Prania shqiptare në një “sfilim” inovativ të Kinës dhe vendeve të EQL

8 Minuta Lexim

Ekonomia dhe tregjet në përgjithësi janë  “bota tjetër” e lirisë së interesave që kontraston me atë të politikës dhe  të diplomacisë. Sidomos kjo e fundit, përherë shton provën e ngadalësisë në raport me tregtinë dhe ekonomitë rajonale dhe ndërkombëtare, kur bëhet fjalë për prishje rendesh ekonomike apo aq më tepër ndryshime në tregjet tradicionale ndërkombëtare.

Mjafton të vëresh agjendën dhe sidomos pjesëmarrjen, përfshirjen dhe interesimet për Ekspozitën e Katërt Kinë-Evropë Qendrore dhe Lindore që zhvillohet tashmë në Ningbo dhe bindesh se sa antitabu janë interesimet tregtare dhe shkëmbimet mes kompanive dhe entiteteve të shumta tregtare nga vende dhe rajone të ndryshme botërore, të cilat kanë specifika dhe përcaktime krejt të ndryshme politike e shoqërore.

Tri vende europiane në këtë event të jashtëzakonshëm, po shpërfaqin jo vetëm projeksione të tyre kombëtare për zhvillimet inovative dhe atë të industrisë së inteligjencës, por  qartazi kanë afishuar perspektivat konkrete të projekteve revolucionarizuese në shërbimet e transporteve dhe ato të aviacionit me energji.

Është fjala për  Sllovakinë dhe Slloveninë, shtete që të përafruar edhe me Hungarinë, po sendërtojnë në marrëdhëniet bilaterale dhe partneriale me Kinën një qasje të re strategjike për ekonominë, tregtinë dhe përfitimin inovativ në sektorë të ndryshëm të industrive.

Gjatë kësaj jave, në qytetin e Ningbo, Ekspozita e Katërt Kinë-Evropë Qendrore e Lindore, mbledh jo thjesht delegacione me interesa të shumëfishta studimi dhe paracaktimi tregtar, por edhe nxit kureshtje të shumta shtetërore për njohjen e imazheve reale të progreseve teknologjike dhe inovative që ekspozojnë kompanitë sfidante kineze dhe  ato aziatike në përgjithësi.

Ekspozita e Katërt Kinë-Evropë Qendrore dhe Lindore që zhvillohet tashmë në Ningbo/Foto nga VCG

Kjo ekspozitë, për nga formati dhe struktura organizative e saj, krijon imazhin e një festimi vjetor mes bashkëpunëtorëve dhe partnerëve të shumtë ndërshtetërorë, shkencorë dhe teknologjikë mes vendeve të Kinës dhe atyre të dy prej rajoneve më potenciale, të Europës Qendrore dhe Lindore.

Ekspozita e Katërt në Ningbo të provincës Zhejiang të Kinës Lindore, ofron një ambicie specifike të formuluar në temën: “Vizione të Reja për të Ardhmen”. Fokusi i saj përqendrohet tek kufijtë teknologjikë dhe inovacioni industrial, duke synuar të krijojë një model të ri për zhvillimin bashkëpunues ndër-rajonal.

Organizatorët e adresojnë këtë qendër shkencore dhe teknologjike si një pistë ku demonstrohet, në gjithë mjedisin e ekspozitës, forca teknologjike e mikpritësve.

Sikundër ofron edhe zonën e pare: “Vendet e EQL-së Digjitale dhe Inteligjente”, duke bërë së bashku teknologjitë më të përparuara globale për një perimetër gjeografiko global më të zgjeruar.

Mjafton të theksohet se në pavijonet e Ekspozitës kryevendosen ekspozime nga kompanitë kryesore kineze si Shanghai Zhiyuan Robotics dhe Beijing Xingdong Era, së bashku me kompani me seli në Zhejiang si “Unitree”, “DeepSeek” dhe “Lingban Technology”,  të  perceptosh se pjesëmarrësit, të ftuarit, delegacionet dhe subjektet e interesuara në këto lëmi nga dy palët, të kenë mundësinë e përfitimit të imazhit dhe ofertave për robotë humanoide, robotë katërkëmbësh dhe teknologji ndërveprimi AR etj., etj.

