Orët e ankthit

2 Minuta Lexim

Këtë të mërkurë në orët e pasdites së vonë do të mësohen emrat e kandidatëve për deputetë që dy partitë e mëdha do të hedhin në fushë për betejën e 11 majit.

Edi Rama ka vendosur të mbledhë në 19:00 Kryesinë e PS, për të firmosur formalisht listën përfundimtare.

Shumica e grupit parlamentar të PS pritet të jetë në listën e hapur, pasi kryeministri Rama deklaroi se ata që kanë fituar qoftë edhe një mandat nën siglën e PS do jenë listën e hapur përveç drejtuesve politikë të qarqeve.

Ndërkohë, surprizë mbetet vendimi i kryesocialistit Edi Rama, i cili për herë të parë tha se mund të mos kandidojë fare si deputet.

Ndërsa Sali Berisha pritet që të ketë në listën e mbyllur 8 vende të sigurta që ua ka premtuar aleatëve të koalicionit opozitar “PD- Aleanca për Shqipërinë Madhështore”.

4 prej tyre i merr Partia e Lirisë, ndërsa nga 1 ndahet për Mediun, Dulen, Idrizin dhe Dukën.

Për vendosjen përfundimtare të listave sot në orën 17:00 mblidhet Kryesia e PD dhe në orën 19:00 mblidhet Këshilli Kombëtar.

Vetë Berisha pritet të jetë në listë të mbyllur në Tiranë, ndërsa Ilir Meta refuzoi nga burgu ofertën e Berishës për ta futur në listë të mbyllur dhe deklaroi se do të garojë në listë të hapur.

Partitë politike duhet të dorëzojnë në KQZ deri në mesnatë listat me kandidatë për deputetë për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull