Michelle Obama, ish-Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara, ka ndarë së fundmi një rrëfim të sinqertë mbi sfidat personale që po kalon. Gjatë një interviste në podcast-in e njohur “On Purpose” me Jay Shetty, Michelle ka treguar se aktualisht ndjek terapi, ndërsa përgatitet për një fazë të re në jetën e saj.
“Jam në një moment ku po mësoj të jetoj sërish në një hapësirë ndryshe, me më shumë liri dhe më pak ndjenjë faji,” është shprehur ajo. “Terapia më ndihmon të reflektoj dhe të kuptoj më mirë veten.”
Obama e përshkroi këtë periudhë si një tranzicion të thellë emocional, për shkak të faktit se vajzat e saj janë tashmë të rritura dhe janë larguar nga shtëpia – një ndjesi që shumë prindër e përjetojnë si “empty nest” (fole bosh).
Kohët e fundit kanë qarkulluar spekulime mbi martesën e saj me ish-presidentin Barack Obama, por Michelle i hodhi poshtë të gjitha zërat për ndarje. “Kemi një martesë shumë të fortë. Si çdo çift kemi kaluar ulje-ngritje, por nuk ka asgjë që po ndodh mes nesh,” u shpreh ajo.
Michelle Obama ka qenë gjithmonë një zë i fortë për shëndetin mendor dhe vetë-reflektimin, dhe ky rrëfim i saj i fundit është një tjetër shembull i guximit për të folur hapur mbi temat që shpesh mbeten tabu edhe për figurat publike.