Policia e Lezhës ka nisur hetimin në gjendje të lirë për shpifje, për ish-gjyqtarin Gjin Gjoni, kandidati i Sali Berishës në qarkun e Lezhës.
Hetimi për shpifje për Gjin Gjonin vjen pas deklaratave të tij se disa zyrtarë të PS ishin të implikuar në blerje votash.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpifja”, për shtetasin Gj. Gj., 55 vjeç, banues në Lezhë, kandidat për deputet i subjektit politik “Partia Demokratike”, pasi kanë kallëzuar shtetasit D. P., E. L., E. S., P. Gj. dhe R. N. (përfaqësues dhe simpatizantë të subjektit politik “Partia Socialiste”), se 55-vjeçari ka publikuar në rrjetin social “Facebook”, një postim, nëpërmjet të cilit shpif se 5 shtetasit janë të implikuar në blerje votash dhe intimidim zgjedhësish”, thuhet në njoftimin e Policisë së Lezhës.