Angel dhe Florina Cani, prindërit e 14-vjeçarit Martin Cani, i cili u vra pranë shkollës “Fan Noli” në Tiranë, i kanë dërguar një letër zonjës Nancy Vanhorn, përfaqësuese e Ambasadës Amerikane në Tiranë, duke kërkuar monitorimin e procesit hetimor. Ata shprehin dyshime se po tentohet të fshihet e vërteta dhe se fajtorët mund të shpëtojnë. Letra është adresuar gjithashtu për dijeni Presidentit Bajram Begaj, Kryeministrit Edi Rama dhe kreut të PD-së, Sali Berisha.
Letra e plotë:
E nderuar zonja Nancy Vanhorn,
Ne që po ju drejtohemi juve, jemi Angel dhe Florina Cani, prindërit e 14-vjeçarit Martin Cani, i cili prej tre javësh mungon në familjen tonë, pasi u vra në kohën kur ne besonim se ishte i sigurt në shkollë, një institucion që administrohet nga shteti shqiptar.
Ka më shumë se dy javë që po përjetojmë një vrasje të dytë të Martinit – papërgjegjshmërinë e disa institucioneve shqiptare, të cilat nuk po marrin përgjegjësi dhe nuk po japin dorëheqje për paaftësinë e tyre që na shkaktoi humbjen e djalit. Edhe më e pabesueshme dhe e pafalshme është se po na vrasin edhe ne si prindër, si dhe Henrin, vëllain e Martinit, me përpjekjet për të manipuluar dhe deformuar të vërtetën, duke mos e zbardhur ngjarjen qëllimisht, vetëm për të shpëtuar fajtorët – ata që, ndryshe nga Martini, jetojnë mbi dhe.
Kjo bindje vjen nga informacionet që kemi marrë nga njerëzit pranë nesh, si dhe nga diskutimet e bëra në studio televizive nga gazetarë të kronikës, prokurorë, avokatë dhe ish-punonjës policie. Për më tepër, kemi frikë nga mënyra se si janë trajtuar raste të tjera tragjike, ku autorët janë ndihmuar të shmangin ndëshkimin.
Zonja Nancy,
Kam besim tek ju, si nënë e një djali të mrekullueshëm dhe si përfaqësuese e një kombi që ka të shenjtë drejtësinë.
Ju lutem, ndihmoni duke ndjekur me seriozitet sjelljen dhe veprimet e institucioneve ligjzbatuese shqiptare, që të zbardhet plotësisht ngjarja dhe të vendosen para drejtësisë të gjithë ata që janë përfshirë në këtë krim, si në mënyrë të drejtpërdrejtë, ashtu edhe ata që mbrojnë krimin.
E dimë se Martini nuk do të kthehet më në këtë jetë, por drejtësia për ata që na e vranë dhe po na e rivrasin djalin, do të na japë mundësinë të jemi më të qetë dhe të përqendrohemi te Henri, vëllai i Martinit, i cili ende nuk e di që Martini nuk është më mes nesh – nuk e sheh, nuk e puth dhe nuk fle më pranë tij, si deri para tre javësh.
Kam besim tek ju.
Me respekt dhe dhimbje në shpirt,
Angel dhe Florina Cani