Mediat greke janë duke “vluar” e duke nisur polemik për ishullin e Sazanit. Përmes një artikulli media prestigjoze greke “Protothema” ka nxjerrë një për një, tokat që sipas tyre grekët “zemërgjerë” ua kanë falur vendeve fqinje.
Mes këtyre vendeve sipas tyre qëndron dhe Ishulli i Sazanit. Kjo media shkruan se ishulli i përkiste grekëve se dhe në maj të vitit 1914 iu fal shqiptarëve. Aso kohe në këtë ishull mbetën 25 familje greke të cilët më pas thonë se u vranë nga “bandat shqiptare”.
Por, vite më vonë, pikërisht në 1929, ish-kryeministri i Greqisë Eleftherios Venizelos i penduar kërkoi rikthimin e Sazanit, por kjo gjë nuk ndodhi.
Specifikisht në artikullin e “Protothemës” shkruhet: “Në Athinë më 5 maj 1914! Këshilli i Ministrave: Eleftherios Venizelos. Anëtarët: G. Drejt, A. Diomedis, K. Raktivan, K. Demertzis, Emm. Repulis, A. Michalakopoulos, G. Tsirimokos.
Ky projektligj u miratua më 9/5/1914, i ratifikuar me nr. 279, ligji më 6.5.1914, më 6.7.1914 u botua në nr. 151 Fletorja Zyrtare dhe më 6/10/1914 u njoftua ambasadave të Fuqive të Mëdha. Më 2 korrik 1914, 25 ushtarë grekë, me në krye Epilochia, dhe 8 marinarë grekë, me kapitenin e tyre, u larguan nga Sazani. Në Sazan, mbetën 25 familje varinj grekë vllehë, të cilët kur u larguan ushtarët grekë, duke qarë puthnin flamurin greg dhe iu luteshin ushtarëve dhe marinarëve që të mos i braktisnin…Fatkeqësisht, këta grekë fatkeq u vranë mizorisht nga bandat shqiptare më 16/7/1914, kur kaloi edhe ishulli në Administratën shqiptare. Rëndësia strategjike e Sazanit u bë e dukshme në vitet në vijim.
Venizelos u pendua për lëshimin e Sazanit dhe Vorio Epirit dhe në vitin 1929 u kërkoi Fuqive të Mëdha t’ia jepnin Greqisë, gjë që natyrisht nuk ndodhi. Për sa i përket shtetit artificial shqiptar, por nuk mendoj se ky, sipas mënyrës, krijimi artificial do të ketë jetë të gjatë. Shqipëria nuk ka qenë kurrë një komb dhe atje ka shumë përçarje dhe elementë konkurrues për të shpresuar që të krijohet një shtet i qëndrueshëm. Shqiptarët u thonë vizitorëve në ishull se ata luftuar fort për të pushtuar Sazanin. Natyrisht, Sazani, ashtu si pjesa tjetër e territoreve shqiptare, u përcaktua nga Fuqitë e Mëdha në harta dhe shqiptarët nuk luftuan kurrë për pavarësinë e tyre….
Vetëm sot lexojmë se shqiptarët po i japin “ryshfet” Donald Trumpit duke lejuar dhëndrin e tij, Jared Kushner për të “ndërtuar një hotel me pesë yje” në Sazan”, thuhet në shkrimin e Protothemës.
Si duket interesi i Kushner për të investuar në Shqipëri, pikërisht në Ishullin e Sazanit ka sjellë dhe këtë reagim të grekëve. Kujtojmë se në dhjetor të vitit që lamë pas projekti i dhëndrit të Donald Trump, Jared Kushner, për resortin turistik në Ishullin e Sazanit mori “dritën jeshile” nga Komiteti i Investimeve Strategjike
Në vendimin e Komiteti i Investimeve Strategjike thuhej se statusi është i kushtëzuar me realizimin e detyrave, planit të veprimit të parashikuar në këtë vendim, si dhe me finalizimin e marrëveshjes së bashkëpunimit midis palëve, të vlefshme miratuar me ligj të veçantë në Kuvend sipas parashikimeve ligjore të zbatueshme.
Ky status iu dha projektit të investimit “Resorti Turistik-Ishulli i Sazanit” për një periudhë 10-vjeçare, kohë e cila do t’i shërbejë projektit strategjik për përfitimin e procedurave me prioritet dhe brenda afateve të përshpejtuara, në përputhje me legjislacionin për investimet strategjike, si dhe plotësimin e detyrave dhe planit të veprimit të parashikuar në këtë vendim.
Në vendimin e publikuar evidentohej dhe forma e pjesëmarrjes së shtetit në këtë investim e cila do të realizohet nëpërmjet krijimit të një entiteti juridik të përbashkët të përbërë nga Korporata e Investimeve Shqiptare (AIC), Albanian Seaports Development Company sh.a (ASDC), në cilësinë e palës shtet, dhe subjektit investues Atlantic Incubation Partners LLC, shoqëri e të drejtës amerikane.
Komiteti i Investimeve Strategjike, me propozim të Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA),vlerësoi se ky projekt është në përputhje të ligjit të shtetit shqiptar. Vlera e investimit të projektit turistik “Resorti Turistik – Ishulli i Sazanit” i plotëson kriteret e parashikuara nga legjislacioni për investimet strategjike dhe parashikohet të jetë 1.4 miliardë euro dhe se përgjatë fazës së realizimit të investimit dhe operimit, numri i personave të punësuar parashikohet të jetë 1,000 persona.
Projekti i investimit synohet të zhvillohet në ishullin e Sazanit, Bashkia Vlorë, i cili ka një sipërfaqe totale prej 562 ha dhe me një sipërfaqe ndërtimi prej 45 ha dhe do të ndahet në Faza 1, Faza 2 dhe Faza 3, sipas masterplanit. Konkretisht parashikohet ndërtimi i strukturave akomoduese turistike të brandeve ndërkombëtare, njësive rezidenciale, zonave gastronomike brenda një sipërfaqeje prej 45 ha. Sipas vendimit të Komitetit të Investimeve Strategjike projekti i investimit synon gjithashtu në përmirësimin dhe riparimin e marinës aktuale duke përfshirë zgjerimin e hapësirës së dokimit, përmirësimin e vendndodhjes së molit të tragetit dhe ankorimin e trageteve të Ishullit të Sazanit.(LEXO VENDIMIN)
Sakaq, në mars të vitit të kaluar, kur bëri publike idenë e tij për projektin e Sazanit, Kushner shpjegoi se ajo kishte lindur duke hulumtuar me miqtë e tij Richard Grenell, i cili shërbeu si ambasador i SHBA në Gjermani gjatë administratës Trump, dhe Asher Abehsera, partner i tij biznesi, dhe si ai u tërhoq nga një nga zonat turistike me rritje më të shpejtë në botë.
Teksa më pas ai publikoi dhe disa pamje se si do të duken resortet në Sazan.
“Të emocionuar për të ndarë disa imazhe të hershme të projektimit për projektet e zhvillimit që kemi krijuar për bregdetin shqiptar dhe qendrën e Beogradit”, shkruante Jared Kushner krah fotove.
Autoritetet shqiptare e mirëpritën në atë kohë këtë projekt të Kushner. Kryeministri Rama tha se kjo ishte një ofertë fantastike, e cila sipas tij do e kthente ishullin e Sazanit në “një xhevahir të kurorës së artë të turizmit në Mesdhe”.
)