Kryepeshkopi i Shqipërisë, Anastas Janullatos, do të nderohet në Tiranë të enjten, më 30 janar, me një kortezh mortor, ku pritet të marrin pjesë Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, dhe Kryepeshkopi i Athinës, Hieronymos. Ky akt nderimi vjen pas vdekjes së Kryepeshkopit Janullatos, një figurë e shquar e Ortodoksisë dhe një nga liderët më të rëndësishëm të kishës ortodokse në Shqipëri.
Gjatë një takimi që zhvilloi me Kryepeshkopin Hieronymos në Pallatin Maximos, Kryeministri Mitsotakis ka theksuar rëndësinë e veprës dhe kontributit të Kryepeshkopit Anastasios për kishën ortodokse, duke nënvizuar se ai kishte rindërtuar një kishë të shkatërruar në Shqipëri dhe ishte një figurë e veçantë që kujdesej për popullin e tij. “Jemi të prekur të gjithë nga humbja e Kryepeshkopit të Shqipërisë. Ai ishte një hierark i madh dhe një njeri i jashtëzakonshëm, që ka realizuar një vepër të jashtëzakonshme në Shqipëri. Do të jem pjesë e kortezhit mortor në Tiranë për ta nderuar ashtu siç e meriton,” tha Kryeministri Mitsotakis.
Nga ana e tij, Kryepeshkopi Hieronymos, i cili kishte njohur personalisht Kryepeshkopin Anastasios që në vitet e para të jetës së tij, e vlerësoi atë si një njeri të Zotit dhe një prijës të paharrueshëm për kishën ortodokse shqiptare.
“Ka qenë një njeri i veçantë. Kam pasur fatin ta njoh dhe të kaloj shumë momente me të. Zoti e pushoftë,” tha ai, duke falenderuar të gjithë ata që janë bashkuar në këtë moment hidhërimi dhe respekti për Kryepeshkopin e ndjerë.
Kryeministri Mitsotakis gjithashtu kishte vizituar Kryepeshkopin Anastasios gjatë qëndrimit të tij në spitalin “Evangelismos” nga 3 janari deri më 25 janar, për të shprehur mbështetje dhe për të nderuar shërbimin e tij të jashtëzakonshëm për kishën dhe popullin shqiptar.