Nga Enver Robelli-
Më 17 qershor 1951 një motoskaf i vogël çau detin nga një plazh i Stambollit, pastaj gazeta “Hürriyet” njoftoi lexuesit dhe lexueset se ambasadori bullgar e kishte kidnapuar Nazim Hikmetin. Kjo nuk ishte e vërtetë. Ishte Luftë e Ftohtë. Nazim Hikmeti, poeti i madh turk, ia ktheu shpinën atdheut, ngaqë s’kishte shtegdalje tjetër.
Ai e revolucionarizoi lirikën turke duke e shkëputur nga tradita e divanit. Në poezitë e tij ai kërkoi më shumë liri – për vete dhe për bashkëkombësit e tij. Kjo s’i pëlqente pushtetarëve të asaj kohe. Hikmeti i kaloi 16 vjet në burgjet turke. Kur doli nga qelia, mori një letërthirrje për të kryer shërbimin ushtarak. Frikësohej se nuk do të kthehej i gjallë nga bota e zymtë e kazermave.
Në detin e hapur Hikmeti u ngjit nga motoskafi, të cilin e drejtonte dhëndri i tij, në një anije pasagjerësh. Dhe shkoi në Moskë. Aty vdiq më 1963. Më 2002, në 100-vjetorin e lindjes, jo vetëm në Turqi u shënua jeta e vepra e poetit të madh. Madje edhe UNESCO e shpalli atë vit – vit të Nazim Hikmetit, i cili u lind më 1902 në një paralagje të Prishtinës: në Selanik. (Që nga heqja e vizave për vendet e Schengenit, Selaniku mund të quhet paralagje e Prishtinës. Ose e kundërta).
Por më 2002 Turqia zyrtare nuk ishte e gatshme t’ia kthejë shtetësinë birit të saj të famshëm. Në parlament dhe qeveri protestuan nacionalistët, kryeministri socialdemokrat Bylent Exhevit u dorëzua. “Të jetosh si një pemë, i vetmuar dhe i lirë, dhe vëllazërisht si një pyll, kjo është dëshira jonë”. Nuk ka turk që nuk e ka lexuar, shkruar apo recituar këtë varg të Nazim Hikmetit. Më 2009, më në fund, qeveria turke vendosi t’ia kthejë shtetësinë ashikut të madh, këngëtarit të lirisë dhe dashurisë.