Nga Aleksander Çipa-
Unë e kam pasur një rast njeriu, kur titulli Mësues i Popullit në një kohë ideologjike, fitonte kuptimin e plotë.
Më herët, në qytetin e rritjes sime, Gjirokastër, këtë meritim e kishin ruajtur në disa emra të tillë…
Por në rastin e Mësuesit të Popullit Tajar Kokalari, ishte “guri në qoshen” e vet.
Mbetet ndër mësuesit më të shtrenjtë, në raportin tim si ish nxënës, me mentorin tim.
Nuk e di, por matanë dhe brenda tij, kishte diçka që nuk lidhej me kohën dhe momentin kur me një shikim më impononte në laboratorin e Kimisë së shkollës së mesme pedagogjike “Pandeli Sotiri”, por me një kohë pararendëse dhe madje dhe pasardhësen….
Mësues Tajari ishte një zotni me thellësi dijesh, qëndrueshmëri karakteri, atdhedashës i klasit të parë të përhershëm dhe me një botë që fshihej në atë prudentizmin e vet zotnues, racionalitetin logjik të ligjërimit dhe sidomos në fisnikërinë e përhershme këshilluese.
Unë isha një ndër nxënësit e tij që më lëvdoi duke më parë kritikueshëm, më ndoqi duke më lënë jashtë shikimit dhe mbajtur brenda cepit të syrit. Më përcolli, duke mos më hequr nga mendja dhe më tha përsëritshëm: Djalë! Ke rrugë për të bërë!!!!!
Sot jam në pikëllimën time të ikjes së Mësuesit të Popullit Tajar Kokalari….!
Kam qenë ndër nxënësit që kthehesha shpesh, me kujtim dhe me hap, tek Profesori im i dhembshur e i ditur.
Jeta e tij ishte një shërbim madhor ndaj edukatës patriotike të brezave gjirokastritë, ndaj kumtit të parreshtur për një Shqipëri të dijshme dhe të mendimit, për një Gjirokastër që ka qytetarinë e njeriut dhe të gurit, për një flamur që duhet t’i rrijë përjetësisht Qafës së Pazarit dhe krejt truallit shqiptar.
Tek Mësuesi i Popullit, pra tek Mësues Tajari, ishte rrënjosur dhe madhuar vijueshmërisht, nëpër lartësim ndërgjegjeje, një forcë e madhe intelektualiteti që më plotëson. Edhe sot që më iku në amëshim, Ai është shtues, si kujdestar mendjeje, pasurues i imazhit të pinjollëve të familjeve intelektuale shqiptare, i mazhit të burrave të ditur shqiptarë…
Një koleksion të përhershëm pasionesh pati ai Mësues:
-Kiminë, lëndën që nëpër mësimdhënie shkëlqente duke shpeshkumtuar se pa shkencën atdheu i vogël është edhe më vocërak dhe me shkencën, trashëgohet edhe më i madh. Krijoi laboratorin e parë modern të Kimisë, në rrethin e Gjirokastrës, kontribuoi në tekste shkollore, udhëhoqi talente nëpër olimpiadat kombëtare të kimisë, etj. etj…
-Historinë kombëtare dhe atë të qytetërimeve, të cilën në mendjen dhe shtëpinë e vet, e rrëfente me aq pasion e talent, si një ligjërues me shëmbëllimë cilësish dhe aftësish, si burrat e antikitetit apo Arbërisë së Poshtme.
-Filatelinë, një art dhe detyrë memorialistike të cilën e ruajti dhe zhvilloi edhe në epokën e pengimit të madh, duke qenë pjesëmarrës me korrespodencë, në kongrese të filatelisë gjatë kohës së komunizmit.
-Dokumentarizmin arkivor dhe atë trashëgimor, jo vetëm për familjen, jo vetëm për qytetin Gjirokastrën, por sidomos për historinë kombëtare.
Mësuesi im Kokalari ishte dhe do të mbetet shenjë dhe imazh i papërsëdytshëm qytetari që na edukoi dhe na rrënjosi, ne nxënësve të tij në disa shkolla të Gjirokastrës, me shumë vlera themelore… Të tillë, si Ai dhe si disa të ngjashëm me Atë në historinë arsimore të Gjirokastrës, nuk dihet se kur në të ardhmen, do të mund t’u rishfaqen, dishepujt…..!
Mësuesi im Tajar!
U prehtë shpirti yt, në dritën dhe paqen e amëshimit!
Herën e fundit, në shtëpinë tënde në Palorto, nuk e vërrejta shenjën e plotë të moshës, por mora të mbishtuar gjurmën e ndërgjegjes, fjalës dhe shpirtit tënd intelektual dhe pastërtisht gjirokastrit.
Të jam mirënjohës!
Letrat që kemi shkëmbyer, i ruaj si vlerën më të shenjtë epistolare në shtëpinë dhe dhomën time të punës!
Të dua sa më deshe, por veç tani mund ta deklaroj këtë pasi për shkak të mungesës do të të adhuroj edhe më tepër!
Sepse Ju, Mësuesi im, ishit dhe mbeteni një Kohë dhe një Njeri kohe që nuk e pronëson dot një kohë e vetme!…
Në Palorto dhe në Qafën e Pazarit, në ditë të ardhme dhe sidomos në kohët vijuese, do të kemi shumë arsye të rikujtojmë e ripërmendim, jo vetëm emrin, por sidomos punën dhe trashëgiminë tënde, Mësues Tajari!
Në qytet, do të duhet të ketë një shkollë të pambyllshme që mund të lartësohet duke mbajtur emrin tënd…
Përderisa Tajar Kokalari është një emër dhe prej një Dere të madhe që është gdhendur me mirënjohje dhe respekt në kujtesa e ndërgjegje gjeneratash të qindra nxënësve… Ata, ( ne nxënësit e tu) erdhëm dhe u rritëm, nga lagjet e qytetit dhe qytetet e Shqipërisë, falë kontributit dhe punës suaj mësimdhënëse.
E për këtë arsye, kaq imponuese e dritë-gjurmëlënëse, pse mos të kemi nderin ta skalisim emrin tënd në një shkollë të pambyllshme të qytetit?! Do ta bëjmë!
Lamtumirë, Mësuesi im i Popullit, Tajar Kokalari! Në vendin që tashmë e le mbi dhe, duke u fshehur nën dhe, po shoh dhe ndiej kaq shumë sot, se sa të dritësishëm e ke emrin tënd!
Me një pikëllimë të natyrshme, po shquaj se sa mirë e realizove misionin tënd si Njeri mendje e shpirt bukur, në këtë Gjirokastër e për krejt këtë vend!
Faleminderit me përulësi, nxënësi yt, Sandri!