Artan Lame iku…., si një pasionant buzëhollë

7 Minuta Lexim
Nga Aleksander Çipa-
Kur heshtja e trurit parapriu ndaljen e zemrës së Artan Lames, brenda një dite, ai, nuk pati mundësinë të shprehej për atë që ndodhi dhe u la e shkruar, prej të gjallëve në vendin e vet. Se si u ndanë të gjallët: në lëvdonjës dhe mallkonjës, për jetëvdekjen dhe të bërat e tij në karrierë e pasione.
Miqtë dhe të njohurit, njohësit dhe cmuesit, përcollën fjalët e ndjenjta eulogjike për ikjen e beftë e të dhimbshme të mesoburrit, i cili cuditërisht pati dy nisje dhe një ikje drejt vdekjes…
Ndërsa shumë të tjerë, në kënetësinë virtuale të shqipes, lëshuan vrunduj dhe shkulme mallkimesh dhe përgojimesh, si në të thënën e tij të dikurshme:
– Shani o shqiptarë, se sharja ju bën më të mirë dhe ju lë sic jeni!
Në besimin utopik se Artani për herë të dytë i kish dalë nga kthetrat vdekjes, e hoqa këtë shkrim nga qarkullimi dhe leximi virtual, për një ditë. Padashur, për arsye të njohjes dhe shkëmbimeve intelektuale që kam pasur me Tanin, po risjell, duke mbishtuar ndjenjën time të dhimbjes për humbjen e një të rralli, të cilit do t’i mbartin mërinë disa për “tapi” apo letra pronësore si ish zyrtar kadastral, por do ta duan dhe cmojnë, shumë e shumë më tepër, të sotëm e të ardhëm, kur të shkelin në pavionet apo para eksponantëve muzealë të lënë si testament apo si shenjë unike kombëtare, deri në momentin kur ishte në këmbë në Atdhe….. Deri kur…:
Artan Lame iku…., si një pasionant buzëhollë…
La pas kënaqësitë ende të shijueshme, në shkrimet e tij, për lexues të sotëm dhe të ardhëm. Iku duke na lënë në atë qesëndinë e njohur të tij, në ciklin e dikurshëm të së përditshmes “ Shqip” tek rubrika “ Shqypni tavolinash”.
Ikja e tij si tek Lamja, ishte me hoka.
E provokoi më herët dhe e mori tash…
Në këtë ikje, pakthim dhe të pabujshme, ngjau si për të na lënë në gravitetin e së pakthyeshmes njerëzore. Në atë fat, të cilin më së miri, na e sintetizon poeti i ndjerë modest i Gjirokastrës:” Do të shkojmë, more të mjerë/ mbi kokë do na vënë një gur/ për të vajtur do të vemi/ për të ardhur, s’vimë më kurrë!”
Lame la shenjat dhe sidomos kujtimet, e një koniciani qesëndisës në shkrime.
Në dhjetra të përditshme të Shqipërisë, la një publicistikë atipike ( si autor)në disa zhanre të gazetarisë së shkruar.
Shkrimshkroi gjatë në kohë, duke mishëruar një stil të dallueshëm dhe të shqueshëm jo vetëm në koleksionet e shtypit shqiptar të më shumë se tri dekadave, por edhe në disa libra dhe bashkëbotime që cmohen e do të cmohen për mendim dhe gjetje, për referenca dhe evokime sa prej historisë e kulturës aq edhe prej shtetarësisë dhe institucionalizmit shqiptar.
Artan Lame është aktivisti i paepshëm dhe i investuar i memorialistikës dhe disa derivateve të saj në historinë e së shkuarës sonë shtetërore e kombëtare.
Artan Lame nuk u rresht së kërkuari dhe koleksionuari artefakte nga heraldika shqiptare, nga filatelia, nga uniformat dhe kostumografia gardiste kombëtare, ceremoniale dhe rituale shtetërore si dhe orendi-faktet e administratës dhe shtetarësisë mbretërore e republikane shqiptare.
Letërsia memorialistike dhe ajo kulturologjike e Artan Lames, është një materie e vlershme shkrimore për të na grishur në të sotmen dhe të ardhmen, si lexues dhe zelltarë të shkrimit. Është publicisti studiues që e ka merituar wcmimin e këtij modeli.
Lames i cmojmë si miq, bashkëpunëtorë, lexues dhe njohës të pasioneve prej stoiku, rëndësinë e projekteve, të cilat ia ndërpreu vdekja dhe na i la pothuajse gati, sikundër është muzeu i veshjeve zyrtare ceremoniale….etj., etj.
Lame, shakanë me vdekjen dhe qesëndinë fisnike ndaj saj, na i la në shumicën e jetës së vet, ndërsa shkoi me ndërprerjen e shumëckaje që kishte si ide dhe projekte për më tej.
Iku, duke lënë pas edhe të zakonshmet e jetës vetiake dhe familjare, të nëpunësisë dhe të ushtrimeve publike në institucione dhe zyra.
Shkoi, (madje duke ekspozuar deri në artikulim të fjalëve të fundit), shpesh shëmbëllsinë e vet si ofiqar, me burokracinë e sarkasmëzuar nga Noli e Konica…
Në kohën e tejzgjatur të tranzicionit, Lame me pak shokë, kryesoi mbrojtësinë për trashëgiminë dhe asetet e saj fizike nëpër kryeqendrat tona urbane dhe në qendrat e harruara apo të humbura.
Sa më shumë u mor me ato, aq më shumë e humbi paradoksalisht pafajësinë..!
Artan Lame e hoqi frymën përfundimisht nga gjoksi i vet.
Në lamtumirë dhe sidomos,në castin e lajm-marrjes për këtë ikje, shumë prej miqve të vet, i la në deklaratën falimentuese:” Nuk kam fjalë!”.
Për Njeriun e fjalës, fjala është vec buruese.
Do ta ujdisin më tej paskëtaj, fjalën dhe dhimbjen, pengun dhe pikëllimën për humbjen e tij në qiej të tjerë të së njëjtës tokë.
Lame, ndërsa po shkon nën dhe, si njohës dhe miq të tu, vërrejmë dhe ndiejmë firasjen në hapësirën tonë kombëtare të të tillëve si ti.
Ishe jo vetëm pasionant për shumë gjëra që i vlejnë shoqërisë dhe identitetit, por gjithaq një gjurmëlënës që na tregon e do të tregosh udhën e së shkuarës sonë drejt një të ardhmeje që s’e dimë! Faleminderit!
Mbi gurin, nën të cilin do të prehesh, kohë pas kohe kujtesëtarët që do të të vijnë, do të cmojnë si 58 vjecarin me mendim të plakëruar… Pse jo, duke thënë vetvetishëm me veten: Na dhe ndër të tjera “ushqim” dhe mblodhe artefakte, për kujtesën. … Bëre dhe le për kujtesën, në një vend dhe shoqëri që ka talent harresën….
Mesa duket, e paske ditur mirë se, sendet dhurojnë kujtesë..!

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull