Ballkani Perëndimor: 166 sanksione, Shqipëria me vetëm 6 “non grata”. Gjatë 20 viteve të fundit, asnjë nga të sanksionuarit nuk ka dalë nga lista

5 Minuta Lexim

Një raport i fundit i Iniciativës Globale Kundër Krimit të Organizuar (GI-TOC) i publikuar dje me autorë Ruggero Scaturro dhe Fatjona Mejdini tregon se mes viteve 2014 dhe 2024 në Ballkanin Perëndimor janë vendosur 166 sanksione ndaj 108 individëve dhe 58 kompanive, kryesisht për korrupsion, krim të organizuar dhe destabilizim politik. Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë shumicën dërrmuese të këtyre masave, ndjekur nga Britania e Madhe, Bashkimi Europian dhe Kombet e Bashkuara. Në dekadën e fundit, Bosnja dhe Hercegovina ka marrë vëmendjen më të madhe, me 56 sanksione, e ndjekur nga Serbia me 51 sanksione.

Kulmi i numrit të sanksioneve gjatë kësaj periudhe është lëshuar në vitin 2021 por duhet theksuar se edhe gjatë qeverisjes së Donald Trump në Amerikë ka pasur po ashtu masa të tilla në Ballkanin Perëndimor.

 

Në Shqipëri në dekadën e fundit janë lëshuar “non grata” ndaj gjashtë individëve me një numër masash prej tetë në total duke përfshirë edhe shpalljen e ish Kryeministrit Berisha dhe ish deputetit Tom Doshi nga Britania e Madhe, megjithëse jo në mënyrë publike.

Ndryshe nga vendet e tjera të Ballkanit Perëndimore, në Shqipëri nuk ka pasur kompani të përfshira në listë të zezë por vetëm individë.

Raporti vë në dukje se Shqipëria është ndër vendet ku këto masa po prodhojnë efekte të ndryshme, duke përfshirë rikonfigurimin e forcave politike brenda vendit.

Ish-Kryeministri Sali Berisha përbën një prej emrave më të spikatur në këtë kontekst. Pasi u vendos nën sanksionet perëndimore për shkak të dyshimeve mbi korrupsionin dhe lidhjet me rrjete kriminale Berisha u detyrua të qëndronte për afro një vit në arrest shtëpie.

Sipas raportit, sanksionet perëndimore nuk e ndryshojnë menjëherë panoramën komplekse politike, por shërbejnë si një katalizator për zhvillime të mëtejshme, shpesh të paparashikueshme. Në rastin e Shqipërisë, sanksionet kanë krijuar një presion që vështirë se mund të injorohet.

Ky mekanizëm po shihet gjithnjë e më tepër si një forcë që përshpejton procesin e “pastrimit” të politikës nga figura të papërshtatshme. Ndërsa sanksionet nuk janë një zgjidhje magjike, ato po ndikojnë dukshëm në mënyrën se si figurat politike veprojnë dhe pozicionohen.

Në shkurt të vitit 2018, ish-Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë, Adriatik Llalla, bashkëshortja e tij dhe dy fëmijët e tyre u bënë personat e parë në Ballkanin Perëndimor ndaj të cilëve Sekretari i Shtetit i SHBA-së vendosi ndalimin e hyrjes në Shtetet e Bashkuara, për shkak të dyshimeve ndaj ish-zyrtarit lidhur me përfshirje në aktivitete korruptive.

Tom Doshi, biznesmen dhe politikan u përcaktua nga Departamenti i Shtetit i SHBA-së për korrupsion të dyshuar duke i ndaluar atij së bashku me familjen hyrjen në SHBA.

Sekretari i Shtetit e shpalli publikisht ish-Kryetarin e Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako “non grata” në vitin 2019, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion domethënës.

Në maj të vitit 2021, SHBA vendosi një ndalim udhëtimi për Sali Berishën, ish-kryeministër dhe ish-president i Shqipërisë, për shkak të dyshimeve për keqpërdorim të fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike. Gjithashtu, bashkëshortja, djali dhe vajza e tij u ndaluan nga hyrja në SHBA.

Në prill 2022 SHBA vendosi sanksione ndaj Aqif Rakipit, një ish-anëtar i parlamentit shqiptar. Në njoftim thuhej se ai kishte shfrytëzuar ndikimin e tij politik, së bashku me një përfshirje të gjatë në krimin e organizuar, për të emëruar bashkëpunëtorë në poste publike.

Ylli Ndroqi, pronar mediash u targetua po ashtu në vitin 2022 nga SHBA-të për korrupsion.

Sipas të dhënave që nxjerr raporti, gjatë 20 viteve të fundit, asnjë nga të sanksionuarit nga SHBA-ja nuk ka arritur të dalë nga lista. Të vetmet lëvizje në listë janë bërë në mesin e viteve 2000, kur shumë individë në rajon u sanksionuan gjatë konflikteve për veprimtari politike/separatiste.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull