Nga Çapajev Gjokutaj-
Një pjesë e mirë e miqve të mi virtualë janë emigrantë të moshuar, e kanë lënë vendin dekada më parë dhe tani, edhe pse në pension, nuk u është bërë mbarë të kthehen. Parë me sy të lirë më ngjan se janë ndër miqtë më aktivë, në kuptimin që jo vetëm shkruajnë e komentojnë shpesh, por edhe e njohin aktualitetin (afërmendsh dhe historinë) po aq mirë sa ne, ‘të këtushmit’.
Mërzitem e bëhem derr, më shkruan një i tillë, që sa ka dalë në pension. Edhe në metro, mes lumit të njerëzve, ndihem i vetmuar, si të isha në Patagoni. Vetëm kur hap fejsbukun më ngjan vetja sikur jam në Fier. Lexoj statuse e komente, kthej ndonjë përgjigje, të gjitha shqip, dhe më duket se jam atje, mes miqsh e të njohurish. Me njërin përshëndetem, me tjetrin bëj ndonjë batutë nga larg, me të tretin shkoqitem në muhabet.
Gjë e madhe fejsbuku, vazhdon miku virtual, po ke parë ti që shpesh e më shpesh e gjithë kjo më duket pesë me hiç e më kujtohet plaka e Belul Gjonomadhit të Kadaresë që, kur ndjeu zërin e të shoqit në telefon ia pat: Belul, të keqen ç’është ky zë, sikur flet nga sosmëja, aman se po më merr të qarët.
Nuk di ta them pse, vazhdon miku fierako amerikan, po më ngjan se shkëmbimet në fejsbuk, sado të shpeshta e të lehta qofshin, nuk i vijnë as te maja e thembrës një bisede symësy në kafe a në stolin e parkut.
Në fakt biseda ballëpërballë, me praninë e të dy bashkbiseduesve, nuk mund të zëvendësohet nga ca rreshta tekst, të shkruara shpejt e shpejt e shkel e shko, gjithë gabime e shkurtime.
Specialistët e komunikimit thonë se tekstet e përcjella nga chat-et e nga rrjetet sociale janë tejet të mangëta krahasuar me bisedat e bashkëpranishme se u mungojnë elementë të tillë si intonacioni, mimika, gjuha e trupit etj.
Të gjitha këto nuk shtojnë ndonjë gjë të madhe në mesazhet që bashkëbiseduesit i përcjellin njeri tjetrit, pra nuk shtojnë kushediçë në rrafshin e informacionit, por i japin jetë ligjërimit në kuptimin që shtojnë emocione, ndjenja, ngjyrime dhe bëjnë që biseda jo vetëm të kuptohet, por edhe të përjetohet. Dhe esencën e jetës e përbën ajo që ndjejmë e përjetojmë, ajo që lë gjurmë të gjalla brenda nesh.
Tani që po rilexoja përsiatjet e mësipërme nisa të dyshoj: mos po bëhem si ata pleqtë që qahen gjithë ditën për të sotmen e për të sotmit dhe lavdrojnë me shkak e pa shkak të djeshmen

Vërtet fejsbuku nuk e ka lëngun e jetës që përcjell biseda symësy, po edhe kjo symësyja nuk të bën dot bashkë me tjetrin duke shpërfillur distanca kontinentale e duke e bërë botën sa një mëhallë.
Morali i fabulës? Në vend që ta gjykosh tjetrin nga ajo që i mungon, vlerësoje për atë që ka dhe gëzo atë që të ofron. Ndryshe do i kalosh ditët duke u qarë derisa të mblidhen e të të qajnë.