Nga Elisa Dedja
Në një qytet të qetë si Gjirokastra, ku kalldrëmet mbajnë zhurmën e hapave të kujdesshëm dhe muret e gurta duken sikur fshehin histori të vjetra, sot ka një heshtje të rëndë që nuk i përket këtij vendi. Dy vetëvrasje, nga e njëjta shkollë, me të njëjtin motiv: bullizmi.
Ky fenomen nuk është më një fjalë e re për shoqërinë shqiptare, por gjithsesi vijon të trajtohet si një episod kalimtar. Si një konflikt mes fëmijësh, që “do rregullohet vetë”. Si një ndjeshmëri e tepërt e adoleshentëve. Por realiteti është ndryshe: bullizmi është një dhunë sistematike, shpesh e padukshme, që shkatërron vetëbesimin, ndërgjegjen dhe shpirtin e të rinjve. Dhe po, mund të çojë në vetëvrasje.
Në auditore, në rrjete sociale, në korridoret e shkollave, bullizmi është i pranishëm në format më të ndryshme: fjalë fyese, përjashtim social, tallje për pamjen, statusin ekonomik, orientimin, mbiemrin. Dhe më e keqja, të gjitha këto i mësojmë nga të rriturit , nga mënyra si flasim për njëri-tjetrin, si gjykojmë, si përçmojmë ndryshimin.
Adoleshentët janë në një periudhë jetësore ku çdo fjalë peshon, çdo përjashtim dhe çdo “like” mungesë ndikon. Por sistemi ynë edukativ është ende i pajisur me manualë të vjetër, pa asnjë program serioz për edukimin emocional dhe për ndërtimin e empatisë.
Shkollat shpesh i matin rezultatet me nota, jo me shëndetin mendor të nxënësve. Psikologët, kur nuk mungojnë, janë të vetëm për qindra fëmijë. Mësuesit nuk trajnohen për të identifikuar traumën. Nxënësit nuk mësohen të kërkojnë ndihmë. Prindërit nuk e dinë ku ta kërkojnë. Dhe fëmijët, shpesh të pafuqishëm përballë dhunës, zgjedhin heshtjen… ose largimin përfundimtar.
Një shoqëri që nuk di të dëgjojë të rinjtë e saj, i humb ata. Dhe atëherë, pyetjet lindin me vonesë.
Viktima e parë kishte lënë një letër. Një thirrje. Një përpjekje për t’u dëgjuar para se të zhytej në errësirë. Ajo tregonte qartë se ishte viktimë e bullizmit dhe se psikologia e shkollës ishte në dijeni. Letra nuk u mor seriozisht. Heshtja u bë bashkëfajtore. Sot, kemi një rast të dytë. Një tjetër adoleshent që nuk pa më asnjë dritë në fund të tunelit.
Shumë fëmijë në këtë vend ndihen vetëm. Disa prej tyre nuk ia dalin. Dhe faji nuk është vetëm i bullizuesit, por i çdo strukture që e din dhe nuk bën asgjë. Injorimi është kriminal. Në vend që të qajmë vetëm pas çdo rasti, ndoshta është koha të ndërtojmë një sistem që e merr seriozisht fjalën “ndihmë”.
Fatkeqësisht, një pjesë jo e vogël e saj ka zgjedhur rrugën më të lehtë: atë të audiencës me çdo kusht. Promovohen figura problematike, bullizues, agresivë, që ngrihen si “model suksesi” sepse bëjnë zhurmë, ofendojnë dhe sjellin klikime. Televizionet shpesh i kthejnë në personazhe të përditshmërisë së adoleshentëve, duke u dhënë atyre një mesazh të heshtur por të qartë: “Nëse je i fortë, nëse tallesh, nëse provokon, do të jesh i famshëm.”
Nuk ka emisione edukative. Nuk ka programe që flasin për emocionet, për dhimbjen, për ndjeshmërinë. Nuk ka përpjekje serioze për të trajtuar bullizmin si fenomen. Dhe kjo heshtje është e njëjtë me pranimin.
Rrjetet sociale, nga ana tjetër, kanë zëvendësuar librat, filmat me vlerë, komunikimin real. Të rinjtë marrin formë nga algoritmet. Nga videot me të qeshura të shtirura, nga humori tallës, nga shembuj të deformuar të vetëbesimit që nuk është gjë tjetër veçse dhunë e paketuar bukur.
Dhe kur gjithçka përreth i mëson se vlera e tyre varet nga pamja, klikimet apo forca për të përçmuar tjetrin, si mund të presim që një adoleshent të kërkojë ndihmë? Si mund të presim që të mos ndjehet vetëm?
Media ka përgjegjësi. Njësoj si shkolla. Njësoj si shteti. Njësoj si familja.
Në vend që të prodhojmë përmbajtje që të nxisë mendimin kritik, edukimin emocional dhe solidaritetin, kemi krijuar një ambient virtual që i bën fëmijët më të ashpër dhe më të pasigurt njëkohësisht. Dhe rezultati? Ky që po përjetojmë sot. Viktima të një zinxhiri që kemi ndërtuar të gjithë bashkë.