rregulloren. Përndryshe kjo teknologji e stërholluar ndër vite të gjata, e ndërhyrjes nga lart të adeptëve të Kryesisë Qëndrore nëpër degët e PD (kushdo qofshin ata), jo që e deformon, por e shpartallon vullnetin e votuesit demokrat. Si ka mundësi që ende vazhdojnë këto sëmundje të hershme, pa gjetur dot shërim?
E kam parë këtë film të neveritshëm që nga viti 2006 e në vijim në shumë degë të PD-së, po marr të Dibrës, p.sh., dhe, për këto dallavere me kumbari të të deleguarve nga Kryesia e PD, që vinin dhe trazonin kazanin, ju kam informuar i shqetësuar personalisht në bazë të fakteve, asnjëherë për as edhe një grimë interes! Nuk mund të mbyllja sytë para padrejtësisë së dhunshme e të trashë… Më vonë, për të njëjtat probleme kam vënë në dijeni dhe z. Basha (gjatë periudhës 2013-1019), gjithmonë me fakte, që gjithmonë vërtetoheshin. Dhe çfarë? Kronikë e një shpartallimi të paralajmëruar… Asgjë nuk u bë! U larguan njerëzit më të sinqertë, madje u goditën, u shpallën armiq, ikën jashtë vendit me gjithë familje dhe fëmijët e tyre të pafajshëm, që prindërit i kishin rritur me frymën e lirisë së PD-së! Ata nuk dinin si t’ua shpjegonin fëmijëve, se përse po goditeshin, përse hiqeshin nga puna, nga po ajo parti e djathtë, me frymën e të cilës i kishin rritur fëmijët e tyre. Unë e kam prekur këtë dramë, e kam parë. Ata, doktor, u përndoqën egërsisht dhe ishin intelektualë krejt të sinqertë e të vendosur, të drejtë e të pakorruptueshëm, por u larguan duke marrë me vete brengë e hidhërim. U shpallën armiq! Dhe Dega, siç dihet, degradoi – nga një fortesë e PD, erdh e u shpërfytyrua nga humbja në humbje. Monstruoze!
A duhen dëgjuar zërat kontestues? Sidomos të atyre që nuk kanë interes, përveç botëkuptimit të tyre të djathtë? Kam përshtypjen se kësaj sëmundjeje të Ndërhyrësve nga Lart, i duhet dhënë fund, tani, duke ripërsëritur rrënjësisht zgjedhjet në degën nr.2 të PD-së, Tiranë.
Adeptët e mësuar me këto lojëra të pashëndetshme, duhet të marrin një mësim të qartë. Një tarafi të hershëm e më përvojë të gjatë burokratike në kësi dallaveresh zgjedhore i intereson më shumë konformizmi i postit humbës se sa bashkimi problematik, hapja dhe rregullat demokratike!
Lëndues e fyes konspiracioni kundër znj. Irma Marku, që ka hyrë me grupin e saj shtëpi më shtëpi nëpër gjithë lagjen, që ka kaluar me grupin e saj netë të tëra poshtë ballkonit të liderit të burgosur të Partisë Demokratike. Ajo, doktor, ajo me grupin e saj, jo fituesja, jo hunda e saj sqimatare… Dhe, siç e pohojnë, një ndër akuzat e grupit të punës ndaj znj. Marku, ka qenë se ajo “e ka mbushur degën e PD nr. 2 plot me ish-të përndjekur politikë(!!)”. Nuk do ta dekonstruktojmë këtë fjali: ajo e plotëson mjaftueshëm autoportretin e akuzuesit.
Me ndjesën që ju shkruajta gjatë, sugjerimi im i vetëm mbetet ky: zgjedhjet në degën nr. 2 të PD, Tiranë, duhet të ribëhen rrënjësisht! Lakrori do ta tregojë pastaj se çfarë ka brenda petëve…
Me respekt,
Agron Tufa
Shkrimtar, azilant politik
12.01.2025

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull