Nga 12 serbët e arrestuar në Prizren, dy janë ndaluar për 48 orë
Myrvete Axhami/RTK
Nga 12 persona të nacionalitetit serb, të cilët janë shoqëruar në stacionin e policisë rajonale të Prizrenit, vetëm dy prej tyre janë ndaluar për 48 orë, pasi kanë bërë prezentim të rrejshëm.
Këtë e ka bërë të ditur zyrtari për marrëdhënie me publikun, rreshter Vesel Gashi.
Sipas tij, operacioni është realizuar nga sektori i hetimeve të DRP Prizren, ku është konstatuar se veturat me targa serbe ishin të parkuara në kompleksin e objektit fetar Bogosllovisë në Sheshin Shatërvan. Pas identifikimit të veturave dhe personave, më 6 prill 2025, rreth orës 12:00, tre vetura me targa serbe, ku ndodheshin gjithsej 12 shtetas serbë, janë ndaluar afër urës së “Arastës”.
Fillimisht janë kontrolluar personat dhe veturat, dhe më pas ata janë shoqëruar në stacionin e policisë në Prizren për verifikim dhe intervistim. Pas intervistimit, dhjetë prej tyre janë liruar në cilësi të dëshmitarëve, ndërsa dy të dyshuarit janë paraqitur si pjesëtarë të MUP-it Serb, por pa mundur ta vërtetojnë këtë me dokumentacion. Dyshohet se ata janë prezantuar si persona zyrtarë pa pasur një status të tillë.
Gashi ka bërë të ditur se për të gjitha veprimet është konsultuar prokurori i shtetit, i cili ka lëshuar aktvendim për ndalimin e dy të dyshuarve për 48 orë.