Qeveria italiane vendosi të dielën të rrisë ndjeshëm masat e sigurisë për të parandaluar çdo sulm terrorist.
Gjatë takimit të Komitetit Strategjik kundër Terrorizmit, në Ministrinë e Brendshme në Romë, u vendos që të forcohen masat e sigurisë për të mbrojtur ambasadat e vendeve të huaja, me theks të veçantë ato të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit.
Në total, të ashtuquajturat “objektiva të ndjeshëm” në Itali kalojnë 29,000, nga të cilat rreth 1,000 janë të lidhura me interesa dhe aktivitete amerikane dhe izraelite. Theks i veçantë i vihet Vatikanit dhe zonës përreth, ku mijëra turistë dhe pelegrinë dynden çdo ditë për shkak të ceremonive të vazhdueshme të Vitit të Shenjtë të Kishës Katolike Romake të këtij viti.
Kujtohet se Italia është i vetmi vend i madh perëndimor që nuk është goditur nga sulme terroriste vitet e fundit. Sipas analistëve, kjo i detyrohet – në një masë të madhe – përvojës së shërbimeve italiane të sigurisë, kryesisht nga përballimi i periudhës së vështirë të terrorizmit.
Ditët e fundit janë zhvilluar një sërë takimesh, me qëllim përditësimin e strategjive aktuale të parandalimit dhe mbrojtjes, veçanërisht për qytetarët që jetojnë në qytetet më të mëdha turistike të vendit.