TAKIMET E MIA ME IBRAHIM RUGOVËN

17 Minuta Lexim
Nga Sadik Bejko-
1.
Ka qenë data 4 dhjetor 1993 kur jam ndeshur ballë për ballë dhe kam folur për herë të parë me Ibrahim Rugovën.
Ka ndodhur në një pushim midis seancave të Kuvendit të Dytë Kombëtar të Partisë Demokratike, Tiranë 4-5 dhjetor 1993. I ftuar në atë Kuvend, Rugova ishte ulur në një nga llozhat në katin e dytë të sallës së teatrit të Operas ku po mbahej Kuvendi.
Jemi takuar fare rastësisht te dyert e sallës. Nuk njiheshim personalisht. U zmbrapsa që t’i hapja rrugën. Rugova më foli me emër. Më tha: “E ndoqa fjalën tënde të sotme në Kuvend dhe më pëlqeu”. I dhashë dorën jo pak i befasuar.
Një kënaqësi e rrallë të flisje me Rugovën. Të flisje jo si me një të andej matanë kufirit, të matanë botës, po me një figurë të kësaj toke, të realitetit tonë të gjallë. Ne shqiparët e ndarë prej kufinjve, më së fundi, mund të flisnim si njerëz, të takonim duart me njëri-tjetrin. Përfytyrim ynë mbi Kosovën, mbi historinë e saj, mbi klasën e intelektualëve dhe të figurave të saj politike i ngjante një mjegulimi naiv dhe gati idiotesk. Gruaja ime kur takoi për herë të parë vajzat shqiptare të një marketi në Strugë, si me habi u tha: “sa mirë e flisni shqipen”. Kjo që tha, ishte më tepër se një lajthitje. Pleq nga Shqipëria, kur dëgjonin që një këngëtare nga Kosova e këndonte bukur “Turtulleshën”, përloteshin e thoshin: vëllezërit tanë i këndokan, s’i paskan harruar këngët tona.
Pas përshëndetjes, nxitova që t’i shpreh Rugovës vlerësimin tim për librin e tij mbi Pjetër Bogdanin. Si pedagog i letërsisë në Universiteti Eqrem Çabej Gjirokastër, i kisha kushtuar atij libri dy seanca seminaresh me studentët e mi. Botimi i këtij libri në Shqipëri ishte ngjarje. Në Shqipërinë, që e kishte shpallur veten si vendi i vetëm ateist në botë, shiheshin me përçmim Letërsia e vjetër shqipe dhe autorët e saj. Për motivet fetare në përmbajtjen e saj dhe, nga që autorët e kësaj Letërsie kishin qenë klerikë, Letërsia e vjetër shqipe ishte hequr nga programet shkollore dhe ato universitare.
Libri i parë studimor mbi Bogdanin dhe librin e tij “Çeta e profetëve” botuar tek ne, ishte studimi i Ibrahim Rugovës. Rugova më tha se më kishte lexuar dhe si poet, më tha se i vinte mirë që e kishim pëlqyer librin e tij mbi Bogdanin. Më tha se librin e kishte shkruar në 5-6 muaj, në një kohë kur Prishtina kishte qenë në izolim e paralizë, ngaqë policia serbe ushtronte dhunë e kontroll të pandërprerë.
Flisnim spontanist dhe në ecje e sipër. I recitova një strofë nga libri i Bogdanit: Duel gurit bukuria\ zana si nji sutë e naltë\ që s’kish mbrenda Veneqia\të Pashtrikut muer maltë (Luka Bogdani).
E kuptoi se nuk po i bëja një komplimet të rastësishëm për librin, kuptoi që e njihja dhe e çmoja si vepër studimore librin e tij.
Më tha prapë se fjala që sapo kisha mbajtur në Kuvendin politik të PD, i kishte pëlqyer.
Doja ta vazhdonim bisedën, por ai nxitonte për diku dhe u ndamë.
Gjatë darkës në atë mbrëmje, darkë ku merrnin pjesë dhe disa deputetë, kolegë të mi, kishte shprehur mendimin se fjala ime në Kuvend ishte me mendim. Dikush e kishte kundërshtuar, i kishte thënë se Bejkoja është thjesht letrar, nuk ka mendim politik.
Miqtë e mi që ishin të pranishëm në atë darkë, më thanë se Rugova shkurt e prerë kishte përsëritur mendimin e tij se e vlerësonte problematikën e fjalës sime.
Atëherë nuk e dija se mund të përfliteshe për një fjalim politik jashtë rutinës. Nuk e dija se krerët e politikës nuk duan autoritet tjetër veç vetes. Se pushteti është kundër individualitetit.
E mbajta në mend bisedën me Rugovën. Sado e shkurtër, ishte nga ato që të kanë dhënë mirëkuptim, simpati, pëlqim mendimesh. Biseda të tilla premtojnë vazhdimin, njohjen e mëtejshme me atë që sapo u takove.
Por nuk pati më takime të tjera vetëm për vetëm midis nesh.
Nga fundi i vitit 1995 u takuam në një darkë ku ishin dhe disa anëtarë të tjerë të Kuvendit të Shqipërisë. Ishim të ftuar nga Rugova, Presidenti i Kosovës në një nga sallat e shtëpisë së Enver Hoxhës. Darkë dhe bisedë që zgjati gati dy orë. Isha i ftuar nga një njeri i çmuar dhe i rëndësishëm për mua. Ndodhi të jem i ulur përballë tij në qendër të tryezës së gjatë të darkës.
2.
Para se të flas për këtë darkë, dua të bëj një parantezë.
Duke qenë larg prej Tiranës, nuk isha takuar me shkrimtarë a studiues të Kosovës që pas vitit 1972 filluan të vijnë në Tiranë.
Në rrethe shkrimtarësh të Tiranës, në mënyrë gjysmëzyrtare na thuhej se poezia që shkruhej në Kosovë ishte imitim banal i modernizmit. Modernizmi në Shqipëri shpallej si herezi. Letërsia, studimet, përkthimet nga Kosova viheshin në indeks, në një fond të rezervuar të Bibliotekës Kombëtare. Duhej zyrtarisht lejë me shkrim që të merrje libra nga ky fond.
Shumë nga ata autorët e Tiranës që nuk e pëlqenin modernizmin, ndjeheshin shumë të mikluar kur botonin një libër a qoftë një cikël me poezi në shtypin e Prishtinës. “Jam i botuar në Kosovë”, të thoshin.
Nga mesi i viteve 1970 shtëpia botuese ‘Naim Frashëri’ filloi të botojë libra të poetëve, të autorëve të njohur nga Kosova. Të redaktuar e të përzgjedhur, “të qethur”.
Tek ne Rexhep Qosja njihej si shkrimtar dhe studiues me vlerë i letërsisë. Ali Podrimja njihej si rapsodi modern i temave kombëtare, por autor i një poezie me shprehësi e thellësi gjuhe e mendimi. Azem Shkreli, intelektual publik me peshë, poeti i zemërimit të fshehur, i melankolisë dhe i metaforave, i ironisë, ishte më i sofistikuari si poet. Veçse me cilësi të larta letrare, Azem Shkreli, pë ata që vizitonin Kosovën, kishte në të sjellët e përditshëm zgjuarësinë e atij që ecën me këmbët në tokë. Rrahman Dedaj ishte poet i frymëzimeve, i gjetjeve poetike me befasi e freski të fantazisë.
Rugova ishte pak i njohur. Nuk mëtonte në publik heroin, apostullin, a profetin. I mjaftonte profili i tij; ndryshe nga shqiptarët e tjerë që, kur marrin role publike, politike, njëherësh i veshin vetes dhe mantelin e atit shpirtëror e babait të kombit.
Letërsinë e Kosovës dhe përkthimet nga letërsia botërore që prej Prishtinës vinin në Tiranë, ne i lexonim gati si fshehtas. Kush gjente një libër të botuar në Prishtinë, e kalonte dorë më dorë te të tjerët. Kush tëhiqte një libër nga fondi i rezervuar, e shpërndante atë te miqtë e tij.
Studimet e Rexhep Qoses mbi letërsinë e Romantizmit shqiptar i kam marrë nga kopjet rezervat në Tiranë dhe i përfshirja në leksionet e mia në Universitetin e Gjirokastrës. Atëherë pedagogu universitar nuk kishte liri akademike, ndaj për të sjellë studimet e Qoses në auditor te studentët kam marrë leje te Rektori i Universitetit Eqrem Çabej.
Romantizmi i Qoses ishte puna më e mirë studimore për atë periudhë letrare. I qëndron kohës edhe sot Historia e Letërsisë së Romantizmit në tre vëllime e Rexhep Qoses. Nuk e kam kuptuar pse ky Profesor braktisi pasionin e tij më madhor, punën si historian i suksesshëm i letërsisë, për t’iu dhënë detyrimeve të tjera. Po ta kishte shtrirë studimin e historisë së letërsisë edhe në periudhat letrare pas romantizmit, ne sot do të kishim një Histori të Letërsisë Shqipe. Një variant të saj. E humbëm këtë shans.
Rugova hyri në politikë, duke ruajtur profilin e një profesori. Shtatgjatë, jo me ndonjë shkathtësi të dukshme fizike, Ibrahim Rugova të përballej me pamjen e njeriut të mendimit jo të veprimit. Fliste pak. I ngjante një njeriu të rezervuar, të tërhequr. Nuk ia vëreje etjen për protagonizëm.
Misteri te ai ishte i dyfishtë. Ky President pa shtet, pa ushtri, pa para… pritej në disa nga kançeleritë e rëndësishme europiane e deri në Uashington. Ai siguronte simpati dhe arrinte ta ndërkombëtarizonte problemin e Kosovës.
Nuk i dinim marrëdhëniet e tij me bashkëpunëtorët e afërt, as lidhjet me politikën e lartë shqiptare. Ai ishte i ftohtë me shtypin e shkruar, përgjithësisht u rrinte larg mediave në Tiranë.
Tipari tjetër që Rugovën e bënte të mistertë ishte predikimi prej tij i pacifizmit gandist si taktikë e projektit politik të pavarësimit të Kosovës. Kjo ide e mosdhunës i kishte dhënë imazhin e Gandit të Ballkanit. Ballkani gjithmonë ka qenë trualli i udhëheqësve populistë dhe agresivë, i prijësave zemërakë, i diktatorëve të vegjël, gjemba helmues për të tjerët, për fqinjët. Për herë të parë me Rugovën politika në Ballkan po ballafaqohej me një model të pazakontë, me një idhtar të mosdhunës. Qoftë dhe si një sajesë ëndrre, si profil i një prijësi ireal, si rast i izoluar, a si një eksperiment fantast në politikë, imazhi gandist i një udhëheqësi ballkanik mbetej një habi e pëlqyer, e pranuar për rrethet e diplomacisë në botë.
Ngjarjet më pas u rrokullisën në hullinë e tyre, jashtë një projekti gandist. NATO- ja e bombardoi 100 ditë Jugosllavinë e Millosheviçit dhe kjo bëri që sundimi serb të tërhiqej nga Kosova.
3.
Të vij të takimi im i fundit me Rugovën në Tiranë. Me sa mbaj mend ka qenë diku nga fundi i vitit 1995. Azem Hajdari e përgatiti takimin. Ishim rreth 10 deputetë të PD që u ulëm atë mbrëmje në tryezë me Rugovën. Një dëshirë e madhe e jona na nxiste ta njihnim nga afër atë Presidentin që për përfytyrimin tonë më shumë ishte një personazh ëndrre. President që njëherësh ishte real dhe nuk ishte, ashtu si gjithë projekti i tij… President që parlamenti që e shpalli të tillë, nuk mund të mblidhej prapë, President me qendër në Prishtinë, por me qeverinë e tij në mërgim, në Europë. Njeriu që donte të bënte një shtet të ri, një Kosovë të pavarur, me pak miq ndërkombëtarë, pa para, pa armë, pa ushtri … ndaj një Millosheviçi që hapi katër luftra të përgjakshme në Ballkan.
Darkën e kishte përgatitur drejtoria shtetërore e vilave për mysafirët e shtetit.
Rugova ishte në qendër të Tryezës i rrethuar nga tre katër miq të tij nga Kosova. Me kostumin e zakonshëm, me shallin karakteristik, me kokën disi të anuar, herë me fytyrë të padepërtuar, herë me një buzëqeshje pak të madhe, si të montuar mbi buzët e tij.
Nuk kishte tendosje në fizikun e tij. Cigaret Marlboro një e shuante, një e ndizte. Gota e verës së kuqe nuk i ndahej. E hiqte pandalur me gëllënjka të vogla sa dhe bishtat e cigareve dhe cepat e buzëve i merrnin ngjyrën alle të verës.
Fliste në përgjithësi, i rrëshqiste termave konkrete. Më shumë fshihte, se shprehte . Foli me dhembje për hartën e shtetit shqiptar që e kanë prerë mu aty ku fillojnë fushat, i kanë lënë vetëm malet. E kam parë nga aeroplani, thoshte. I kanë prerë Plavën, Gucinë, Ulqinin, Tivarin, i kanë prerë luginën e Pollogut, fushën e Kosovës, kanë prerë ultësirat e bregdetit Çam.
Për rilindasit shqiptarë tha se ata i kanë ditur gjërat më mirë nga ne. E njihnin të dukshmen, sipërfaqen, shtrirjen gjeografike të trojeve shqiptare, por dinin të shihnin dhe në thellësinë e pasurive nëntokësore të kësaj gjeografie. Sipas rilindasve dhe të vetë Rugovës trevat shqiptare ishin nga më të pasurat me minerale të rralla e të çmuara… shumë të begata. Më erdhi ndër mend një varg i Naim Frashërit nga poema Bagëti dhe bujqësi dhe e thashë: “Presipër lulez e gjethez, përbrenda argjend e flori”. Ashtu është, më tha ai me bindje, rilindasit i kanë ditur gjërat.
E kisha përballë. Një njeri që pa u munduar, të bënte për vete, ia arrinte të të bëjë magji. Të bënte të besoje atë që ishte dhe atë që nuk ishte.
U munduam të na thotë diçka më shumë për atë se si do venë punët e Kosovës, por ai e kthente bisedën të udhëtimet e tij, te takimet me presidentë e kryeministra të rëndësishëm të asaj kohe. Takim me K. Miçotaqin në Athinë, me F. Miterranin në Paris…, takime në Berlin dhe në Vatikan. Këto takime ishin dhe diçka tjetër më shumë se shprehje simpatie personale për intelektualin Ibrahim Rugova, për politikanin gandist e paqësor në Ballkan.
Por… e dinim dhe se këto biseda janë pritja e mirë, fjala e mirë protokollare dhe guri në trastë: nuk të premtonin asgjë konkrete. Nuk mund të ishe i lidhur me ata burra shtetesh me ndonjë marrëveshje politike, me ndonjë pakt shtetëror të detyrueshëm. Prapë takimet ishin të mira. Ato ia vlenin për ndërkombëtarizimin e problemit të Kosovës. Nëse kjo nuk ishte mjaftueshëm, prapë për kohën nuk ishte pak. Rugova por prezantonte Kosovën në politikën ndërkombëtare. Kjo ishte si të lëvizësh edhe duke mbetur në vend.
Rugova dhe kur u përcuall përgjithmonë nga kjo botë, kishte mbi varrin e tij përfaqësues nga kanceleritë e rëndësishme europiane. Ai i dha Kosovës kreditet e tij, njohjen si figurë ndërkombëtare edhe në gjalljen, edhe me vdekjen e tij.
Ikëm dhe të kënaqur dhe konfuzë nga ajo darkë me Rugovën, takim në muajt e fundit të vitit 1995.
Nga Rugova morëm imazhin miqësor… ai na kishte pritur, kishte ndarë me ne bukën, kishim biseduar gjatë dhe miqësisht.
Shkurt 2025

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull