Shëndetësia dhe kriza e saj!

7 Minuta Lexim

Kakofonia  shterpë e retorikës politike të ditës, apo ndjeshmëria shoqërore për jetën private për personazhe “VIP” të artit, etj., etj., duket se  eklipson probleme reale dhe të mprehta të kësaj shoqërie

Njëri prej tyre, që prek këdo, është kriza e sistemit shëndetësor. Ndër të paktët studime që ndodhin në këtë fushë, vjen sa domethënës, aq edhe alarmant, një studim i fundit (QSES,Gëdeshi-King), që bën një skanim të situatës aktuale, lidhur me emigrimin e mjekëve.Qartazi rezulton se:

– Emigrimi i mjekëve është bërë një plagë e pashërueshme e sistemit tonë shëndetësor, me një trend në rritje, ndërkohë që plakja e shpejtë e popullsisë sonë shton gjithnjë e më shumë nevojat për shërbimet shëndetësore.

Tkurrja e personelit shëndetësor sjell një zinxhir pasojash, nga humbja e kapitalit njerëzor deri në handikape në shërbimet tona shëndetësore, në të gjitha nivelet.

Ajo që është më e frikshme lidhet me faktin  se, sipas të dhënave, trendi i largimit të mjekëve do të rritet në vitet në vijim, si pasojë e dëshirës së lartë për emigrim në moshat e reja. Ndërsa popullsia e përgjithshme është në rënie të qëndrueshme afatgjatë, në të njëjtën kohë ajo po plaket me shpejtësi. Popullsia mbi 65 vjeç u trefishua midis 2001 (7.5%) dhe 2023 (19.7%)!!

Arsyet kryesore të këtij emigrimi rezultojnë pagat e ulëta, kushtet e pafavorshme të punës dhe mungesa e perspektivës për karrierë në Shqipëri.

Sigurisht këto arësye nuk mund të jenë të shkëputura nga perceptimi i përgjithshëm se “ky vend nuk  të siguron të ardhmen”.

Sipas autorëve të studimit, 40% e mjekëve dëshirojnë të largohen, (nivel më i lartë krahasuar me  sondazhe të vitit 2018).Sigurisht janë të rinjtë, që largohen në masë (mbi 80% të të anketuarve të grupmoshës 20-30 vjeç).Dëshira për largim mbetet mbi 50% për grupin 30-40 vjeç.

Tranzicioni i stërzgjatur, shoqëruar shpesh me një mungesë vizioni dhe vullneti politik reformues ka krijuar një barrë konstante në sistemin e shërbimit shëndetësor, duke e mbajtur  atë larg standarteve Europiane.

Të dhëna të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, tregojnë se Shqipëria ka fondet më të ulëta publike në raport me PBB në Rajon dhe më gjerë.

Densiteti i mjekëve për numrin e banorëve në Shqipëri është më i ulëti në Europë dhe më i ulët se fqinjët e  Ballkanit Perëndimor.

Por kjo situatë ka referencën bazë  tek Reforma në Shëndetësi.

E ritheksoj se Reforma në shëndetësi mbetet një togfjalësh që  ka pësuar inflacion në fjalorin politik shqiptar! Eshtë abuzuar me të, po aq shumë sa flitet e përflitet për të.

Qeverisjet politike në gjithë këtë proçes tranzicioni, nuk kanë treguar as vullnetin , as vizionin e duhur për një reformë efiçiente dhe të qëndrueshme në këtë sektor jetik. Madje steka e nivelit të drejtimit të Institucionit të Ministrisë u ul fare, me vendosjen e aktorëve politikë, pa asnjë lidhje me fushën e shëndetësise  dhe reformimin  e saj (praktikë e nisur nga PD dhe po e vazhdon PS). Kjo ka krijuar handikape e kosto të rënda për sektorin. Madje edhe mjekët klinicistë, apo epidemiologjistë nga më të zotët në specialitetin e tyre, nuk kane njohuritë e mjaftueshme për të drejtuar proçesin e reformës së një sistemi, që për më tepër, vjen nga nje model sovjetik (semashko) dhe përpëlitet të kapë ndonjë standart  të vendeve të zhvilluara Europiane.Këtë e kuptojnë së pari  ekspertët që njohin parimet e organizimit, financimit dhe menaxhimit të sistemeve shëndetësore.

 

Lojrat politike me këtë sektor kaq të rëndësishëm dhe fenomeni i korrupsionit, e kanë cënuar pikërisht proçesin e zhvillimit të tij.

Edhe reforma rilindase, nuk e “rilindi” dot shëndetësinë në dekadën e fundit.Për më tepër  dorëzoi   shërbime publike tek sektori privat (PPP) ,duke e cënuar atë dhe duke shkaktuar  një rëndesë mbase të pakorigjueshme, mbi supet e brishta të këtij sektori.

As aktualisht panaroma nuk na jep ende një sistem shëndetësor të mirë-organizuar, me spitale autonome, të financuar nga sigurimet shëndetësore dhe ku mjekët dhe i gjithë personeli shëndetësor  paguhen në standarte dinjitoze.Këto pagesa sigurisht duhet të bazohen në kualifikimet e tyre dhe volumin e punës që bëjnë.Dhe nga ana tjetër, pacienti (që në fakt duhet të jetë epiqendra e organizimit të sistemit) e merr shërbimin falas (sepse e ka paguar paraprakisht nëpërmjet sigurimeve shëndetësore), pa pasur asnjë nevojë pagesë tjetër as për medikamentet dhe as për personelin mjekësor që i ofron shërbimin. Është pikërisht ky model sistemi që shmang dhe tendenca korrupsioni.

Edhe kaq sa mbahet në këmbë sistemi është, sipas meje, falë profesionalizmit dhe përkushtimit të armatës së mjekëve dhe personelit shëndetësor, për të cilët nuk duhet të kujtohemi vetëm në raste krize shëndetësore (COVID), apo thjesht kur kemi nevojë për ta.

Por pyetje që nuk po marrin dot përgjigje mbeten:

Edhe sa kohë do ju duhet qytetarëve shqiptarë të qartësohen mbi sistemin e tyre shëndetësor dhe të bëhen aktorë aktivë të vlerësimit, funksionimit dhe përfitimit efikas prej tij?

Edhe për sa kohë shumica e mjekëve e infermierëve që formohen në këtë vend, do të enden në qerfullin dhe synimin për t’u largaur prej tij?!

Edhe për sa kohë ky vend i bekuar nga Perëndia, nuk do të mund t’i ofrojë çdo shqiptari ( jo pushtetari)  të ngrejë  të ardhmen e tij këtu??!!

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull