European Newsroom (enr)
Komisionerja e Zgjerimit të BE-së, Marta Kos, e konsideron “realiste” një valë të re zgjerimi deri në vitin 2030, me Ukrainën, Moldavinë, Shqipërinë dhe Malin e Zi në krye të listës. Por ajo paralajmëron se përparimi varet nga meritat dhe angazhimi i vendeve kandidate për të zbatuar reformat e kërkuara.
Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, deklaroi se një valë e re e zgjerimit të BE-së deri në vitin 2030 përbën një “perspektivë shumë realiste”, jo vetëm për vende si Shqipëria dhe Mali i Zi – të cilat aktualisht konsiderohen si më të avancuarat në procesin e anëtarësimit – por edhe për Moldavinë dhe Ukrainën.
Në një intervistë për European Newsroom (enr), të publikuar të mërkurën, Kos u tha se shpreson që Moldavia dhe Ukraina të mund të hapin grupin e parë të kapitujve negociues gjatë presidencës polake të Këshillit të BE-së, e cila zgjat deri në fund të qershorit 2025.
Ajo u shpreh gjithashtu optimiste për zgjidhjen e bllokadës së Hungarisë ndaj anëtarësimit të Ukrainës, për shkak të trajtimit të pakicës hungareze në atë vend.
Ndërkohë që Ukraina dhe Moldavia po ecin me hapa të shpejtë drejt anëtarësimit në BE, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë dekada që presin.
Maqedonia e Veriut ishte një nga shtetet e para të ish-Jugosllavisë që nisi rrugëtimin drejt integrimit evropian, por për shkak të problemeve të brendshme dhe sidomos bllokadave nga shtete fqinje anëtare, ajo ende ndodhet në fazat fillestare.
Qeveria e këtij vendi kërkon garanci që nuk do të ketë më bllokada për shkak të çështjeve dypalëshe. Kos tha se e kupton zhgënjimin, por nuk dha garanci të tilla.
Ndërkaq , Kos theksoi se negociatat me Malin e Zi mund të përfundojnë deri në fund të vitit 2026, ndërsa Shqipëria synon t’i mbyllë deri në vitin 2027.
BE-ja mbetet e angazhuar edhe ndaj Bosnjë e Hercegovinës, por zyrtarët evropianë po shprehin gjithnjë e më shumë shqetësime për bllokadat politike të brendshme që po pengojnë reformat dhe po rrezikojnë të ardhmen evropiane të vendit.
“Do të isha ndoshta njeriu më i lumtur në botë kur të mund të fillojmë negociatat me Bosnjën. Ata e meritojnë me të vërtetë, populli i Bosnjës e meriton këtë”, tha Kos, duke shtuar se është thelbësore që autoritetet vendore të marrin përgjegjësi.
Kos i bëri gjithashtu thirrje qeverisë së re të Serbisë që të jetë “pro-evropiane dhe pro-reformave” për të ecur përpara në procesin e anëtarësimit. Ajo njoftoi se planifikon të vizitojë Beogradin në fund të prillit.
Anëtarësimi në BE mbetet i bazuar në meritë
E pyetur nëse është e mundur të sigurohet një qasje e balancuar në politikën e zgjerimit midis Ballkanit Perëndimor dhe vendeve si Ukraina e Moldavia, Kos theksoi se ky është mbi të gjitha një proces “i bazuar në meritë”.
Ajo theksoi se asnjë vend nuk do të mbetet pas. “Ne jemi tërësisht të përkushtuar për t’i sjellë ata në Bashkimin Evropian. Por sigurisht, do të qëndrojmë te meritat.”
Çdo hap në procesin e zgjerimit kërkon konsensusin e të gjitha shteteve anëtare, dhe për secilin vend kandidat duhen 150 vendime të miratuara njëzëri.
Sipas Kos, aktualisht 14 shtete anëtare janë në favor të heqjes së rregullit të konsensusit dhe kalimit në vendimmarrje me shumicë të cilësuar, por problemi është se edhe ky ndryshim kërkon konsensusin e shteteve anëtare.
“Do të shohim nëse mund të ketë më shumë mbështetje së shpejti,” përfundoi Kos.