Po zhvillohet sesioni i 19-të i takimit të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri II në Strasburg. Deputeti Fatmir Xhafaj gjatëfjalës së tij u shpreh se projekt rezoluta e Komisionit të Jashtëm ishte mbështetëse dhe inkurajuese për procesin e integrimit evropian të vendit.
Xhafaj tha se janë të vetëdijshëm se duhet të bëhet më shumë punë për luftën kundër krimit dhe korrupsionit, teksa shtoi se shpreson që edhe opozita të vlerësojë arritjet përmes reformës në drejtësi ndërsa e ftoi që të ulen dhe të diskutojmë mbi rekomandimet e dhëna nga BE.
“Rekomandimet e kësaj projekt rezolute lidhur me sundimin e ligjit, luftën kundër krimit dhe korrupsionit mbeten sfida të rëndësishme që duhen adresuar me shumë përgjegjësi nga të gjithë faktorët politikë dhe institucional në vend, dhe sidomos nga institucionet përgjegjëse të shtetit shqiptar nga të tre pushtetet ekzekutivi, gjyqësori dhe vetë kuvendi.
Përbëjnë sfida të rëndësishme ku jemi të fokusuar dhe jemi të vetëdijshëm se nevojiten përpjekje shumë të forta për të ecur përpara në adresimin e tyre. Vlerësojmë me angazhim theksin e vënë në këtë rezolutë për sfidat lidhur me cilësinë dhe efikasitetin e sistemit të drejtësisë si dhe kërkesën për vazhdimin e kornizës ligjore, veçanërisht Kodit Penal me të drejtën e BE në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.
Ne vlerësojmë seriozisht thirrjen drejtuar aktorëve që të shmangin veprimet që minojnë punën e institucioneve të pavarura si SPAK, gjë që dobëson besimin publik dhe rrezikon sundimin e ligjit dhe procesin e integrimit në BE. Ne si maxhorancë rikonfirmojmë se i qëndrojmë fort reformës kushtetuese të vitit 2016, dhe shtyllat e asaj reforme i konsiderojmë të paprekshme.
Shpresojmë shumë që edhe opozita të ndajë të njëjtin vlerësim me ne lidhur me vlerësimet pozitive për institucionet e reja të drejtësisë, sidomos për SPAK si dhe me gjetjet e projekt rezolutës në këto fusha, të ulemi dhe të reflektojmë për të punuar në rekomandimet e BE dhe nën asistencën e tyre të adresojmë masat dhe rekomandimet përkatëse për konsolidimin e reformës në drejtësi me standartet më të mira evropiane“, u shpreh Xhafaj.
Xhafaj tha se Komisioni i posaçm parlamentar ka nisur punën për hartimin e dy ligjeve të reja, atë për konfliktin e interesave dhe atë për financimin e partive politike.
“Komisioni i posaçëm parlamentar, përmes një procesi transparent, ka miratuar një dokument analitik, analizë të detajuar prej 700 faqe, me gjetjet problematikat dhe rekomandimet. Ka përfunduar dhe miratuar në parim draft planin kombëtar të veprimit duke propozuar masa konkrete që synojnë përmbushjen e detyrave dhe përgjegjësive të parlamentit në kuadër të negociatave me BE si dhe thellimin e reformave me hapa konkrete në luftën kundër korrupsionit.
Draft plani i veprimit përfshin 55 fusha tematike dhe 253 masa specifike të përbëra nga 75 nisma legjislative dhe 123 veprime institucionale për të tre shtyllat. Janë në fazën e konsultimit dhe vlerësimit me ekspertët ndërkombëtarë dhe grupin shqiptar negociator. Faza e tretë e planifikuar përfshin hartimin e ligjeve që do të zbatojnë masat e përcaktuara në këtë plan kombëtar të veprimit. Kemi filluar punën për hartimin e dy ligjeve të reja, lidhur me konfliktin e interesave dhe atë për financimin e partive politike”, shtoi Xhafaj.