Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur komentuesve në rubrikën “Sy m’sy” për hekurudhën “Kuq e Zi”, projekti ky i cili do të lidhë Durrësin me Prishtinën.
Ai theksoi se ky projekt nuk ka lidhje me zgjedhjet, por me vizionin e “Shqipërisë 2030”.
“Ky projekt është prezantuar në çdo fazë të tij, madje edhe në një mbledhje të përbashkëta të dy qeverive, kur ishte në nivelin e projekt-idesë. Pra, nuk ka lidhje me zgjedhje, por me fazën e re kur konsulentët austriakë kanë përcaktuar opsionin e kalimit nga Shkodra përmes Gjakovës në Prishtinë si më të mirin.
Prandaj, ekipi ynë i përbashkët e ka parë të udhës ta bëjë me dije e edhe mbylljen e kësaj faze, sepse jeta vazhdon. E dyta, se sa do të kushtojë, këtë do ta nxjerrë projekti i detajuar, i cili përsëri do të bëhet nga një ekspertize ndërkombëtare e nivelit të lartë dhe do të aprovohet nga Fondi Evropian i Investimeve të BP.
Por një gjë është e sigurt, që pa lekë, hekurudha nuk bëhet dot. A do mbarojë apo s’do mbarojnë këtë projekt, këtë fatmirësisht nuk e kanë në dorë ata që vetëm shajnë dhe tallen nga kafenetë e Tiranës dhe Prishtinë, por e kanë në dorë ata që punojnë në llogoren e të ardhmes. Këto hekurudhat nisin me radhë, por jo më vonë se 2030″, tha ai.
Një tjetër komentuesi që i shkruan se duhet të mbarojë atë të Durrësit, Rama i përgjigjet: “Programi i hekurudhave është pako e re dhe tërësore, të cilës i ka ardhur koha tanimë dhe e cila është hapur ne Tiranë-Rinas-Durrës ku puna po shkon drejt përfundimit.
Por çka duhet të dini është fakti se vonesat e fillimit të punimeve në atë hekurudhë kanë qenë të lidhura me pozicionin ende të dobët të Shqipërisë deri para ca vitesh ku ende nuk na merrnin shumë seriozisht as BE dhe as bankat e saj zhvillimore, burimi i financimit të pakos së hekurudhave. Sot është histori tjetër dhe prandaj jemi në procese të avancuara me hekurudhës Durrës-Hani i Hotit, ku nis puna brenda këtij viti, Durrës-Rrogozhinë, hekurudha e Korridorit 8 apo Durrës-Fier dhe Fier-Vlorë, të gjitha këto nisin me radhë por jo më vonë se në 2030.
Të tëra këto janë në proces ndërtimi të ndryshme. Në fillimet e dekadës tjetër do të jenë të tëra në punë dhe do të keni mundësi të shfrytëzoni edhe trenin”.