Ekspozita e Katërt Kinë-EQL, Ningbo/Foto nga VCG

Ndër vendet e përfshira në asetet kryesore të ekspozitës është edhe Hungaria. Një vend aq i afërt gjeografikisht dhe me histori partneritetesh me Shqipërinë, vendin që kësaj here përfaqësohet me një delegacion në këtë event të bujshëm.

Në këtë pjesëmarrje, Shqipëria si vend me pozitë gjeografike në vendet e EQL, jo vetëm do të njihet me ekspozitën e “teknologjive të zeza” apo “Murin Magjik” të Hungarisë, por njëkohësisht  nga vende pjesëmarrëse si  Sllovenia, (një lider global  në avionët elektrikë përmes kompanisë së njohur Pipistrel), do të përfitojë një dijeni dhe njohje të posaçme për modelet dhe risitë e tyre  të fjalës së fundit.

Ekspozimet në pavijonet e konferencës, nga të gjitha vendet dhe kompanitë pjesëmarrëse, krijojnë mundësinë e një audience të fuqishme shumëkombëshe e shumështetërore.

Falë setit dhe risive telekomunikuese dhe online të Ekspozitës, audiencave u krijohet mundësia eksploruese dhe njohëse jo vetëm rreth historisë dhe kulturave apo trashëgimive kombëtare, por njëkohësisht edhe për trendet inovative, shkencore dhe teknologjike në këto vende dhe shoqëri që mbartin kontraste dhe veçori krejt të ndryshme.

Ekspozita e Katërt Kinë-Evropë Qendrore dhe Lindore që zhvillohet tashmë në Ningbo/Foto nga VCG

Në këtë event Shqipëria ka mundësinë të ofrojë jo thjesht një guidim për pasuritë kulturore, trashëgiminë, turizmin dhe nxitjet ekonomiko-tregëtare të vetat. Prania e saj shton një dijeni dhe potencon, pse jo, kahun zhvillues të saj në fushën e digjitalizimit dhe informatizimit jo vetëm të shërbimeve publike dhe administrative, por edhe të infrastrukturës shërbyese e komunikuese në sektorë të ndryshëm dhe sipërmarrje që kanë lënë pas tradicionalizmin dhe arkaizmin industrial apo zejtaresk.

Përfaqësuesit nga Shqipëria, duke qenë jo thjesht vizitorë të Ekspozitës, por edhe të përfshirë në evente si Konferenca, do të kenë rastin për të studiuar dhe njohur opcionalisht promovimet e projekteve dhe programeve të reja në fushën e aviacionit të përgjithshëm, në industrinë e automjeteve të energjisë apo në iniciativa të tjera në teknologji të tjera.

Dialogu inovativ mes Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, në këtë event që shënon 13 vjetorin e këtij bashkëpunimi, kapërcen vlerën e vitrazhit të ofruar me aq përkujdes, sikundër shërben si një mundësi për ofertime dhe vetëpërcaktime porositjesh dhe pronotimesh për produktet e teknologjive më të përparuara në nivel global.

Produktet nga Evropa Qendrore dhe Lindore në Ningbo/Foto nga VCG

Prezenca e disa kompanive shqiptare si dhe e ekspertëve në fushën e implementimit të teknologjive të reja dhe ofertave inovative, ka vlerën e një impakti të afërt në sektorë specifikë të biznesit, prodhimeve, industrisë dhe tregtisë si dhe të sjelljes së seteve digjitale dhe teknologjike në jetën praktike shqiptare.

Nuk ka asnjë dyshim se një pjesëmarrje e tillë shqiptare në  “sfilimin e risive inovative që bashkojnë  interesa dhe grishje nga dy kontinente, e bën të mundur dijeninë shqiptare për  të rejat që kanë mbërritur dhe ato që parathuhen, në  botë “ e rrëmbyer” prej revolucionit robotizues dhe ai i teknologjive të pareshtura ku kryeshquhet inteligjenca artificiale. Diplomacia e inoviteteve dhe tregjeve, ka hyrë në një tjetër epokë shpejtësie, të cilën as tradicionalia dhe as institucionalia nuk e kapin apo nuk e tejkalojnë dot…

Aleksandër Çipa

 

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull