Dodik ‘non grata’ u dënua me 1 vit burg, DASH: Kundërshtojmë çdo veprim që do të minonte sigurinë e Bosnje-Hercegovinës

4 Minuta Lexim

Departamenti amerikan i Shtetit tha se kundërshton çdo veprim të udhëheqësve lokalë në Bosnjë e Hercegovinë që do të minonte sigurinë dhe stabilitetin e shtetit.

Kjo deklaratë u bë nga zëdhënësja e DASH-it, Tammy Bruce, pasi Gjykata e Bosnjë e Hercegovinës e dënoi presidentin e entitetit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik, me një vit burgim dhe gjashtë vjet ndalesë të ushtrimit të detyrës së presidentit.

“Shtetet e Bashkuara kanë investuar për dekada për një Bosnje-Hercegovinë të qëndrushme. Ne kundërshtojmë fortë çdo veprim nga udhëheqësit lokalë që do të minonte sigurinë dhe stabilitetin.

Ne mbështesim Marrëveshjen e Dejtonit dhe sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjë e Hercegovinës”, shkroi në X, zëdhënësja e DASH-it, Tammy Bruce.

Dodik gjithashtu është i shpallur non grata nga SHBA njëjtë si Sali Berisha. Ai është futur dy herë në listën e zezë amerikane për shkak të aktiviteteve të tij kundër Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit të arritur më 1995.

Më 26 shkurt, Gjykata në Bosnjë e Hercegovinë caktoi dënimin me burg ndaj Dodikut. Ky është dënimi i shkallës së parë, ndaj të cilit Dodik ka mundësi të bëjë ankimim. Dodik akuzohet për nënshkrimin e dekreteve presidenciale, me të cilat shpalli të vlefshme dy ligje jokushtetuese të Republikës Sërpska, të cilat më parë ishin shfuqizuar nga Përfaqësuesi i Lartë.

Bëhet fjalë për ligjet mbi moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnje-Hercegovinës, dhe moszbatimin e vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë në territorin e Republika Sërpskas.

Kodi Penal i Bosnje-Hercegovinës për mosrespektimin e vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë parashikon dënim me burg prej gjashtë muaj deri në pesë vjet, si dhe mundësinë e shkarkimit nga detyra të një individi dhe ndalimin e veprimtarisë politike.

Ndërkaq, i akuzuari i dytë në këtë rast, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Gazetës Zyrtare të Republikës Sërpska, Millosh Llukiç, u lirua nga akuzat.

Pas vendimit, Dodik u tha mbështetësve të tij të mbledhur para Asamblesë Kombëtare të Republikës Sërspka se “nuk ka arsye për shqetësim”.

Ai po ashtu tha se Asambleja e entitetit serb do të ndërmarrë disa vendime, përfshirë atë që të refuzohet procesi në Gjykatën e Bosnjës dhe të “ndalohet puna e Prokurorisë në territorin e Republikës Sërpska”.

“Vendimi i dytë është ndalimi i zbatimit të vendimeve të Gjykatës së Bosnjë dhe Hercegovinës në territorin e Republikës Sërpska”, tha Dodiku, duke paralajmëruar po ashtu se do të miratohet një ligj që do të ndalojë veprimtarinë e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial të Bosnjës dhe të formimit të këtyre institucioneve në nivel entiteti.

Kundër dënimit të Dodikut janë shprehur udhëheqësit në Serbi, të cilët e kanë cilësuar si “sulm ndaj serbëve”.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, e ka cilësuar si “të turpshëm, të paligjshëm dhe jodemokratik” vendimin e Gjykatës së Bosnjës, i cili sipas tij synon “shkatërrimin e Republikës Sërpska dhe rrënimin e pozicionit të popullit serb”.

Ndërkaq, ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiq, deklaroi pas një mbledhjeje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë, se ky organ, me propozimin e Vuçiqit ka miratuar shtatë konkluzione, ku ndër të tjera dënohet vendimi i gjykatës, që cilësohet si “jodemokratik dhe i paligjshëm” dhe bëhet thirrje për respektimin e Marrëveshjes së Dejtonit dhe ndalimit të “shkatërrimit të mëtejmë të sistemit” të krijuar nga ky dokument.

Për dënimin ndaj Dodikut ka reaguar edhe zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vulin, që tha se ky vendim është “sulm ndaj serbëve dhe Serbisë”./ REL

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull