Sulmi verbal i Donald Trump dhe J.D. Vance ndaj presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Zyrën Ovale ishte tronditës, por aspak befasues. Ndërsa administrata Trump shkatërron me shpejtësi besueshmërinë dhe pozitën ndërkombëtare të Amerikës, Evropa duhet të mobilizojë burimet e saj të bollshme për të zëvendësuar Amerikën si një lider global.
Nga Sławomir Sierakowski
Sulmi verbal i Donald Trump dhe J.D. Vance ndaj presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Zyrën Ovale do ta shënojë 28 shkurtin 2025 si një moment famëkeq në historinë amerikane dhe atë botërore. Shtetet e Bashkuara po shkatërrojnë me shpejtësi emrin e tyre të mirë dhe po i largojnë të gjithë, përveç diktatorëve më brutalë të botës. Do të duhen dekada për të riparuar dëmtimin që i është shkaktuar besueshmërisë dhe reputacionit të Amerikës dhe, madje, kjo mund të jetë edhe e pariparueshme.
Më në përgjithësi, me përfundimin e rendit ndërkombëtar të pasluftës me qendër në SHBA, ne jemi dëshmitarë të kolapsit të çdo autoriteti global. Ndërsa shtetet mashtruese kërkojnë të përfitojnë nga kaosi, Evropa duhet të bëjë para dhe të marrë rolin që dikur kishte SHBA-ja. Kjo nis duke mbështetur plotësisht Ukrainën përballë agresionit rus.
Po, Evropa nuk është aq e fuqishme sa SHBA-ja ushtarakisht, por kjo nuk do të thotë se ajo është e dobët. Në fakt, ajo i ka të gjitha kartat që i nevojiten. Forcat e saj të kombinuara ushtarake janë ndër më të fortat, më me përvojë dhe më inovativet në botë. Debati në Zyrën Ovale – të cilin Trump dhe Vance dukeshin shumë të etur për ta provokuar – duhet të jetë shtysa përfundimtare që Evropa të mbledhë veten, pas dekadash vetëkënaqësie. Ajo ka gjithçka që i nevojitet për të qëndruar në këmbë vetë, për të mbështetur Ukrainën dhe për të frenuar Rusinë.
Për më tepër, sjellja e turpshme e Trump po e shtyn aleatin më të dashur të Amerikës më afër Evropës, duke ndihmuar në kapërcimin e ndarjes pas Brexit. Ajo po nxit forcat e demokracisë dhe po i detyron elitat politike të zgjohen. Evropa së shpejti mund të ketë një koalicion të moderuar qeverisës dypartiak në Gjermani dhe një të përkushtuar demokratik në Austri. Pas një viti të tmerrshëm, ylli i presidentit francez Emmanuel Macron po ngrihet sërish.
Evropa ka një gjysmë miliardë njerëz dhe një PBB të krahasueshme me SHBA-në. Mund të mos jemi aq novatorë, por hendeku nuk është aq i madh sa do të donin të besoni ekspertët. Nëse krijojmë një koalicion me Japoninë, Tajvanin dhe Korenë e Jugut, ne mund ta mbyllim atë së shpejti – sidomos tani që Trump, Vance dhe Elon Musk po shkatërrojnë shtyllat e fuqisë amerikane me revolucionin e tyre kulturor.
Përveç rritjes së kostove për konsumatorët amerikanë me tarifa, administrata Trump po bën një luftë kundër emigrantëve – prej kohësh një burim unik i forcës amerikane. Evropa duhet të përfitojë duke mirëpritur më të mirët dhe më të shkëlqyerit – duke përfshirë edhe ata që janë përzënë nga agjencitë federale amerikane të klasit botëror.
Sa i përket aftësive mbrojtëse, baza industriale e Gjermanisë është e mjaftueshme për të armatosur kontinentin, ndërsa ombrella bërthamore e Francës dhe Britanisë mund të zëvendësojë atë të Amerikës. Pesë vendet më të mëdha evropiane dhe Mbretëria e Bashkuar kanë aktualisht qeveri të përgjegjshme dhe të parashikueshme që tallen me ata që janë tani në pushtet në Uashington.
Polonia ka një rol veçanërisht të rëndësishëm për të luajtur në atë që do të ndodhë më pas. Tendencat ekonomike janë në anën tonë. Ushtria jonë po rritet. Bëmë blerjet e duhura të armëve sa kishte ende kohë. As Trump nuk mund të gjejë një fjalë të keqe për ta thënë për ne. E gjithë Evropa mund ta shohë këtë. Francezët (paksa xhelozë) flasin për “le moment polonais”. Udhëheqësit aktualë të Polonisë janë ndër shtetarët më me përvojë, më të respektuar dhe më të vendosur që mund të gjenden kudo.
Në Konferencën e fundit të Sigurisë në Mynih, fola me shumë politikanë amerikanë – duke përfshirë ata, si senatorja Lindsey Graham, të cilët po përulen para Trump – dhe nuk pashë shumë vetëbesim. Në vend që të thoshin atë që ata mendojnë në të vërtetë, ata e poshtëruan veten e tyre dhe ndoqën linjën e Liderit të Dashur. Ishte e turpshme të shikoje diçka të tillë.
Kur i dërguari i administratës Trump për Ukrainën, Keith Kellogg, u pyet në prapaskenë nëse “ne kemi ende një aleancë”, ai pranoi se ai vetë nuk e di. Pushteti në Uashington tani është plotësisht i përqendruar te Trump. Nuk ka më asnjë “të rritur në dhomë”, vetëm papagaj që konkurrojnë për të amplifikuar sa më shumë zërin e padronit të tyre budalla.
Historiani Timothy Snyder goditi në shenjë duke argumentuar se viti 2025 nuk ka të bëjë me atë që mendon Amerika; ka të bëjë me atë që Evropa mund të bëjë. Politika e Trump mund të jetë fitimprurëse vetëm në planin afatshkurtër. Tani për tani, askush nuk do të guxojë të dalë kokë më kokë me SHBA-në. Megjithatë, në planin afatgjatë, shpërbërja e shtetit amerikan, tarifat e pakuptimta dhe tjetërsimi i miqve dhe aleatëve do të shkaktojnë dëme të qëndrueshme.
Ky është momenti për të mbështetur Ukrainën. Trajtimi që mori Zelensky ishte një turp absolut, i duartrokitur nga Rusia. Dhe jo, ai nuk do të kishte marrë një rezultat më të mirë nëse do të kishte lejuar që të trajtohej në mënyrë të padrektë. Kjo qeveri amerikane ka treguar se ku qëndrojnë besnikëria e saj. E njëjta gjë ndodhi me marrëveshjen e mineraleve kritike që këshilltarët e Trump ia imponuan Ukrainës. Versioni i parë përbënte zhvatje të stilit mafioz dhe Zelensky me të drejtë e refuzoi atë. Kur erdhi një marrëveshje pasuese, ajo ishte shumë më e mirë.
Nuk do të habitem nëse sjellja e neveritshme e Trump dhe Vance provokon një reagim negativ nga ana e publikut amerikan. Por evropianët nuk mund t’i lejojnë vetes të presin më gjatë. Me kthimin e Trump në Shtëpinë e Bardhë, amerikanët do të duhet të shqetësohen për problemet e tyre shumë më të mëdha. Evropianët duhet të marrin në dorë të ardhmen tonë.