Naivet e kombit te ri

4 Minuta Lexim

Nga Arber Zaimi-

Paska thënë dikush se ndarja njëshekullore e Kosovës nga Shqipëria, prodhon kombin kosovar si të ndarë prej atij shqiptar.
Nëse qenka kështu, duhet shqyrtuar me kujdes ky pohim.
Së pari, ne e dimë që ndarja jugosllave ka zgjatur 84 vite, jo një shekull. Së paku 20 shekuj shqiptarët kanë jetuar pa kufij nën suazat e Romës, Bizantit e Stambollit, përjashto kohët aspak jetëgjata kur perandoritë dobësoheshin e këndejpari lindnin principata, bajraqe e pashallëqe konkurrente.
Por ta zëmë se këto 84 vite janë më të rëndësishme se shekujt paraprirës, çfarë ndodhi në to? Shqiptarët disa u rebeluan e dolën në kryengritje, organizime ilegale e demonstrata, duke pohuar gjithnjë të qenit shqiptarë dhe në masë të madhe me kërkesën për bashkim. Një pjesë tjetër u integrua në institucione, por dhe ata në pjesën më të madhe në mos tërësisht pohonin të qenit një komb me Shqipërinë, dhe e promovonin këtë ide me sa kishin mundësi përmes avancimit të arsimit e të të drejtave. Në fakt as krahu progresist mes serbëve e jugosllavëve nuk ka kërkuar ndonjëherë ndarje kombëtare apo mbjellje identitetesh të reja te shqiptarët, ka patur syresh që kanë votuar pro bashkimit të shqiptarëve në Bujan, pro autonomisë dhe intensifikimit të marrëdhënieve Shqipëri-Kosovë në vitet ‘70, e kështu me radhë. Edhe brenda opinionit serb, të vetmit që angazhoheshin për theksimin dhe thellimin e dallimeve mes Shqipërisë e Kosovës i përkitnin krahut serbomadh. Në fakt teza e kombeve të vogla shqiptare është interes i drejtpërdrejtë i atij krahu, siç do të ishte fjala vjen edhe krijimi i kombeve më të vogla kroate, pse jo edhe bullgare a rumune.
Pra, kur thuhet se ato 84 vite prodhuan identitet të ri kombëtar, a e kanë fjalën se paska fituar në përplasjet historike krahu serbomadh e se shqiptarët paskan humbur?
Shpesh kjo teza e identitetit kosovar ushqehet nga media të papërgjegjshme e nga një publik që qaravitet “Shqipnia nuk na don” se “Jozi rrehi Gjestin”.
Shqipnia, me gjithë të mirat e të këqijat e saj i ka afruar shqiptarët nga Kosova dhe u ka dhënë thuajse çdo post e nder, me apo pa meritë, i ka bërë ministra e kryeministra, i ka bërë fitues spektaklesh e festivalesh, drejtues të lartë institucionesh dhe përfaqësues ekipesh kombëtare, deputetë e showpersonë, u ka dhënë tenderë e licensa, e kështu me radhë. Qaravitja “ata nuk na duan” nuk dëshmohet e vërtetë nga faktet, por nga ana tjetër duhet parë edhe se si shprehet dashuria, veprat flasin më tepër se fjalët.
Sondazhet tregojnë se mbi 80% e shqiptarëve në Shqipëri e duan bashkimin me Kosovën, dhe kjo reflektohet nga liderët e mirë a të këqinj të Shqipërisë që promovojnë dhe afrojnë shqiptarë të Kosovës të mirë a të këqinj qofshin. Ndërsa po ato sondazhe tregojnë se mbi 70% e shqiptarëve të Kosovës e duan Shqipërinë dhe bashkimin, por ja që lidershipi politik, ekonomik e medial në Kosovë (përveç Vetëvendosjes) është i interesuar për mosafrim. Kjo është ndër arsyet kryesore (jo e vetmja) se pse ky lidership e ka humbur popullaritetin e se pse VV u rrit.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull