Aleksandër Çipa-
Rasim Gjoka para një viti ishte qytetari me buzën e qeshjes. Buzëqeshja e tij ndante për shumëkënd që i drejtohej apo i drejtoheshin, mirësinë e zotnisë dhe qytetarit që në atë model, është i paktë në këtë vend. Por në një ditë( ditëlindjen e pati në 4 maj dhe ditëikjen në 14 maj), një vit më parë, ndalja e frymës në kurmin e tij, shpërndau një gjendje pikëllimi tek shumë të njohur dhe bashkëpunëtorë të Rasimit.
Kjo gjendje dhimbjendjerje u shpërnda në krejt vendin, ku gjenden miq, të njohur dhe njohës të zotërisë, në profesione dhe lëmi të ndryshme. Në të gjitha qytetet e vendit, Rasimi la shenja dhe kujtime të një bashkëpunëtori që kishte virtytin e të cilësishmit dhe të qytetarit që përkonte me të ardhmen. Imazhi dhe përmbajtja aq qytetare e veprimtarit në fjalë, stononte me shumicën e sjelljeve shoqërore të shoqërisë së tashme dhe sidomos komuniteteve tona profesionale. Prej këtij kontrasti, ikja e ndodhur në kohë kalendarike, bëhet aq e ndjeshme, aq e vënëreshme në këtë ditë, ndërsa u mbush viti i heshtjezemrës së tij.
Ndërsa po risjell në frizerin e kujtesës, disa takime, shkëmbime miqësie edhe familjare me Rasimin, më ngjan se gjendem në “ Botën e së djeshmes”, si në veprën autobiografike të Cvajkut. Nostalgjia për të shkuarën në këtë rast është e gjitha brendi e një mungese për njeriun e duhur që është bërë edhe më i munguar prej një viti ndër ne. Vëllai i tij, miku im i shtrenjtë, studiues dhe autor i rëndësishëm në letrat shqipe, më shtytoi ta kryej deri në mbyllje tekstin in memoriam për Rasimin.
Behari solli në vëmendjen e miqve se: ”Sot do mbushje 69 vite…Ike para kohe, le mister me ikjen tënde. Le buzëqeshjen që na ndjek ngado…Një buzagas plot jetë…Mbetesh model i njeriut idealist, i gazetarit, i pedagogut, i ndërmjetësit të përsosur në mes konflikteve. Na mungon shumë..na mungon si ditën kur ike…”
Është një psherëtimë eulogjike e vëllait për vëllain. Në ditët e para të mungesës së tij, gazetari Frok Cupi shkruante për Rasimin, një tekst sfidant për pavëmendshmërinë dhe padijeninë e shumicës së komunitetit të gazetarëve se ai ishte një ndër ne.
“ E para, pse nuk u shpërnda asnjë lajm në media ku të paktën të njoftohej se ‘kolegu ynë shkoi…”?… Rasimi i përket atij grupimi ‘lajmëtarësh’ në media, që edhe për të lajmëruar një gjë, më parë i bënte shumë pyetje vetes. Pyetjet: Sa e vërtetë?, sa e dobishme?, lajmi që po transmetoj është ajo që ndodhi apo ajo që dikush tha se ka ndodhur?, etj.”…
E duhura fjalë publike për Rasimin mbetet ende e pathënë. Sepse është reflektim i vonuar kujtese për një zotni në amëshim që la jetë në dy profesione dhe një mision. Në shumicën e jetës së vet poststudentore, ai udhëtoi si misionar i pabujshëm i shoqërisë civile. Është fiksuar në shumë kujtesa partnerësh si një kuotë e lartë zotnillëku me shumë vlera korrektese, pune, përkushtimesh dhe ndërgjegjeje.
Në Fakultetin e Shkencave Juridike e të Filozofisë kur nisi si pedagog, mbarte përvojën e gazetarit të medias publike që kishte arritur spikatjen e papërgënjeshtrimit, të besnikërisë ndaj burimeve, të drejt raportimit dhe sidomos si një përdorues i shkëlqyer i gjuhëshkrimit shqip, duke qenë njëherësh edhe zotërues elegant i gjuhëve të tjera.
Pas një viti, kohën që e shkon tashmë e përgjithnjë, në botën imagjinare të amëshimtë, në jetën reale të familjes, miqve, partnerëve të djeshëm dhe Fondacionit për Zgjidhjen e Konflikteve dhe Pajtimin e Mosmarrëveshjeve që la për vijimësi, mungesa shton një kurorë të madhueshme njerihumbjeje. Në këtë hapësirë mungese, duke gërmështuar këtë tekst in memoriam, më ngjan se zgjoj dikënd në shoqërinë tonë të hallakatur për t’i thënë një falenderim, këtij zotnie, qytetari dhe kolegu.
Ai lëvdimin apo çertifikimin tonë as i ndjeu dhe s’ka se si t’i ketë të nevojshme tashmë. Mirëpo, sikundër e thotë filozofi rumuno- francez Emil Cioran, mund të na kujtonte se :” Duhet rishqyrtuar gjithëçka, madje dhë dënesjet…” Sepse në memorien e shumicës së bashkëkohësve të vet, la shenjën e gazetarit, pedagogut dhe veprimtarit, ndërsa iku me virtytet e misionit të pastër qytetar.