Të verbër përballë tektonikave gjeopolitike

3 Minuta Lexim
Nga Çapajev Gjokutaj-
Ndërkohë që bisedimet e paqes u hapën në Arabinë Saudite, Presidenti Trump e bëri të qartë se ditët e izolimit të Rusisë kanë mbaruar. Duket qartë se Trump dëshiron ta ripranojë Rusinë në klubin ndërkombëtar dhe ta bëjë atë një nga miqtë më të mirë të Amerikës.
Gjithçka që lexuat më sipër është shkruar në nr e sotëm të NYT nga Peter Baker, korrespodenti kryesor i kësaj gazete për Shtëpinë e Bardhë dhe njohës i mirë i marrdhënieve ShBA – Rusi.
E di që shumë nga miqtë e mi, duke lexuar këtë postim do thonë: Kush na pyet ne për politikën botërore? Ke gjë për hallet tona?
Politika pajtuese me Putinin, ‘rifutja e tij në klubin ndërkombtar’ dhe synimi për ta berë Rusinë ‘një nga miqtë më të mirë të ShBA-ve’, nëse do bëhen me të vërtetë realitet, prekin rëndshëm edhe fatet e shqiptarëve, të paktën në dy pika nevralgjike: integrimin europian dhe mbijetesën e Kosovës si shtet i pavarur.
Pas agresionit rus në Ukrainë BE-ja u bë shumë më e vemendshme dhe më pozitive për të përshpejtuar procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Llogaria ishte e qartë: Rusia e Putinit po përpiqej të rriste influencën në këtë rajon që konsiderohet oborri i pasëm e Europës. Nëse nuk nxitojmë ne t’i integrojmë Rusia do përpiqet të mbushë boshllëkun.
Tani që Trump po synon afrimin e Rusisë a do vazhdojë Europa të jetë po aq e interesuar për integrimin tonë europian apo do ta zhysë përsëri propcesin në mekanizma burokratikë hiq e mos këput?
Shqetësimi i dytë është edhe më i madh: politikat pajtuese me Kremlinin vetvetiu shkojnë në dobi të Serbisë dhe në dëm të Kosovës. Akoma nuk e dimë nëse në kushtet e reja interesi amerikan për Kosovën dhe faktorin shqiptar në Ballkan do jetë si deri më sot apo do bjerë e do zbehet.
Parë kështu tektonikat gjeopolitike që po shkakton politika e Trump na prekin edhe ne, shqiptarët, madje na prekin në pika ekzistenciale. Është për të ardhur keq që politika si në Tiranë edhe në Prishtinë vazhdon të merret me cicmicet e pushtetit dhe s’po arrin që s’po arrin dot që, duke vazhduar garën e alternativave, të bashkohet në një platformë të përbashkët për çështjet ekzistenciale kombëtare, platformë që do të qendronte mbi partitë e mbi mandtet e qeverisjeve dhe do ishte për sot e për mot.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull