Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, prezantoi këtë të hënë në Prokurorinë e Përgjithshme rekomandimet e qeverisë për luftën kundër krimit.
Ai theksoi se në qendër të propozimeve janë tetë shtylla kryesore, të cilat synojnë rritjen e efektivitetit të sistemit të drejtësisë penale, përmirësimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe respektimin e të drejtave të njeriut.
Sipas Manjës, prioritet do të jenë përshpejtimi i procedurave hetimore, shmangia e vonesave dhe lufta ndaj krimeve kibernetike, krahas ruajtjes së sekretit hetimor dhe mbrojtjes së viktimave dhe të pandehurve në përputhje me të drejtën për një proces të rregullt.
“Duhet të shmangen vonesat e pajustifikuara në hetime, të përdoren masa sigurie në mënyrë proporcionale dhe të forcohet lufta kundër korrupsionit, sidomos në nivelet e larta”, u shpreh ndër të tjera ministri.
I pranishëm në mbledhje, kreu i SPAK, Altin Dumani, shprehu rezerva ndaj rekomandimeve të qeverisë, duke i cilësuar disa prej tyre të paplota dhe të paqarta.
Sipas Dumanit, mungojnë të dhënat statistikore dhe analizat krahasuese që justifikojnë ndërhyrjet e propozuara, ndërsa termat e përdorur janë të përgjithshëm dhe pa përkufizime operative.
“Rekomandimet nuk shoqërohen me të dhëna konkrete, çka i bën subjektive dhe vështirë të matshme. Disa janë shumë të përgjithshme dhe nuk përcaktojnë objektiva të qarta, institucione përgjegjëse apo burime konkrete. Kjo i bën të vështira për zbatim dhe për raportim nga institucionet si SPAK”, tha Dumani.
Ai shtoi se futja e mekanizmave të rinj të kontrollit, pa analizë të funksionimit të mekanizmave ekzistues, rrezikon të sjellë mbingarkesë burokratike dhe të mos sjellë efikasitetin e kërkuar.
“Një rekomandim tjetër që shikoj, megjithëse në vlerësimin e institucionit tonë nuk ka të bëjë drejtpërdrejt me prioritetet dhe luftën kundër kriminalitetit, por është ajo që ju e thoni në rekomandimet tuaja ‘nevojë për respektim të mekanizmave ekzistues të kontrollit’. Rekomandohet forcimi i mekanizmave të brendshëm të kontrollit. SPAK, tashmë subjekt i mbikëqyrjes nga KLP, ILD, dhe krijimi i strukturave të reja për vlerësim dhe integritet, pa një analizë të mekanizmave ekzistues, rrezikon të sjellë një mbingarkesë burokratike,” tha Dumani.
Kryeprokurori Olsian Çela tha se është e rëndësishme ndjekja e rekomandimeve të qeverisë për luftën ndaj kriminalitetit, ndërsa theksoi se një nga pikat kryesore që prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm pritet të ndjekin është plotësimi i organikës me stafin e duhur. Çela bëri me dije se aktualisht ka një mungesë 35% në organikën e prokurorive, që e bën të vështirë ndjekjen e rekomandimeve.
“I rëndësishëm për ndjekjen e rekomandimeve do të jetë sidomos për Prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm plotësimi i organikave. Ngritja e seksioneve të posaçme dhe njësive të specializuara kërkon njerëz pasi ende ne kemi 35% të mungesave në organikë, e cila relativizon mundësinë e ndjekjeve të rekomandimeve,” tha Çela.
Ai gjithashtu ngriti shqetësimin për infrastrukturën, veçanërisht për prokurorinë e Tiranës dhe gjykatën e këtij rrethi, duke e cilësuar këtë një çështje urgjente. Çela shprehu shpresën për vijimin e përpjekjeve për zgjidhjen e kësaj çështjeje, pasi cilësia në ndjekjen e hetimeve lidhet drejtpërdrejt me kushtet e punës.