Nga Refik Hasani-
Më datën 20 maj 2001, pas një procesi jo të shkurtër të kohëzgjatjes së negocimit, arrihet Marrëveshja e Konçulit, për ndaljen e luftimeve si një armёpushim me ndërmjetësimin e faktorit politik dhe ushtarak ndërkombëtar, në emër të Beogradit zyrtar dhe duke u konsultuar me të gjithë liderët e partive politikë: Drejtues Politik të Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, së bashku me komandantët e zonave dhe Komandantin e Përgjithshëm të UÇPMB-së, zotin Shefqet Musliu.
Që nga ajo kohë, kanë kaluar 23 vite. Asnjë takim, asnjë konsultim nuk është realizuar që nga data e kësaj marrëveshjeje edhe pse është paraqitur domosdoshmëri e kohës për rishikimin e saj për plotësimin e qellimit, ndërsa ka kaluar afër çerek shekulli.
Ne shqiptarët, për shkak të diskriminimit, ishim në një kryengritje të armatosur dhe për këtë qëllim u formua UÇPMB-ja. Sot është momenti për të paraqitur dhe shfaqur paknaqësinë për moszbatimin e asaj marrëveshjeje.
Beogradi zyrtar jo vetëm që nuk e ka respektuar Marrëveshjen e Konçulit, por i ka shtuar forcat e armatosura, paramilitare, forcat e rregullta, forcat policore, grupet e civilëve të armatosur, paramilitarët, Gardën Kombëtare, milicinë, policinë kufitare, rezervistët ushtarakë, policinë ushtarake dhe shërbimet e inteligjencës. Tashmë pas 23 viteve kemi gati të ngjashmen situatë:
I. Prezencën e forcave serbe të shtuar nëpër vendbanimet dhe lokalitet shqiptare të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit. Janë 48 minibaza në Zonën Tokësore të Sigurisë. Ndërkohë që ka militarizim të lartë.
II. Amnistia e ish-ushtarëve të UÇPMB-së nuk është respektuar, sepse pas Marrëveshjes së Konçulit shumë ushtarë, pas dorëzimit të armëve edhe pse nën mbikqyrje, monitorim e garantim ndërkombëtar, janë ballafaquar dhe përballur me ftesa të pranura, në biseda të shpeshta informative, janë keqtrajtuar, maltratuar dhe u janë ngritur e kurdisur skenare për burgoje e arrestime.
III. Policia multietnike nuk është instaluar në përpjesëtim me popullatën, e as në hierarki komanduese në policinë multietnike.
Eshtë e qartë se kemi cenim, mohim e shkelje me dy këmbët të Marrëveshjes së Konçulit. Eshtë një ikja flagrante nga ajo që u arrit konform Testit dhe që për njëjtën përmbajtje ranë dakord e nënshkruan palët në konflikt. Prej atëhere mbetet i pazbatuar Neni 3, i kësaj marrëveshjeje. Në të cilin theksohet:
Nënshkruesit njohin dhe mbikqyrin shtesën protokollare të Konventës së Gjenevës, të 12 Gushtit 1949, lidhur me mbrojtjen e viktimave nga konfliktet jondёrkombёtare.
Ndërsa vazhdohet sipas asaj që u arrit konform Testit dhe për njëjtën përmbajtje kanë rënë dakord e kanë nënshkruar, në Nenin 4, të marrëveshjes, ku shenjohet:
Marrëveshja vlen për tё gjitha forcat e armatosura dhe paramilitare, duke pёrfshirё Policinё e vendosur brenda apo afёr kufijve tё Zonёs sё Sigurisё, tё cilat janё tё definuara nё Marrёveshjen Tekniko-Ushtarake dhe Rezolutёn 1244 tё Këshillit të Sigurimit tё Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Gjithashtu sipas asaj që u arrit konform testit dhe në të njëjtën përmbajtje, kanë rënë dakord e kanë nënshkruar pikërisht edhe në Nenin 8, i cili ka të bëjë me kufizimet, konform Marrëveshjes së Konçulit, sipas pikës A dhe B të këtij neni.
Në këto dy nene saktësohen kufizimet të cilat nuk janë vetëm, saktësohen edhe me pika të tjera si:
1. Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut e vitit 1948,
2. Konventa kornizë e Këshillit të Evropës për mbrojtjen e pakicave,
3. Konventa Evropiane për mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe lirive themelore, dhe:
4. Udhëzuesi mbi Nenin 6, të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Marrëveshja e Konçulit do të duhej të rishikohej për plotësimin dhe nxjerjen e një konstatimi nga palët prej të cilave është ndërmjetësuar, si dhe prej aktorëve ndërkombëtarë që e kanë marrë përsipër monitorimin dhe njëkohësisht u autorizuan të mbesin garanatues të zbatimit të Marrëveshjes së Konçulit.
Kësaj marrëveshjeje sot, duhet t”i rishikohet zbatueshmëria, si për :
I. Të gjitha forcat serbe që janë të përqëndruara nëpër vendbanime e lokalitete të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit duhet të tërhiqen nëpër kazerma, duke përfshi edhe heqja e 48 minibazave në Zonën Tokësore të Sigurisë, pasi ka militarizim të lartë në këtë Rajon. Kjo duhet bërë sepse është detyrim i zbatimit të pakryer ndaj Marrëveshjes së Konçulit.
II. Amnistia e ish-ushtarëve të UÇPMB-së nuk është respektuar, kjo është shkelje e Marrëveshjes së Konçulit.
III. Policia multietnike do të duhej të instalohej në përpjestim me popullatën. Hierarkia komanduese dhe zinxhiri komandues në Policinë Multietnike duhen në përputhje me Marrëveshjen e Konçulit.
Eshtë momenti që në këtë përvjetor të nënshkrimit të Marrëveshjes së Konçulit, kur përkujtohet edhe vrasja e ushtarakut të lartë të Ushtrisë Çlirimitare për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, komandant Ridvan QAZIMI-LLESHI, të ngremë zërin për zbatimin real të marrëveshjes. Ky hero i kombit nga Tërnoci ishte njëkohësisht pjesë neguciuese për arritjen e armëpushimit dhe nënshkrues i Marrëvshjes së Konçulit.
Në këtë kuadër është rasti ndër të tjera të kërkohet dhe ngrihet zëri për zbardhjen e vrasjes enigmatike dhe të pabesë të këtij komandanti. Kjo kërkesë mbetet e padëgjueshme edhe pse ka vite e vite që përsëritet kërkesa për hetim nga një komision hetimor ndërkombëtar.