Turqia në paqe me kurdët, pas 40 vjet gjakderdhjesh, shkatërrimi dhe përndjekjesh

13 Minuta Lexim
Nga Nehat Islami-
-Kongresi i Partisë Punëtore të Kurdistanit (PKK) që përfundoi më 12 maj 2025 në Kurdistanin irakian, duke miratuar kërkesën e liderit të saj Ocalan, nga një qeli e burgut  në një ishull  të Stambollit, vendosi ta zhbëjë  Parinë dhe forcat e saja të armatosura dhe t’i kthehet rrugës demokratike për të drejtat e  kurdëve. Presidenti  Erdogan e përshëndeti këtë hap, por dyshimet ende mbretërojnë gjerë në finalizimin  e  këtij vendimi ‘historik’ siç e  quajnë  pakica kurde.
Paralajmërimi se Turqia do të shpëtojë nga shqetësimet e sulmeve të Partisë Punëtore të Kurdistanit (PKK) kundër  forcave të saja ushtarake e policore, qytetarëve të pafajshëm dhe pushtetarëve të  ndryshëm, që erdhi nga një qeli e burgut  të një ishulli të vogël të Stambollit, ku që nga viti 1999 gjendet lideri i PKK   Abdullah Ocalan, së pari i dënuar me vdekje, e pastaj me burgim të përjetshëm, në fillim u prit me habi, por doli se ishte i vërtetë.
      Ocalan (ose daja) si e quajnë kurdët, në mars të këtij viti  kërkoi nga  Kongresi i PKK që të shpallë  zhbërjen e parisë PKK , të cilën ai dhe disa intelektualë e studentë kurdë e formuan më 1978 në një tubim  të mbajtur në brigjet e Liqenit të Ankarasë, si dhe të ndalojnë çdo veprim ushtarak në Turqi dhe në vendet fqinje. Ai gjithashtu kërkoi që tani e tutje  çdo  kërkesë për të drejtat e kurdëve të zhvillohet në rrugë demokratike.
        Kongresi i PKK, , i mbajtur në fillim të këtij maji në malet e Kurdistanit Irakian, i miratoi këto kërkesa dhe ato i shpalli si vendime të veta.  Presidenti  turk,  Erdogan i përshëndeti këto vendime,    si ,,hap  te rëndësishëm për ruajtjen e paqës dhe vëllezërisë;,,por lexuesit, me të drejtë interesohen se çfarë ka ndodhur me kurdët  në të kaluarën dhe pse PKK e filloi luftën e armatosur kundër forcave turke më 1984 që mori mbi 40 mijë jetë  të popullsisë kurde, mijëra ushtarëve dhe policëve turq, që shkatërroi  disa qindra fshatra  të banuara me kurdë, zhvendosi mbi gjysmë milioni kurdë nga vendbanimet e tyre etj.
   Filli   zihet në rënien e Perandorisë Osmani, e cila pas largimit  nga Ballkani (1912), pas më shumë se  gjashtë shekujve, u fal edhe me Lindjen e Mesme (1918). Atëbotë  shumë popuj të  Lindjes së Mesme dhe të Kaukazit shpallën pavarësinë, sikundër edhe kurdët, që nga një territor kompakt gjatë Perandorisë Osmane, tani me Planin anglo-francez  Sykes/Picot  (Sajks /Pko)  që më 1916,dy vite para rënies së Perandorisë Osmane ,kishin parashikuar ndarjen e Lindjes së Mesme në disa shtete (Tuqi, Irak, Siri dhe Iran).dhe vënien e mandatit  mbi to.
       Sa i përket  Turqisë dhe kurdëve të saj, duhet përmendur  se disa  popujve, si kurdëve  nuk ua deshi fat që në fillim. Në Konferencën e  Sevrit (10 gusht 1920), fuqitë e Antantës dhe Perandoria Osmane që po jepte shpirt, u morën vesh për themelimin e shteteve të pavarura edhe në Lindjen e Mesme. Aty përfshihej edhe Kurdistani i pavarur ne  territoret e veta jetike. Mirëpo, në Konferencën e Lozanës (1923)  Turqia e  Ataturkut arriti ta zhbëjë vendimin e  Sevrit, kështu që  kurdët  që sot jetojnë në Turqi, mbetën të jetojnë aty, kurse pjesët e tjera  të banuara me kurdë (në Irak, Siri dhe Iran) u bënë shtetas të tyre.
       Historia e popullit kurd  në këto shtete është e shkruar me gjak e lot, duke filluar nga Iraku, ku jetojnë katër milionë. Duke kërkuar autonomi, të cilën e fituan më 1985, ata u kacafytën me të gjithë liderët e  Irakut, por më së gjati me Sadam Hysenin. Ai përdori edhe gaze helmuese kundër kurdëve të vet (në Halabia), vrau me mijëra, i zhvendosi nga veriu në jug të vendit, por më në fund, pas luftës me SHBA-në dhe aleatët (1991) kurdët  fituan autonominë e tyre, e cila ende gjallon si  një gjysmështeti.
      Fati i kurdëve në Iran, ku jetojnë mbi tre milion, është shumëngjyrësh. Në përgjithësi, në Iran kurdët janë ndier më mirë se gjetiu. Gëzojnë  të drejta të barabarta, u lejohet përdorimi i gjuhës dhe kulturës së tyre, madje gjatë Luftës irako-iraniane  (1981) kurdët e Irakut dhe të Iranit, ishin në anën e Iranit. Kurdët e Irakut gjatë këtij gjysmëshekulli e kanë shfrytëzuar Iranin si vendstrehim nga përndjekjet e pushtetarëve të Irakut.
       Kurdët e Sirisë numërojnë mbi dy milionë banorë. Jetojnë në pjesët veriore të vendit, në kufi me Turqinë. Ata gjatë Luftës së fundit në Siri, e ruajtën  territorin e vetë ku shpallën autonominë dhe organet e veta të pushtetit duke mos u konfrontuar me forcat e Bashar el Asadit. Ata u angazhuan në luftën e SHBA-ve dhe aleatëve kundër ISIS-it, por  Turqia ndërmori disa fushata ushtarake kundër tyre, me pretekst se janë dorë e djathtë e PKK. Lideri i tyre bëri një marrëveshje me  shefin e ri  sirian, Al Sharaa, për bashkëpunimin e forcave të tyre ushtarake me Armatën e re Siriane, por për autonomi ende nuk janë marrë vesh.
       Por t’i kthehemi Tuqisë dhe kurdëve të saj, të cilët llogariten se përbëjnë rreth 15% të popullsisë së përgjithshme, pra rreth 15 milionë. Kjo shifër kontestohet nga  pushteti turk, i cili pranon të jenë rreth 10 milionë. Natyrisht, as gjysma e tyre nuk kanë qenë ithtarë të PKK. Një pjesë e madhe e popullsisë kurdë dhe liderëve të tyre politikë, veprojnë në kuadër të Partive Politike të Turqisë.  Disa parti që kanë shfaqur ndonjë afërsi me PKK e kanë pësuar vazhdimisht, sikundër edhe intelektualët dhe mësuesit në veçanti.
      Por  duhet theksuar se  raportet e  Ankarasë zyrtare dhe  kurdëve të vet, gjatë dyzet vjetëve të fundit kanë pësuar shumë batica e zbatica, me shumë gjakderdhje nga të dyja palët, me disa armëpushime, e madje edhe me një klimë më tolerante  gjatë pushtetit të Turgut Ozalit, kur ai, edhe vetë me prejardhje kurde, iu premtoi kurdëve shkolla në gjuhën e tyre, radio dhe TV ne gjuhën e tyre etj,por me vdekjen e tij, vdiqën edhe shpresat për një qetësi të përhershme.
        PKK në vitet  e para të luftës së saj të armatosur kërkonte pavarësi,por më vonë ,duke e parë këmbëngulësinë e Ankarasë që të kundërshtojë me cdo kusht këtë kërkesë, ata  ndyshuan qëndrimet dhe  kërkonin autonomi. Kur as kjo nuk u perfillë,zbriten vetm ne rrafshin  e te drejtave per   gjuhe dhe kujture.
          Ne  planin politik nuk pati shume ndryshime.Bazament i tyre qe nga fillimi ishte marksizëm leninizmi. Flamurin e ndryshun    disa herë,por yllin e kuq pesëcepësh  nuk e hoqën.
          Kështu përafërsisht ka ndodhur gjerë tani, por si do të jetë e ardhmja, mbetet të  pritet dhe  të shpresohet.
