Edhe një libër i ri: KOSOVA NË KLIMAKS POLITIK

6 Minuta Lexim
Nga Fahri Musliu-
Këto ditë doli nga shtypi libri im i ri “Kosova në klimaks politik”, me 37 analiza e komente të publikuara gjatë viteve 2015-2019, në portalin e shtëpisë më të madhe mediatike “Al Jazeera Balkans” në sekrokroatisht dhe anglisht, dhe dorëshkrimet vendosa ti botoj si libër në kohën kur Kosova serish po përjeton krizë të thellë politike, shoqërore e diplomatike
(…)
Republika e Kosovës që nga çlirimi, në qershor të vitit 1999, e veçmas nga shpallja e Pavarësisë, më 17 shkurt 2008, ka kaluar nëpër disa kriza të thella politike, diplomatike e shoqërore, që kanë pasur jehonë dhe pasoja të ndryshme, si për shoqërinë, ashtu edhe për zhvillimin e shtetit me institucione funksionale demokratike.
Mirëpo, periudha më e vështirë politike është ajo e viteve 2015-2019, e shoqëruar me akuza e kundërakuza të shumta, mospajtime, polarizime e përplasje të mëdha, madje edhe duke përdorur dhunë në parlament, ndërmjet subjekteve politike të ndara në dy pole: “Krahu i luftës” në krye me PDK, AAK e NISMA – në njërën anë dhe, “Krahu i paqes”, në krye me LDK, LVV dhe AKR – në anën tjetër.
E gjithë kjo krizë e thellë politike e diplomatike u bë thjesht për pushtet dhe për interesa personale e partiake, prandaj këtë e kam cilësuar si “KLIMAKS” POLITIK, nëpër të cilin po kalon shoqëria kosovare dhe shteti i Kosovës.
Karakteristika të kësaj krize ishin ( e vazhdojnë të jenë edhe sot): grindjete politike, polarizimet, gjendja e rëndë ekonomike e sociale, papunësia, korrupsioni, nepotizmi, kriminaliteti, vrasja e perspektivës dhe e shpresës së popullatës, veçmas e gjeneratave të reja, të cilat, qysh në fund të vitit 2014-të, filluan në mënyrë masovike të ikin nga Kosova në drejtim të Evropës, nëpër RRUGËT E FERRIT me shumë rreziqe duke i kaluar kufijtë, kryesisht ilegalisht me ndihmën e mafisë kontrabandiste, por edhe legalisht – duke siguruar me para të majme pasaporta të shteteve të rajonit, të cilat tani më e gëzonin liberalizimin e vizave, apo edhe duke siguruar viza me anë të kanaleve të ndryshme.
Tekstet e para, të botuara në fillim të vitit 2015-të, qenë si reagim imi ndaj ngjarjeve, që i paraprinë krizës në ardhje të Kosovës. Për ato ngjarje kam qenë dëshmitar, dhe i kam përjetuar shumë rëndë edhe si njeri e prind, edhe si gazetar e intelektual, prandaj vendosa t’i publikoj në portalin shumë të vizituar e lexuar të shtëpisë mediatike “Al Jazeera Balkans”, e njohur si CNN-i ballkanik, me seli në Sarajevë, në gjuhën boshnjake dhe angleze.
Nuk besoja se shkrimet e tilla për zhvillimet e mëpasshme politike në Kosovë do të kenë aq jehonë te lexuesit e portalit në fjalë dhe do të vazhdoj edhe më tutje të shkruaj. Mirëpo, gjendja dhe rrethi vicioz, në të cilën u fut shoqëria dhe shteti i Kosovës, e aktivizuan dellin tim profesional dhe me lutje të redaksisë së këtij portali, vazhdova të trajtoj, kryesisht tema (analiza) politike, dhe atë në kohën e krizës më të madhe politike e diplomatike (2015-2019), nëpër të cilën po kalonte Kosova e pasluftës…
Në fund të asaj periudhe, në zgjedhjet parlamentare të tetorit të vitit 2019, këto rrjedha edhe shkaktuan “cunamin” politik në Kosovë, kur pas gati 15 vjetësh në pushtet, zgjedhjet i humbi “Krahu i luftës” i drejtuar nga ish- komandantët: Thaçi, Haradinaj, Limaj, Veseli dhe qytetarët ia dhanë votën “Krahut të paqes” i përbërë nga LDK, LVV e AKR. Këta të fundit e formuan qeverinë e re nën drejtimin e Albin Kurtit, por koalicionin e prishi LDK-ja në kohën kur në vend ishte shpallur pandemia e “Corona virusit” dhe vendi u fut në krizë edhe më të thellë…
Me këto 37 shkrime, e duke u nisur nga memoria jonë e shkurtër, po ia kujtoj opinionit kosovar se nëpër çfarë faze kritike politike, diplomatike e shoqërore ka kaluar vendi, e ngjashëm po përballet edhe gjatë dy vjetëve të fundit. Madje, ndodhi që BE-ja ta sanksionoj Kosovën me masa ekonomike, shkaku i disa veprimeve të pakoordinuara të qeverisë në Veri të vendit, kur ajo u tregua pa vizion e pa takt politik e diplomatik, apo edhe arrogante. Kosova u sanksionua me masa të caktuara edhe nga administrata amerikane, si aleat kryesor, si për çlirimin, ashtu edhe për shpalljen e pavarësisë e të shtetndërtimit të saj.
Me ardhjen e Donald Trampit në krye të Administratës së SHBA-së, situata në botë po zhvillohet me shumë të panjohura, të cilat do të imponojnë ndryshime rrënjësore. Në këto rrethana të reja botërore, Kosova, pa shtetësi dhe subjektivitet të përfunduar, mund të gjendet në pozitë shumë më delikate e ndoshta do të ketë pasoja të mëdha e për këtë, padyshim, përgjegjësinë e bartin strukturat politike drejtuese të vendit, por edhe elitat kulturore, intelektuale, akademike, rinia studentore e qytetarët në përgjithësi, për shkak të heshtjes shumëvjeçare dhe pajtimit me të keqen.
Libri mund të porositet me postë të shpejtë në mesengger ose nr trl/viber +383 49644844, me çmim 10 Euro+taksa postare

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull