Kryeministri Edi Rama po merr pjesë sot në Konferencën Jubilare të 95-vjetorit të vendosjes së Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve në Shqipëri, ku ka theksuar rolin e bektashizmit në shoqërinë shqiptare.
Ai ka vlerësuar kontributin e tyre në formimin e identitetit kombëtar shqiptar, në promovimin e gjuhës shqipe dhe në bashkëpunimin ndërfetar.
”Nuk mund të më akuzojë njeri që po bëj diçka në favor të një pale, bektashinjtë nuk janë palë rruga e mundimshme e bektashinjve shqiptarë është unikale, toleranca dhe uniteti që mishërohet një fjalët e poetit tonë kombëtar, nuk mundem në mes tyre por edhe në gjithë njerëzinë bektashinjtë janë vëllezër në shpirt.
Ka ndikuar në identitetin kombëtar, mësimin e gjuhës shqipe, jo në mënyrë ekskluzive por krah për krah me Komunitetin Mysliman dhe përfaqësues legjendarë të komunitetit ortodoks apo katolik.
Nuk është sekt fetar, por dritë udhëzuese që shkon përtej kufijve të besimit, duke ofruar një mesazh dashurie, dhembshurie dhe largpamësie, bektashizmi ka edhe atdheadashurinë”, tha Rama.
Me thirrjen për të mos i lënë të shuhen, kryeministri qartësoi edhe raportin e këtij shteti të ri brenda shtetit shqiptar.
“Historia e bektashinjve është në vetvete thirrja imponuese për t’i dhënë selisë së Kryegjyshatës Botërore, përmes një statusi të ngjashëm me atë të Vatikanit, fuqinë e një embleme e cila nuk do të përçajë askënd, e cila nuk do të kërcënojë askënd, e cila nuk do të vërë në diskutim sovranitetin territorial, integritetin territorial të Republikës së Shqipërisë, se çfarë nuk dëgjon njeriu nga shqipet dhe shqipot kur i shkon mendja të bëjnë ndonjë gjë të re apo të bëjnë ndonjë punë që të tjerët nuk e kanë bërë. Jo.“
Kreu i qeverisë për të gjithë kritikët pati një përgjigje kur tha se askush nuk duhet të trembet nga shteti bektashi.
Rama vlerësoi rolin e bektashinjve në historinë e Shqipërisë ndërsa tha se janë një testament kombëtar që duhen mbrojtur, duke theksuar se nuk erdhën këtu me ushtarë, por me zemër e dashuri.
”Kryegjyshata Botërore e Bektashinjve mund të transformohet në një realitet shqiptar ndërkombëtarisht tërheqës ku njerëzit e çdo feje dhe kombësie, ndër plot nga ata që vijnë dhe do vijnë gjithmonë e më shumë në Shqipëri të mund të hyjnë në portën e hapur të një shteti simbolik, pa mure, pa polici, pa ushtri, pa taksa apo atribute të tjera por një seli, një shtet shpirtëror që e pret çdo vizitor me devizën “Ne nuk jemi këtu për të ndarë, ne jemi këtu për të bashkuar” dhe natyrisht, kjo patjetër që do t’i japë edhe këtij komuniteti mundësinë të mbijetojë sepse patjetër që do t’i shtohen ndjekësit, patjetër që do t’i shtohen simpatizantët, patjetër do të gjendjen njerëzit, grupet, entet që nuk do t’i lënë pa pasardhës këta baballarë këtu, nuk do t’i lënë pa frymë bektashizmi teqetë, nuk do t’i lënë zona të tëra të Shqipërisë të shikoni hartën këtu sesi kanë qenë të shpërndara dhe sesi janë sakatuar nga lloj lloj duarsh dhe jo vetëm nga komunistët që të jemi të qartë dhe jo vetëm nga brenda por dhe nga jashtë.”