            PKK u zotua publikisht se pas 12 majit 2025 më nuk ekziston as si parti e as si forcë e armatosur. Kjo, nuk ka të bëjë vetëm me Turqinë, por edhe me Kurdistanin Irakian ku gjendej selia e shtabit ushtarak të PKK-së dhe shumë luftëtarë. Për këtë ngjarje u gëzuan edhe kurdët e Irakut, sepse edhe goditeshin nga sulmet e  aeroplanëve ushtarakë turq, sa herë që goditnin atje forcat e PKK-së.
       Ndonëse kurdët e Sirisë ende nuk janë deklaruar botërisht për këtë ngjarje ‘historike’ si e  vlerësuan udhëheqësit e ish PKK-së, ata gjithashtu do të pajtohen, sepse në këtë mënyrë do të zbusin presionin e Turqisë ndaj  tyre si  ‘dorë’ e PKK-së. Gjithashtu, ata do të kenë më lehtë të bashkëpunojnë me pushtetin e ri të Sirisë, i cili është  shumë i  varur nga Ankaraja.
        Edhe SHBA dhe aleatët tjerë do të jenë më të relaksuar, ngase aleatët e tyre, kurdët e Sirisë që luftuan së bashku me ta ISIS-in, do të jenë më të qetë ndaj sulmeve të armatës turke si dhe do të bashkëpunojnë në atmosferë më relaksuese me Damaskun zyrtar.
          Analistët e brendshëm dhe të jashtëm presin se një pjesë e ish luftëtarëve të PKK-së do të  shpëtojnë nga amnistia, e cila pritet të ndodh nëse çdo gjë do të shkojë sipas planeve që ende nuk janë shpallur, një pjesë do të futen ne  paritë e vendit, kurse liderët e PKK pritet të largohen nga vendi. Por tani këto janë vetëm parashikime. Disa vëzhgues parashikojnë se nëse gjërat do të venë mbarë pas zhbërjes së PKK-së, shumë kurdë do t’i bashkohen parisë në pushtet, duke ia kthyer shpinën opozitës, ndaj të cilës kishin më shumë honepsje.
   Me kurdët jam njohur në Bejrut, viteve të ’70-ta kur isha korrespondent, ku shitësit ambulantë të perimeve, hamajtë dhe taksistët, me shumicë ishin kurdë. Ishin të përvuajtur dhe shumë të sjellshëm. Disa i njihja, pasi blija tek  ata. Shpesh bisedonim për tema të rëndomta, por ndonjëherë edhe për politikë.
Atëherë kuptoja se disa ishin intelektualë të ikur nga Turqia ose Siria. Madje njeri prej tyre, më shpjegoi se nacionalizmi kurd kishte lindur në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë në Stamboll dhe në Kajro ku vepronin shoqatat kulturore kurde. Njësoj  si ato tonat.
Madje, ato vite pata rastin të takohem në Damask edhe me liderin kurd  Xhelal Talabanin, kur ai ishte refugjat në Damask, pasi kishte ikur nga Iraku, pas Marrëveshjes së Sadam Hysenit me  Iranin (Marrëveshja e Algjerit,1975) kur  Irani  hoqi dorë nga ndihmat që ua jepte  kurdëve të Irakut për të fituar disa kilometra territor kontestues në Shat el Arab të Irakut. Atëherë shumë liderë kurdë u detyruan të lëshojnë Irakun, sepse Sadam Hyseni e trashi zullumin mbi kurdët edhe më shumë.
Pastaj kur ai u bë kryetar i Irakut, jemi takuar sërish dhe kemi evokuar kujtime nga takimi ynë në Damask ku janë mbajtur edhe Kongreset e para të PKK-së. Një kongres i tillë është mbajtur edhe në Bejrut më 1983, por për të nuk ka pasur asnjë informatë publike.
Por sot, kur nuk ka fshehtësi lidhur me PKK, pas  shpalljes së zhbërjes së saj, Turqia  do të gëzojë edhe një favor të rëndësishëm. Kjo ka të bëjë me heqjen e një barre që e bartte nga bashkësia ndërkombëtare lidhur me  pozitën e kurdëve. Kjo do të jetë një ndihmesë për Ankaranë në raport me BE-në lidhur me shumë benefite politike dhe ekonomike.

 

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull