Bregu i Dritës dhe trikuetra Xhindi, Shyti dhe Beja

12 Minuta Lexim
Nga Laureta Petoshati
Të flasësh për notin dhe për detin, në çdo rrethanë mua më dridhet shpirti. Kohërat kanë dimensionet e tyre, por nganjëherë, jo thjesht ironia e fatit, por providenca ka befasitë e saj të bukura. Unë, personalisht, jam dëshmitare e pikënisjes, ose, siç i thonë ndryshe, isha aty, kur u vendos “tulla e parë” e institucionit Elida Xhindi. E them kështu sepse figura e saj, në kulmin e saj, shtrihej në të gjithë spektrin e aftësive, rregullave, normave, duke lënë gjurmë të thella në mënyrën e të notuarit për arritjet e saj, që tejkalonin kohën në të cilën jetonte, mungesat, moshën, gjininë, paragjykimet, persekutimet e familjes, që duket se do ta zhysnin, por jo. Ajo notoi horizontalisht dhe vertikalisht. Kapërceu largësi dhe ngjiti maja që nuk i kishte ngjitur asnjë notare femër shqiptare në të gjitha kohërat, aq sa u bë idhull për breza të tërë vajzash notare, kampione e padiskutueshme, u mbiquajt “Mbretëresha e detit” ose, par excellence, “Sirena e detit.” Unë e kam ndjerë, prekur dhe e kam parë nga afër rrugëtimin e saj sportiv, kur u bë një udhërrëfyese, frymëzuese dhe burim mençurie, për të gjitha vajzat e Skelës, që donin të bëheshin notare. Ne jetonim në një lagje, në Skelë, shtëpitë tona ishin jo më shumë se 50 metra larg njëra-tjetrës. Të shkoje te shtëpia ime, duhet të kaloje rrugicën e ngushtë midis shtëpisë së Elidës dhe shtëpisë së Xhevit Gjonit, që i thoshin “Shtëpia e Sinjorës”, që ishte gruaja e Giovanni Valenzia-s. Shtëpia ime ishte më pranë detit dhe deti ishte një shtëpi e jona e përbashkët, ku ne kalonim kohë më shumë në breg të tij sesa në shtëpitë tona. Unë e quaja “Bregu i dritës”, sepse edhe në errësirën më të thellë, deti kishte dritë, që të tërhiqte shpirtërisht dhe të fuste në mendime se çfarë mund të kishte përtej dritës së Gjirit të mrekullueshëm të Vlorës. Godiva Shyti, që jetonte në buzë të detit, na shihte që notonim tërë kohën. Syri i saj i mprehtë shihte dhe fizikun tonë, tiparet antropometrike, raportin e këmbëve dhe duarve, që sipas saj kur ishin të gjata, shërbenin për ta shtyrë më shumë ujin si lopatat e një varke. Ndaj na tha që të regjistroheshim dhe të bënim stërvitje rregullisht. Ajo, në atë kohë nuk kishte ndonjë ekip, por merrej shumë me nipin e saj, Skerdilajdin, i cili ishte disa vite më i madh se ne. Kur them kujdesej, nuk e kam fjalën për notin, por dhe për mësimet e tij. Nëna ime nuk ishte shumë entuziaste për notin, ndërsa babai im ushtarak, nuk po gjente mundësi për të më regjistruar (por mendoj se nuk donte, se kur ishte puna për rrethin letrar e gjeti kohën menjëherë). Mbaj mend, në një nga ditët e pushimeve të prillit, babai i Elidës, Pirro Xhindi, një njeri me shumë kulturë, fisnik dhe mjaft i sjellshëm, krahas dy vajzave të tij, Elidës dhe Almës, më merr dhe mua për dore për t’u regjistruar te traineri i notit Thoma Papa, i cili herën tjetër na dha dhe kostumin e notit, një palë rroba banje trup, pambuk, me vija të bardha dhe bojëqielli. “Përse i morët këto,”- më thotë nëna ime që ishte rrobaqepëse, “ju nuk keni nevojë që të mbuloheni në mes e lart, jeni ende të vogla. Madje këto i grin dhe makina qepëse po ti ngushtosh!” Unë dhe Alma ishim ato, që po bënim naze, ndërsa Elida, që ishte më sqimatare, nuk u ndie fare sepse dashuria e saj për notin ishte arma që vriste nazet e saj. Elida ishte aq e dashuruar dhe aq e përkushtuar pas notit, sa nga vajzat nuk kishte të dytë. Përkushtimi i saj ishte i njëjtë me atë të Skerdilajdit, që e krahasonin me legjendën Jani Hondro. Nga ai pasion dhe përkushtim, ajo nuk mungoi as një ditë të vetme në stërvitje, ndërsa unë dhe Alma e kishim me hope. Kur mbaroi viti shkollor, Elidën e çuan të stërvitej me Teki Kadënën, ndërsa mua me Almën tek Afërdita Gjonzeneli. Por neve, na pëlqente noti si pjesë lirie, për kënaqësi, jo si detyrim, apo stërvitje me orare, me disiplinë dhe me rregulla. Unë kisha dëshirë të hidhesha në det nga lartësitë, ndërsa Alma të notonte në mes të detit. Dhe ashtu e bënim. Iknim disa shoqe në mes të detit dhe aty bënim muhabete. Sot e kësaj dite nuk arrij dot që ta kuptoj pse nuk na mjaftonte “Bregu i dritës”, apo ngaqë donim të pushonim aty ku pushonte drita që vezullonte mes valëve. Me Almën më lidhnin librat, gjuhët e huaja. Alma ishte e dashuruar me italishten, madje dhe me frëngjishten. Ajo kishte një “r” të brendëshme, të ëmbël kur fliste, që dukej sikur dilte nga shpirti jo nga gryka dhe vetëm francezët flasin ashtu. Do të ishin ato vokacionet tona, apo e