Krimet zgjedhore, kreu i SPAK: Kallëzimet e partive politike të paplota

3 Minuta Lexim

Organizatat që monitoruan zgjedhjet e 11 majit organizuan këtë të enjte një tryezë diskutimi me pjesëmarrjen e institucioneve dhe partive politike.

Në këtë aktivitet foli edhe kreu i SPAK, Altin Dumani, i cili prezantoi shifrat e procedimeve penale nga SPAK për krimet zgjedhore.

Ai u shpreh se kallëzimet e partive politike kanë qenë shpesh të paplota dhe jo të sakta.

Dumani njoftoi se “janë administruar gjithsej 192 materiale që lidhen me dyshime për krime zgjedhore.

Nga këto, 43 janë regjistruar si procedime penale dhe kanë kaluar në fazën e hetimit, ndërsa për 40 materiale është vendosur mosfillimi i hetimit për mungesë të elementit penal”.

Ai shtoi se “40 materiale janë dërguar për kompetencë pranë prokurorive të rretheve, 22 janë në verifikim nga policia, ndërsa 17 janë bashkuar me materiale të tjera ekzistuese”.

Për 43 procedimet penale, Dumani shpjegoi: “22 janë iniciuar në bazë të referimeve të policisë, njëri nga shërbimi i kontrollit të brendshëm të burgjeve, 9 me iniciativë të SPAK, 3 si rezultat i kallëzimeve nga qytetarë të ndryshëm, 3 nga prokuroritë e tjera dhe 4 nga subjektet politike. Një rast është vazhdim i një regjistrimi penal të mëparshëm”.

Ai theksoi se shumica e këtyre procedimeve lidhen me korrupsionin aktiv gjatë zgjedhjeve, duke saktësuar se “35 procedime janë për korrupsion aktiv, 4 për korrupsion korrupsion aktiv dhe pasiv, një për përdorim të funksionit publik për qëllime private, dhe një tjetër për keqpërdorim detyre. Gjithashtu, një procedim për kanosje ose dhunë ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”.

Kreu i SPAK komentoi edhe për kallëzimet e partive politike, duke thënë se “kallëzimet e tyre kanë qenë shpesh të paplota dhe jo të sakta. Ne kemi marrë kontakt me denoncuesit e partive dhe pas verifikimeve të rasteve mbi shqetësimet e tyre, SPAK ka bërë verifikimet përkatëse dhe kallëzimet i ka trajtuar në një kohë të shpejtë duke marrë vendime bazuar në analiza të detajuara të aktet dhe provat”.

Ai përmendi gjithashtu se “vendimet e mosfillimit të hetimit i janë komunikuar kallëzuesve, dhe nga këto vendime vetëm tre janë ankimuar”.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull