Gonzato: Emigracioni, përgjegjësi e përbashkët! Projekti mbështet përpjekjet e Shqipërisë në rrugën e anëtarësimit

8 Minuta Lexim

Në eventin ku u prezantua projekti “EU4Migration”, koordinatorja e IOM për Ballkanin Perëndimor Laura Lungarotti theksoi se projekti ka për synim që ta afrojë Shqipërinë më pranë BE.

Ajo theksoi se bashkëpunimi me Frontex dhe agjenci të tjera të BE-së për menaxhimin e kufijve, por shtoi ky projekt e çon në një tjetër nivel këtë angazhim. Sipas saj, projekti mbështetet te Strategjia Kombëtare për Migracionin dhe Plani i Veprimit të miratuara vitin e kaluar dhe është i ndërtuar mbi prioritetet kombëtare.

Lungarotti shtoi se projekti forcon kapacitetet kombëtare për menaxhimin e migracionit dhe sistemit të azilit.

“Më e rëndësishmja është që ky projekt është për njerëzit. Është për gjetjen e zgjidhjeve për gratë që ikin nga konfliktet apo udhëtojnë të vetme, për fëmijët e pashoqëruar ose të ndarë, për migrantët që dëshirojnë të kthehen në vendin e origjinës sepse nuk mund të qëndrojnë ligjërisht në Ballkanin Perëndimor.”, u shpreh ajo.

Siç e dini, unë jam e vendosur në Sarajevë, nga ku koordinoj aktivitetet e IOM-it në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Për mua, të vij në Shqipëri është si të kthehem në shtëpi, në njëfarë mënyre. Por është edhe një kënaqësi e veçantë, sepse më në fund po lançojmë këtë projekt strategjik dhe të shumëpritur, të quajtur “BE për Migracionin”.

Ky projekt, siç është thënë shumë qartë, bazohet në partneritet: partneritet me qeverinë shqiptare, partneritet me Bashkimin Evropian, por edhe partneritet mes dy agjencive të OKB-së, të cilat po përdorin avantazhet e tyre për të mbështetur dhe mbrojtur njerëzit në lëvizje. Është një partneritet që synon ta sjellë Shqipërinë edhe një hap më afër Bashkimit Evropian, sepse, siç dihet, migracioni është një ndër dosjet kyçe të procesit të anëtarësimit.

Ne në IOM e shohim migracionin si një mundësi. Pse? Sepse bazohet në të drejtën themelore për lëvizje të lirë, dhe besojmë se, nëse qeveriset në mënyrë efikase, migracioni mund të sjellë vlera të shtuara dhe zhvillim për të gjitha vendet. Por natyrisht e pranojmë që migracioni mund të përbëjë një sfidë për politikëbërësit, për punonjësit në terren dhe për të gjithë ata që merren veçanërisht me migracionin e parregullt.

Ballkani Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, është përballur me shumë sfida, por ka arritur t’u përgjigjet dhe të shndërrojë një pjesë të tyre në mundësi. Dua të ndalem veçanërisht te menaxhimi i kufijve, ku bashkëpunimi me Frontex-in dhe agjencitë e tjera të BE-së ka qenë shumë i suksesshëm. Po ashtu edhe në aspektin e mbrojtjes së njerëzve në lëvizje, duke mos lënë askënd pas.

Një aspekt gjithnjë e më i rëndësishëm është gjetja e zgjidhjeve brenda vetë rajonit për ata që janë të bllokuar. Këtu përfshihen edhe kthimi dhe ri-integrimi në vendet e origjinës për migrantët që nuk kanë status dhe nuk mund të qëndrojnë ligjërisht në Ballkanin Perëndimor.

Ky projekt “BE për Migracionin” për Shqipërinë e çon në një nivel tjetër këtë angazhim dhe do të thellohet më tej në të gjitha këto fusha ku Ballkani Perëndimor tashmë ka bërë përparime të ndjeshme.

Më lejoni të përmend shkurt disa komponentë të projektit. Siç e pamë edhe në video, projekti “BE për Migracionin” mbështetet te Strategjia Kombëtare për Migracionin dhe Plani i Veprimit përkatës, të miratuara vitin e kaluar – pra, është i ndërtuar mbi prioritetet kombëtare.

Projekti forcon kapacitetet kombëtare për menaxhimin e migracionit dhe sistemit të azilit. Ka një komponent shumë të fortë për mbrojtjen efektive të migrantëve të cenueshëm dhe refugjatëve – me fokus të veçantë, siç e përmendi edhe zëvendësministri, te fëmijët e pashoqëruar ose të ndarë, gratë që udhëtojnë të vetme dhe viktimat e trafikimit.

Po ashtu, projekti përmirëson dimensionin e zgjidhjeve, përfshirë kthimin dhe ri-integrimin, nga Shqipëria dhe nga Ballkani Perëndimor në mënyrë të sigurt, të bazuar në të drejta dhe me dinjitet dhe, shpresojmë, në mënyrë të qëndrueshme.

Së fundi, por jo për nga rëndësia, ai forcon bashkëpunimin rajonal në menaxhimin e flukseve të përziera migratore. Ballkani Perëndimor ka bërë përparim të ndjeshëm në këtë aspekt vetëm në vitin 2024 kemi parë një ulje të konsiderueshme të hyrjeve të parregullta në të gjitha vendet e rajonit.

Projekti ka gjithashtu një komponent të fuqishëm për përmirësimin e sistemeve dhe të infrastrukturës. Pra, do të ketë rritje të kapaciteteve fizike dhe të sistemeve, por më e rëndësishmja është që ky projekt është për njerëzit. Është për gjetjen e zgjidhjeve për gratë që ikin nga konfliktet apo udhëtojnë të vetme, për fëmijët e pashoqëruar ose të ndarë, për migrantët që dëshirojnë të kthehen në vendin e origjinës sepse nuk mund të qëndrojnë ligjërisht në Ballkanin Perëndimor.

Suksesi ynë varet realisht nga bashkëpunimi me të gjithë aktorët kryesorë, nga lidhja e ngushtë mes ministrive përkatëse, veçanërisht Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, të cilat do të jenë kyçe në zbatimin e këtij projekti.

Do të shfrytëzojmë gjithashtu njohuritë tona për flukset migratore, të cilat ndryshojnë vazhdimisht. Profili i njerëzve në lëvizje ndryshon çdo ditë, sepse, për fat të keq, jemi të rrethuar nga pasiguria. Prandaj, duhet të jemi në hap me profilin, nevojat dhe kërkesat e tyre për mbrojtje.
Jemi vërtet krenarë që e udhëheqim këtë projekt së bashku me UNHCR-in. Ai bazohet në përvojën tonë të konsoliduar në Ballkanin

Perëndimor dhe në praninë tonë të fortë në të gjithë rajonin. Bazohet gjithashtu në bindjen se migracioni, nëse qeveriset mirë, siç e theksova edhe në fillim, mund të shndërrohet në një motor zhvillimi.

Këtë e shohim edhe në këtë rajon, i cili po ndryshon profil: nga një rajon tradicionalisht i njohur si burim ose kalim për migrantët, gjithnjë e më shumë po kthehet në një destinacion për migrantët e punës. Ne jemi të vetëdijshëm për këto ndryshime dhe shpresojmë që ato të nxisin më shumë zhvillim dhe rritje.

Në mbyllje, dua të falënderoj edhe një herë Bashkimin Evropian për mbështetjen dhe udhëheqjen në këtë dhe shumë iniciativa të tjera, qeverinë shqiptare, Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, UNHCR-in, por edhe të gjithë ju partnerë të shoqërisë civile, aktorë lokalë, që bëni të mundur përpjekjet tona.

Dhe, për në fund fare, dua të ndaj me ju që kjo është vizita ime e fundit në Shqipëri, pasi mandati im po përfundon pas katër vjetësh e gjysmë pune të palodhur në këtë rajon të bukur dhe interesant. Shpresoj që kam dhënë një kontribut modest në qeverisjen e migracionit, dhe jam e sigurt se kolegët e mi do ta çojnë përpara këtë nismë kaq të rëndësishme që sapo ka nisur. Faleminderit shumë!

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull