Nga Aleksander Çipa-
Dua të eci vetëm pas kulturës. Të hiqem zvarrë pas saj dhe të bashkëhedh hapa me atë. Duke e ditur se vetëm kështu, fitoj rritjen time dhe të atdheut tim.
Eshtë e fisme, të mbetem në çdo hap të jetës, si një ushtare e zellshme për shtimin dhe pasurimin dhe, sidomos për trashëgimin e saj, pra të kulturës….-
Ka një pasazh të tillë epitaforik në jetën e një shqiptareje të ditur dhe të emancipuar, me famë dhe ndikim në rang europian që njihet me emrin Elena Gjika.
Liria dhe kultura kanë, në çaste të pakta, hap të njëjtë dhe përsëritshëm të ndryshëm.
E para para, dhe e dyta pas!.
Virgjili la si kumt se përherë Liria ecën para dhe Kultura vjen pas…
Por liria pa kulturën është fryma që nuk mban gjallë organizmin.
Një shoqëri që vret vijueshmërisht kujdesin dhe shëndetin e vet kulturor, gjymton lirinë dhe organizmin e vet funksional, jo vetëm për një kohë, por sidomos për kohët pasuese dhe kryesisht për të ardhmen.
Shoqëria jonë e sotme ka kryer një masakër mbi ndërgjegjen dhe sjelljen kulturore, mbi kulturën dhe patjetër, mbi mundësitë funksionale të lirisë sonë.
Kemi shumështuar e mbivendosur prova se përdhosja e lirisë nuk ka asnjë vlerë për investimin e sotëm kulturor.
Në të nesërmen e afërt do të shohim, se sa përmes mundësisë sonë për keqpërdorje të lirisë, e kemi gjymtuar, varfëruar dhe bërë më të zhveftësuar kulturën.
Në një shoqëri të kombit të vogël demografikisht, elegjia e gjymtymit të kulturës dhe vlerave etnokulturore, nuk mjafton për të rizgjuar një ndjenjë dhimbjeje dhe ndryshimi.
Nuk mjafton për të trashëguar një akt që bën ndryshimin.
Në një popull të vogël kur vritet brendia e lirisë, është bërë natyrë gjymtimi dhe mohimi i kulturës.
Mushkërisë së kulturës sonë kombëtare i kanë hequr dhe vijojnë t’i ndërpresin qëllimisht, raportet dhe lidhjen mes së shkëlqyerës së saj të djeshme dhe së cilësishmes së sotme europianiste.
Mjaftojnë disa përcjellje në amëshim, të të shquarve tanë në letërsi e kulturë, për të nënkuptuar se sa sadistë të lirisë jemi, se sa jashtëneshë të qytetarisë europiane shfaqemi!
Mjafton të kujtoj, se si e septikizuam fjalën publike për të magjishmin Kadare dhe të ndihem keq si bashkëkohës i tij që nuk respektojmë as kodin e vdekjes.
Kjo ndodhi në kohë të triumfit kulturor dhe artistik të një talenti të përbotshëm, të cilin e shpalli dhe e pati, një atdhe dhe popull i vogël, gjatë një epoke pa liri si e të tjerëve !!!
Një shoqëri që përdhos në ditën e vdekjes të famshmit e vet, ka humbur busullën mes kulturës së vetes dhe asaj që meriton të jetë përhershmërisht referencë dhe sistem, të cilit duhet dhe ka trashëgiminë për t’i përkitur, si në të shkuarën dhe në të ardhmen.
Në foto: Virtuozi i violinës Hethem Qerimi….