thënë më shqip thirrjet tona të brendëshme, që do të na bënin ta limim notin përfundimisht, ndërsa Elida të njësohej me notin. Në fëmijërinë time, kur dhe ushtrimet e matematikës, i zgjidhnim fillimisht në rërë, apo aty shkruanim formulat, mbaj mend që ne ndërprisnim gjithçka kur në ujë stërviteshin veç e veç, apo njëkohësisht tre notarë: Skerdiljd Shyti, Elida Xhindi dhe Vasilika Beja. Në det të qetë, apo të trazuar, madje dhe në ditët e ngrohta të dimrit, ata vazhdonin stërvitjen rregullisht. Dhe ne e kuptonim nga zhurma e ujit se kush ishte njëri, apo tjetri. Ata ishin si poetët, me individualitetin e tyre, preçiz në lëvizjet e tyre, aq sa dhe lavjerësi i orës nuk më dukej aq preciz në lëvizjen e tij sa ata. Ata ishin të tre mbretër në mbretërinë tyre, madje Vasilika ishte epike në mbretërinë e detit të trazuar dhe të egër. Aty notonte pafund, sa e ëma e saj Kasjania, një grua dinjitoze dhe shumë punëtore, dërgonte Ilian, vëllain pak më të madh të Vasilikës, që ajo ta linte stërvitjen. Kur nuk dëgjonte, atëhere, vinin dy vëllezërit e saj binjakë, që ishin më të mëdhenjtë e familjes: Markoja me Lefterin, që e kishin pikë të dobët Likën, siç i flisnim, si më e vogla e shtëpisë dhe e bindnin me të mirë. Por Skela kishte plot yje të tjerë, që krahas dimensionit sportiv të madh kishin dhe një dimension shpirtëror, akoma më të madh, siç ishte Veni Bodo. Skela ishte një vend me yllësinë me të madhe të notarëve, ku një nga më të fundit ishte Loreta Rakipi. Por unë për nga mosha isha më afër Elidës, e cila notin e ktheu në një shprehje të lirisë së saj individuale dhe një mjet për të realizuar shkollimin e saj, sepse njerëzve të fisit të saj nuk u jepej e drejta e studimit për shkak të prejardhjes dhe luftës së klasave, pavarësisht se ajo vinte nga një familje me kontribute patriotike. Arritjet e Elidës, nga regjimi i kohës konsideroheshin si arritje të shtetit dhe jo të saj, por unë që e kam parë gjithmonë atë stërmundimin, sakrificën dhe përkushtimin e saj, e di se e kujt ishte arritja. Ajo ishte nxënëse e shkëlqyer, por dhe me vizion. Në klasën e pestë iku nga shkolla jonë “1 Maj”, që e kishte te dera e shtëpisë dhe shkoi tek “Avni Rustemi”, vetëm për faktin se atje gjuha e huaj ishte anglishtja, ndërsa te ne rusishtja. Ajo shihte në televizionin italian, që në Skelë shihej pa antenë, kampionatet botërorë të notit dhe i pëlqenin notaret e Amerikës. Elida kishte kultivuar një mënyrë jetese, që vonë, shumë vonë e kam kuptuar domethënien e saj. Do të ishte kërshëria ime për të lexuar çdo vepër të shkrimtarit amerikan David Foster Wallace, mbas leximit të romanit të tij voluminoz “Infinite Jest (Shaka e pafundme)”, që të më shpinte të lexoja një ese të tij “Roger Federer si Përvojë Fetare”, që kishte të bënte me tenistin e madh zvicerian Federer. Kjo ishte dhe Elida, e cila stërvitjen e bënte me përkushtim, me dashuri si ritualet e shenjta. Për këtë arësye ajo është institucioni Elida Xhindi, që së bashku me Skerdilajt Shytin dhe Vasilika Bejën, formojnë një trini, apo më mirë një trikuetër, që simbolizon unitetin, vazhdimësinë dhe pasionin, që lindën tek i njëjti det, që për ta ishte ende i vogël, ndaj kaluan matanë oqeanit, ku dhe jetojnë. Për notarët e Skelës mund të flitet shumë, por akoma më shumë mund të flitet për të si lagjja që farkëtoi ndjenjat e solidaritet, që rrëzoi barrierat klasore kur sheti mundohej ti ngrinte ato. Atje, në Bregun e Dritës, ne ishim një familje: pa klasa përçarëse, pa status social, ishim ata që pinim ujë nga shishet e njëri-tjetrit, kafshonim bukën në gaçet e njëri-tjetrit. Noti na kishte dhënë shpresa se me mundim mund të shkoje dhe në bregun tjetër, që ne e shihnim në televizionët tanë. Këtë gjë e kam ndjerë thellë kur kam dëgjuar fjalimin ikonik të Nelson Mandelës, në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të Karrierës në Sport në Monako në vitin 2000, ku thotë se: “Sporti ka fuqinë që të ndryshojë botën. Ai ka fuqinë që të ngjallë emocione. Ka fuqinë të bashkojë njerëzit si rrallëkush. Ka fuqinë të zgjojë shpresën atje ku më parë ka pasur vetëm dëshpërim.”
Unë do të doja që kjo treshe të shkruajë autobiografinë, sepse duke i njohur nga afër ua njoh aftësinë, e ndjej universin dhe ortekun e madh emocional që do të sjellin kujtimet dhe përjetimet e tyre, jo vetëm te lexuesi, por dhe te sportistët dhe dashamirësit e sportit. Të shpresojmë.
Vlorë, më 20 prill 2025
Në foton në grup: Elida Xhindi e fundit, djathtas në këmbë, Vasilika Beja e fundit , djathtas, ulur.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull