Nga Aleksander Çipa-
Këngëtarja Aurela Gace po sjell një “gravitet” të ri në ekranin e Top Channel, me AG Shouw.
Ka disa javë që në premierat e veta jo vetëm që risjell interpretim të ri, nga repertori i vet, jo vetëm që sjell hite në vite të këngës shqiptare, por rikthen shumëcka nga emocionet e krijimtarisë muzikore në kohë.
Aurela sjell në një natë të përjavshme, të cilën e libreton dhe menaxhon televizisht vetë, krijimtari dhe pasuri muzikore e kulturore atipike shqiptare.
Zonja e skenës që ka krejt energjitë shpërthimtare të një zonjëze artiste, me karakterin dhe sanguinitetin e një vlonjateje, me virtuozitetin e një artisteje të regjistrave të lartë, ka disa javë që imponon njëkohësisht edhe publikun e pranishëm në ESCAPE, edhe audiencën e TCH, me prurjet dhe interpretimet e veta.
Aurela ka arritur këto javë, një rekord audience në ekran dhe në hapësirën virtuale, sepse ka krijuar hapësirën dhe zgjeruar ekranin, për perlat dhe visaret muzikore të këngës moderne, të këngës së zgjedhur qytetare dhe krijimtarinë etnomuzikore shqiptare.
Në fotot e fiksuara nga shouw i kësaj jave, zgjodha ato me dy legjendat e Parodistëve të Vlorës Agron Hamo dhe Afrim Agalliu. Ata kanë qenë katër: … dhe Mane Lumani dhe Muhamet Lika i paharrueshëm. Agroni dhe Afrimi janë ende në udhë të artit dhe me sharmin e dy artistëve që i ruajnë ende Vlorës kuotën e lartë të humorit dhe vlerës së thekur të fjalës parodike.
Aurela evokoi jo zanafillën e vet artistike në Vlorë, por pranë dy artistëve dhe sidomos me in memoriam-in skenik, për divën e këngës, sikundër e quajti yllin e ndërprerë Anita Bitri, ngriti emocion dhe zgjoi paharresë.
Parodistët, si yjet shëmbëllanë me italianët e parodive të viteve ‘70-‘80-të në brigjet matanë Adriatikut, na kujtojnë se vlera e fjalës me peshë, e gatuar me muzikën e zgjedhur të artistëve dhe kompozitorëve shqiptarë, janë shenjë e fisme intelekti qesëndisës dhe humori, për të sotmen dhe të djeshmen që na bëhen qeshje falë talentit të tyre. Talenti i tyre nuk është i shkuar, por i shtueshëm pamvarësisht nga koha fizike në shtatin e tyre të mishtë.
Aurela, në natën e shouwt të vet cdo javë, di të zgjedhë e di të rikthejë, art dhe artistë që kanë bërë kohë dhe imponojnë kujtesë në një kohë antikujtese dhe në një publik që ngjan se ia kanë zhbërë shikimin ndaj trashëgimisë.
Aurela është artistja jonë e gjithëhershme që na është rikthyer në Shouw AG, si moderatorja autore dhe këngëtarja që zbulon prej vetvetes rinimin interpretues dhe majat e pjekurisë artistike dhe përzgjedhëse.
Ajo del e del për cdo javë në ekran, si diva që ka kohë të ardhme për të qenë shkëlqyese dhe sidomos për t’u imponuar edhe si meritore më imponuese.
Faleminderit Aurela!!!