Facebook dhe mediat e tjera sociale: Problemet janë më të thella se sa duken

7 Minuta Lexim

Drejtuesi i Meta-s, Mark Zuckerberg, është përballur me shumë kritika që kur njoftoi javën e kaluar se kompania e tij do të hiqte dorë nga procesi i verifikimit të fakteve dhe do të kufizonte moderimin e përmbajtjes në platformat e saj. Këto kritika janë të kuptueshme, duke pasur parasysh pasigurinë mbi mënyrën se si rregullat e reja të Meta-s do të trajtojnë keqinformimin dhe materialet e tjera të dëmshme.

Megjithatë, duhet mbajtur mend se strategjitë e moderimit të përmbajtjes së kompanisë – dhe ato të pothuajse të gjitha platformave të tjera të mediave sociale – nuk kanë funksionuar siç është pritur. Siç vuri në dukje Zuckerberg në një video rreth ndryshimeve, sistemet e automatizuara të Meta-s për moderimin shpesh kanë gabuar. Edhe kur identifikonin saktë “keqinformimin” – një term i paqartë dhe shumë më i vështirë për t’u përcaktuar sesa mendohet – ato kishin vështirësi për ta hequr, duke marrë parasysh volumin dhe këmbënguljen e aktorëve “të ligj”.

Në çdo rast, problemet që mediat sociale krijojnë për përdoruesit e tyre janë shumë më të thella sesa moderimi i përmbajtjes. Shqetësimet më të mëdha lidhen me mënyrën se si platformat e shpërndajnë përmbajtjen. Kompanitë e teknologjisë duhet të ndihmojnë për të adresuar këto shqetësime duke bërë shumë më tepër për të zbuluar algoritmet e tyre për publikun, duke lejuar një shqyrtim më të madh të funksionimit të tyre.

Kompanitë gjithashtu duhet të sigurojnë qasje në të dhënat e tyre, në mënyrë që studiuesit dhe politikëbërësit të mund të analizojnë ndikimin që rrjetet sociale kanë mbi përdoruesit dhe mbi vetë shoqërinë.

Nevoja për një transparencë të tillë është bërë edhe më e dukshme pas njoftimit të Zuckerberg-ut. Në vend që të përdorë verifikues të jashtëm për të përcaktuar saktësinë e përmbajtjes, ai tha se Meta do të adoptojë një sistem të ngjashëm me funksionin e Community Notes të platformës X, që e bazon verifikimin tek përdoruesit, për të hedhur poshtë pretendimet e rreme. Ndërkohë, kompania do të zbutë filtrat e saj të përmbajtjes për të prioritizuar shqyrtimin e shkeljeve “të paligjshme dhe me rrezik të lartë”, si terrorizmi, shfrytëzimi seksual i fëmijëve dhe mashtrimi.

Mbetet për t’u parë se sa efektiv do të jetë sistemi Community Notes në luftën kundër keqinformimit. Ideja ka potencial, por X (dikur i njohur si Twitter) ka patur rezultate të përziera me këtë model. Disa kritikë thonë se ka vështirësi në përballimin e fluksit të pretendimeve të rreme. Po ashtu, është e paqartë se si algoritmet e Meta-s do të promovojnë përmbajtjen që më parë do të ishte fshirë. A do të lejojnë që materiale, për shembull, abuzive ndaj grupeve të caktuara, të përhapen pa pengesa? A do të ulet prioriteti për përmbajtjen që shënohet si e pasaktë?

Përgjigjet për këto pyetje do të kenë pasoja reale. Shumë studime kanë treguar se përdorimi i shpeshtë i mediave sociale mes adoleshentëve shoqërohet me një ekspozim më të madh ndaj ngacmimeve kibernetike dhe, si pasojë, me mendime më të shpeshta për vetëvrasje. Lejimi i shqyrtimit publik të algoritmeve të Meta-s do të ndihmonte të sigurohej që kompania e merr seriozisht çdo dëm të mundshëm nga përmbajtja e saj.

Ka shumë prova që tregojnë se platformat e mediave sociale krijojnë dhoma jehonash (echo rooms) që forcojnë më tej ato çfarë përdoruesit i besojnë tashmë. Studime të brendshme të kryera nga vetë Facebook dhe të zbuluara nga sinjalizuesja Frances Haugen në vitin 2021, për shembull, sugjerojnë se, pavarësisht përpjekjeve të kompanisë për të hequr përmbajtjen kundër vaksinave, keqinformimi për vaksinat e koronavirusit u përhap në platformë.

Studime të tilla tregojnë se sa shumë njohuri mund të merren nga të dhënat që platformat online mbledhin. Në duart e duhura, këto të dhëna mund të ndihmojnë shoqërinë të identifikojë dhe të përballojë efektet anësore të përdorimit të mediave sociale. Imagjinoni, për shembull, nëse studiuesit e shëndetit publik do të mund të analizojnë se si njerëzit skeptikë ndaj vaksinave konsumojnë informacion dhe cilat mesazhe gjejnë më shumë jehonë tek ata. Ata mund të zhvillojnë strategji më të mira për të adresuar skepticizmin ndaj vaksinave, duke luftuar kështu më efektivisht keqinformimin sesa moderimi i përmbajtjes.

Disa vite më parë, një grup ligjvënësish dypartiakë në Kongres propozoi një legjislacion që do t’i detyronte platformat të ndanin të dhënat e tyre me studiues të lidhur me universitete, ndërsa do të hartoheshin standarde për privatësinë dhe sigurinë kibernetike.

Një ide e tillë duhet të rishikohet. Ligjvënësit duhet gjithashtu të shqyrtojnë kërkesën që kompanitë e mediave sociale të jenë më transparente për sa u përket algoritmeve të tyre.

Përvoja ka treguar se kompanitë e mediave sociale nuk mund të eliminojnë të gjithë përmbajtjen e dëmshme nga platformat e tyre. Kjo nuk do të thotë se përpjekjet e tyre kanë qenë të kota, por se, edhe me investime prej miliona dollarësh, ekziston një kufi për atë që mund të bëhet.

Nëse Meta dhe kompani të tjera të mediave sociale dëshirojnë të rindërtojnë besimin me përdoruesit e tyre, hapja është thelbësore. Edhe pse është bërë më pak e zakonshme të pranohet e mira që mund të sjellin mediat sociale, dikur kishte shumë optimizëm se ato do të përmirësonin shoqërinë. Me një transparencë që arrin deri te themeli i këtyre platformave, ky potencial mund të ekzistojë ende. / bota.al

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull