Nga Bahri Cani-
Policia gjermane duhet të pajiset dhe në të ardhmen do të mund të përdorë edhe “Taser”, apo pistoleta me elektroshok. Kështu të paktën paralajmëron ministri i Brendshëm Dobrindt, i cili në këtë mënyrë do të mbrojë policët nga sulmet e shpeshta dhe do t’i mundësojë policisë që të përballet më kollaj me njerëzit e dhunshëm. Sipas tij, çdo vit në Gjermani sulmohen mesatarisht mbi 300 policë.
Kjo pistoletë është e kontestueshme dhe këtë e di edhe ministri Alexander Dobrindt. Por ai është i bindur se përdorimi i Taser është i domosdoshëm, sepse janë shtuar edhe sulmet ndaj policëve.
Ai do të krijojë kornizën ligjore që kjo të lejohet, tha ministri për mediat gjermane, e do të sigurojë edhe mjetet financiare për blerjen e këtyre pistoletave.
Pajisja me këto lloj pistoletash duket sipas tij e domosdoshme në veçanti në kohën kur janë shtuar sulmet me thika dhe me mjete të tjera. Policia tani përdor shkopinj për veprim në afërsi dhe pistoleta në largësi.
Ministri mendon se me përdorimin e pistoletave me elektroshok, mund të përmirësohet fushëveprimi i policisë, me qëllim që të ndalet dhuna që po përhapet në rrugë.
Por siç e thash, kjo armë është e kontestueshme. Ajo mund të ketë pasoja të rënda madje edhe fatale në veçanti nëse përdoret ndaj personave që kanë probleme shëndetësore.
Sidoqoftë tani është hapur debati, ndërsa ministri thotë se ai do të kujdeset që kjo armë të futet në përdorim.