Sa vlen tregu i kanabisit mjekësor?

5 Minuta Lexim

Shumë herë është trajtuar tema mbi legalizimin e kanabisit në Shqipëri për përdorim mjeksor dhe ka patur reagime të shumta mbi këtë vendim. Qeveria shqiptare ka miratuar ligje dhe rregullore për të lejuar kultivimin dhe përdorimin e kanabisit për qëllime mjekësore dhe industriale.

Vlen të përmendim këtu Ligjin Nr. 61/2023 për Kontrollin e Kultivimit dhe Përpunimit të Bimës së Kanabisit dhe Prodhimit të Nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore dhe Industriale. Sipas ekpertëve, debati më i madh qëndron te pasojat sociale apo edhe pasojat në nivelin e aktivitetit kriminal që mund të ketë ky aktivitet, duke i`u referuar përvojave e shteteve të tjera.

Pak ditë më parë qeveria ka mairatuar kriteret për zonat dhe parcelat ku do të kultivohet kanabisi mjekësor. Në vendim thuhet se duhet një mjedis kultivues dhe i mbuluar, i cili krijon kushte të favorshme për rritjen e bimëve dhe se parcelat e tokës nuk mund të shtrihen brenda kufirit të zonave të mbrojtura e të zonave me përparësi zhvillimin e turizmit, të pyjeve, kullotave dhe livadheve, ushtarake.

Nisur nga kjo, “Scan Intel” ka kryer një analizë të detajuar për të parë se si ndryshon ligjshmëria e kanabisit për përdorim mjekësor sipas vendeve dhe sa vlen tregu i kanabisit mjeksor. Të dhënat tregojnë se përdorimi i kanabisit është i ndaluar në shumicën e vendeve, por ka konsiderushëm shtete të cilat kanë miratuar politika të cilat e lejojnë atë për qëllime rekreative apo për qëllime mjekësore.

“Scan Intel” i ka përpunuar të dhënat duke i ndarë ato në dy grupe, pra në vende të cilat e kanë të ligjshme përdorimin e kanabisit dhe në vende të cilat e kanë të ndaluar. Theksojmë se te vendet të cilat e kanë të ligjshëm kanabisin mjekësor përfshihen edhe ato vende që kanë ligje më kufizuese, duke lejuar vetëm përdorimin e disa farmaceutikëve me prejardhje kanabisi. Nëse do të analizojmë vendet e rajonit, i vetmi vend e cili ka të legalizuar kanabisin është Maqedonia e Veriut, e cila ka dhënë aprovimin për legalizimin e marijuanës mjekësore që në vitin 2016-të. Serbia, Mali i Zi, Bosnje Hercegovina dhe Kosova e kanë të ndaluar përdorimin e kanabisit si për qëllime mjekësore ashtu edhe për qëllime rekreative.

Sa i përket shteteve të Europës, format e kanabisit mjekësor, ose medikamenteve me bazë kanabisi janë të ligjshme në 22 vende, me 11 vende të tjera që kanë dekriminalizuar përdorimin rekreativ të sasive personale të kanabisit dhe 3 vende kanë legalizuar kanabisin për përdorim rekreativ.

Vendet që kanë legalizuar përdorimin rekreativ të kanabisit janë Kanadaja, Kili, Gjeorgjia, Gjermania, Luksemburgu, Malta, Meksika, Afrika e Jugut Tajlanda, Uruguai, Distrikti i Kolumbisë në Shtetet e Bashkuara dhe Territori i kryeqytetit Australian. Shitjet komerciale të kanabisit rekreativ janë legalizuar në mbarë vendin në tre shtete (Kanada, Tajlandë dhe Uruguai) dhe në të gjitha juridiksionet nënkombëtare të SHBA-së që kanë legalizuar posedimin, përveç Uashingtonit. Në nivel federal, kanabisi konsiderohet ende një substancë e paligjshme në Shtetet e Bashkuara. Thënë kështu, shtetet individuale kanë të drejtë të përcaktojnë ligjet e tyre rreth shitjes dhe përdorimit të kanabisit. Pra, aktualisht, kanabisi lejohet në 24 shtete, 3 territore dhe në Distriktin e Kolumbisë.

Zonat që kanë legalizuar përdorimin mjekësor të kanabisit përfshijnë vende si Argjentina, Australia, Barbados, Brazili, Kanadaja, Kili, Kolumbia, Kosta Rika, Kroacia, Qipro, Republika Çeke, Danimarka, Ekuadori, Finlanda, Gjeorgjia, Gjermania, Greqia, Irlanda, Izraeli, Italia, Xhamajka, Libani, Lituani, Luksemburgu, Malavi, Malta, Meksika, Holanda, Zelanda e Re,  Maqedonia e Veriut, Norvegjia, Panamaja, Peruja, Polonia, Portugalia, Ruanda, San Marino, Afrika e Jugut, Sri Lanka, Zvicra , Tajlanda, Uganda, Mbretëria e Bashkuar, Uruguai, Vanuatu, Zambia, dhe Zimbabve . Të tjerët kanë ligje më kufizuese që lejojnë vetëm përdorimin e disa farmaceutikëve që rrjedhin nga kanabisi.

Nga aspekti ekonomik, sipas të dhënave nga “Cannabis Business Plan”, tregu i kanabisit të ligjshëm në mbarë botën pritet të arrijnë në mbi 50 miliardë dollarë deri në vitin 2027.

Raportet e përgatitura nga grupi këshillues me bazë në Londër “Prohibition Partners” e vlerësojnë tregun ligjor europian të kanabisit në 354 milionë euro në vitit 2022 dhe 516 milionë euro në 2023. Shitjet totale të kanabisit parashikohen të rriten me 45% për të arritur në 2.1 miliardë euro deri në vitin 2027 në Europë.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull