Bashkëpunëtori i drejtësisë Artan Tafani ka vijuar dëshminë e tij në Gjykatën e Posaçme, duke zbardhur detaje të reja mbi veprimtarinë e grupit kriminal të drejtuar nga Laert Haxhiu.
“Pentito” i drejtësisë trego se puna e parë që Haxhiu i ka dhënë, ka qenë vendosja e një tritoli në Lushje tek banesa e një personi që kishte blerë mall prej bandës së Haxhiut, por nuk kishte kryer pagesën.
Tafani tregon se gjatë gjithë kësaj kohe ndaj tij kishte një presion të vazhdueshëm ndërsa shton se kjo punë ishte si një test për të provuar nëse ai bënte për punë apo jo.
“Për Laertin kisha dëgjuar vetëm nëpër lajme. U takuam në Dajt në një restorant, ku Laerti më mori jashtë që të flisnim. Atë natë ndenjëm atje në Dajt. Unë u tremba, sepse thashë pse më morën mua këta, kur pashë Laert Haxhiun. Ai më tha ‘do bëjmë ndonjë punë, do të ndihmoj unë me ndonjë mall’. Më duket se e dinte që isha keq me lekët. Të nesërmen Laerti dhe Ligori ikën për Korçë, unë u takova me Klajdin dhe me Lulzimin dhe ikëm në Lushnje. Gjatë rrugës më dhanë 500 euro, dhe 500 të tjera më dhanë pas 2-3 ditësh.
Në një takim tjetër më thanë të vendosja një tritol në Lushnje, pasi i kishin dhënë mall njërit dhe ai nuk i kishte bërë pagesën. Tritoli do të ishte si një formë presioni. Unë pranova. Që nga dita e parë që i takova kishte një lloj presioni mbi mua, s’dija si t’ua shpjegoja. Rrugës Laerti më dha 100 euro për shpenzime nafte. Unë e kisha lënë makinën në hyrje të Elbasanit. U nisëm për Lushnje për të vendosur tritolin, kisha bërë edhe planin.
Mu duk sikur kjo ishte prova që këta do shikonin nëse bëja punë unë apo jo. E ndeza fitilin dhe ika. E vendosa në derën e banesës, ishte në katin e parë të një pallati. Isha në këmbë, kalova nga shinat e trenit. Planin e kisha bërë me Laertin.”
Artan Tafani ka treguar gjithashtu dhe sesi ka kryer vrasjen e parë, urdhër i dhënë po nga Laert Haxhiu. Ai tregon përpara GJKKO-së se Laert Haxhiu i dha urdhër për të ekzekutuar Çajup Selimin, ndërsa tregon se kur ka marrë fillimisht këtë punë ka ngelur i shtangur. Vrasja do të ekzekutohej nga ai dhe Ligori, nga ku do të përfitonin nga 25 mijë euro secili.
“Në një tjetër udhëtim, shkuam në Pogradec, unë, Laerti dhe Ligori. Në një moment, Laerti më thirri jashtë dhe më pyeti çfarë dija të bëja. I thashë që isha marrë me mall dhe njëherë kisha bërë vjedhje me dhunë, por nuk besoja se më donte për vrasje, ai vetë i bënte këto gjëra, thosha.
Më thanë do bësh një punë për një njeri tonin në Tepelenë. Më përmendën vetëm më pas emrin e Çajup Selimit. U shtanga atë natë. thashë: ‘Po ju e dini’… U ndjeva i bllokuar, të gjithë i rrinin pinc Laertit.”