Humbëm të gjithë nga pak në cirkun e klikimeve

4 Minuta Lexim

Zallamahia që pushtoi hapësirën virtuale të shqiptarëve kudo ku jetojnë ka nisur të bjerë, dhe kur të jetë shuar përfundimisht, shanset janë që gjithësecili të ketë një lloj zgjimi, prej hangover-it që pasoi dehjen e përditësimit minutë pas minute, mbi fatin e Parashqevi Simakut.
Shumëkush do të kuptojë se po ta kishin pyetur më parë, ajo vetë nuk do të kishte lejuar për asnjë arsye – qoftë bamirësi e shtirur, ndjenja foshnjore të dala jashtë kontrolli, apo qoftë edhe ethet për shumëfishim klikimesh – që t’ia prishnin imazhin prej gruaje ikonë të fundviteve tetëdhjetë në Shqipëri.
Sepse duam apo nuk duam, ky ishte rezultati.
Në vend të imazhit të Parashqevi Simakut, një prej këngëtareve shumë të mira shqiptare (të mos harrojmë se kemi shumë të tilla që meritojnë respekt), e cila mbushte me gëzim nga skenat e festivaleve, zemrat e njerëzve në një kohë kur mërzia e zymtësia qenë ulur këmbëkryq, sot kanë ngulitur në mendjet e njerëzve, vetëm pamjet e përsëritura pa fund, të një gruaje në nevojë.
Në vend të imazhit të Parashqevi Simakut, e cila përcillte me një buzëqeshje plot optimizëm çdo tingull që dilte prej zërit të saj fantastik, sot kanë ngulitur në mendjet e njerëzve imazhin e një gruaje, të cilës nuk ia dhanë të drejtën të vendoste vetë: a dëshironte t’ia shfaqnin videon, ku i përgjigjej me mirësi çdo pyetjeje idiote që i bënin mbajtësit e celularit me kamera ndezur?

Si do të ndihet Parashqevi Simaku, po të kuptonte se pa e pyetur askush, e shëtitën si në cirk, portal më portal dhe televizion më televizion?
A do të kish preferuar të vazhdonte të bënte jetën që kishte zgjedhur, me atë filozofinë e mrekullueshme “Hope is what keeps us alive”, po të kish kuptuar se si ia bënë copë-copë imazhin dhe të kaluarën e saj kanal më kanal. Duke kujtuar se si “punonte që të blinte ilaçe për babanë”, se si “u shkaktonte epshe burrave me pushtet të asaj kohe”, se si “psikopatologjikisht ajo nuk është edhe aq mirë”, se si “ajo nuk e deshi Shqipërinë dhe donte ta harronte”, se si Parashqevia “i largohet kujtdo që flet shqip”.

Nëse për një çast do të pranojmë, se ato klikime nuk mund të konsiderohen fitore, a fitoi ndokush nga kjo që ndodhi?
Të gjithë dolën të humbur
Edhe Parashqevia.

Një darkë ku filmohet me celular çdo kafshatë nuk mund të konsiderohet triumfi final i të mirës, mbi gjendjen e vështirë të ikonës së muzikës shqiptare. As strehimi për disa ditë në një hotel të rehatshëm.

Do të kalojë kohë dhe ky dhjetor që u shenjua prej histerisë kolektive, me në qendër Parashqevi Simakun dhe fatin e saj në Amerikën e largët, do të kujtohet si koha kur të gjithë e humbën për së dyti Parashqevinë.

Të paktën herën e parë, na kishin mbetur në mendje vetëm kujtimet e buzëqeshjes së pangatërrueshme, dhe tingujt plot melodi të këngëve me të cilat fitonte festivale. Jo më. / bota.al

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull